Shuplakat

Javën e kaluar sërish fitoi aktualitet një prej figurave më kontroverse të mediave në RMV, Dragan Pavloviq Llatas, kësaj here i shoqëruar nga një person në moshë të re në podkastin e të cilit Llatas e përshkruante në detaje eksperiencën e tij të parë seksuale. E gjithë biseda kishte një ton aq jodinjitoz dhe aq poshtërrues, sa që ishte i kuptueshëm reagimi i menjëhershëm i publikut pas këtij skandali mediativ. Mediat janë vendet ku krijohet opinioni publik. Sot mediat janë aq të qasshme sa që informatat servohen lehtësisht deri te një numër shumë i madh i qytetarëve. Të rinjtë janë të ekspozuar ndaj këtyre informatave në mënyrë të vazhdueshme, e veçanërisht përmes video kanaleve në Youtube dhe përmes ndikimit të bashkëmoshatarëve të tyre që njihen si influenserë, pra ndikues të opinionit publik, si Stefan Lazarov, nikoqiri i podkastit ku mysafir ishte Llatasi. Dëmi që mund të bëhet nga deklarata problematike në këto media është shumë i madh sepse ka ndikim tek shumë persona dhe ç’është më e keqja, te shumë persona të rinj. Prandaj edhe legjislacioni parasheh përgjegjësi penale kur nëpër media përhapen qëndrime racste, ksenofobe, seksiste dhe që promovojnë dhunë.

Në atë podkast, Llatasi me shumë krenari e tregonte eksperiencën e tij të parë seksuale. Kishte aq shumë gjëra të gabuara në përshkrimin e tij sa njeriu nuk di nga t’ia fillojë. Së pari, ai tregonte për një situatë ku ka qenë bashkë me disa djem të tjerë e mes të cilëve edhe djali i ndonjë drejtori të atëhershëm të cili i ka pëlqyer ti rrahë gratë me shuplaka para se të kryejë marrëdhënie me to. Në ndërkohë, nikoqiri i podkastit e pyet për atë se kur i ka pëlqyer t’i rrahë, para ose pas marrëdhënieve, dhe të dy qeshen zëshëm sikur po tregojnë ndonjë shaka shumë gazmore. Vetëm në këtë deklaratë ka më shumë gjëra që nuk shkojnë e që kanë të bëjnë me promovim të dhunës seksuale, me normalizim të ndikimit të keq mes moshatarëve e ndoshta edhe të bulizmit, dhe ç’është më e keqja, me normalizim të imunitetit nga përgjegjësia penale të personave që janë djem ose vajza të ndonjë drejtori ose personi me ndikim. Normalizimi i anashkalimit të përgjegjësisë penale në këto raste është pjesa më problematike e deklaratës. Për të mos vazhduar më tej me përshkrimin e momentit kur Llatasi tregon se ka hyrë në veturë dhe ka kryer marrëdhënie me një vajzë të firkësuar dhe të detyruar, dhe në krejt këtë bisedë mes nikoqirit dhe mysafirit nuk shihet anjë problem që në fakt ata flasin për dhunim, por problematizohet në mënyrë kuazi-humoristike vogëlsia e “Fiqos” në krahasim me kryerjen e aktit “madhor”, dhe të dy qeshen e qeshen në mënyrë meskine e poshtëruese, me çka e tregojnë qartë qëndrimin e tyre ndaj gjinisë femërore dhe aktit seksual në përgjithësi. E gjithë biseda është e neveritshme dhe jorastësisht përfundoi me propozim-akuzë nga ana e prokurorisë publike për veprën penale “Shpërndarje të materialit racist dhe ksenofob nëpërmjet sistemit kompjuterik” nga neni 394-g i Kodit penal, sepse promovimi i dhunës në bazë gjinore është i dënueshëm sipas legjislacionit tonë.

Për Llatasin nuk habitem edhe aq shumë, sepse repertoari i tij i gjertanishëm në media është i stërmbushur me gjuhë të urrejtjes në më tepër baza. Por ajo që më habiti ishte se ai rioshi nikoqir i podkastit, nuk e kishte fare të qartë çfar kishte bërë, dhe nuk e kuptonte dëmin e shkaktuar me këtë qasje diskriminuese. Kishte një tentim kërkim faljeje nga publiku ku ai u ankua se ndaj tij po bëhej hajkë mediatike në baza politike, ndërsa nëna e tij poashtu e konfirmoi këtë tezë, në vend që ta qortonte djalin e tij për këtë sjellje të pahijshme në publik dhe t’ia tërhiqte vëmendjen se kjo që bëri ishte jo vetëm skandaloze por edhe vepër penale.

Ironia qëndron aty se javën e ardhshme, pikërisht ky djalosh, tani më i dyshuar se ka kryer vepër penale të përhapjes së urrejtjes ndaj grave, do të blejë një trëndafil dhe do t’ia urojë nënës së tij tetë marsin, ndërsa nëna do të fluturojë nga gëzimi dhe edhe më tej do të krenohet me djalin e saj të kujdesshëm. Ndërsa dhuna e vazhdueshme psiqike, fizike, seksuale e ekonomike ndaj grave do të vazhdojë të promovohet më tej pa pengesë, si pa të keq, dhe gjithmonë duke u spërkatur me “shaka shumë qesharake” që tregojnë se kur u duhen dhënë grave shuplakat, para apo pas seksit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button