Protesta dhe greva në Greqi pas aksidentit hekurudhor ku humbën jetën 43 persona, trenat nuk do të qarkullojnë sot në të gjithë vendin

Në disa qytete të Greqisë u zhvilluan mbrëmë protesta për aksidentin e rëndë hekurudhor pranë Larisës, ku humbën jetën të paktën 43 persona, derisa sot trenat nuk do të qarkullojnë në të gjithë vendin pasi sindikata e hekurudhave shpalli grevë 24 orëshe, transmeton Portalb.mk.

Demonstruesit u përleshën me policinë përpara selisë së Hekurudhave greke në Athinë dhe protesta u mbajtën gjithashtu në Selanik dhe Larisa.

Ekipet e shpëtimit kërkuan të mbijetuar në vagonët e rrënuar deri në orët e vona të natës, megjithëse, siç thonë ata, shpresat për këtë ishin shumë të vogla. Shefja e mjekësisë ligjore në spitalin e Larisës, Rubini Leondari, tha se te ajo janë sjellë 43 trupa dhe se do të duhen analiza të ADN-së për identifikimin e tyre.

“Shumica e tyre janë të rinj”, tha ajo.

Pesëdhjetë e shtatë të plagosur janë ende në spital, gjashtë prej të cilëve janë në terapi intensive. Është konfirmuar se tetë punonjës të hekurudhës ishin në mesin e të vdekurve, duke përfshirë katër drejtuesit e trenave të pasagjerëve dhe mallrave, të cilët u përplasën kokë më kokë ndërsa udhëtonin në mënyrë të pashpjegueshme në të njëjtën linjë, edhe pse në atë vend ka dy hekurudha.

Qeveria tha se një hetim i pavarur do të sillte drejtësi. Dje është arrestuar shefi i stacionit hekurudhor në Larisa, 59-vjeçar, i cili tha se aksidenti ka ardhur si pasojë e një gabimi teknik. Ai do të dalë sot në prokurori, pasi dje u akuzua për vrasje nga pakujdesia.

Sindikatat hekurudhore besojnë se sistemet e sigurisë nuk kanë funksionuar siç duhet, gjë për të cilën kanë paralajmëruar prej vitesh. Edhe punonjësit e metrosë së Athinës kanë paralajmëruar grevë njëditore, duke thënë se po përballen me probleme të ngjashme me hekurudhat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button