SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe kompanive që i akuzoi se kanë gjeneruar paligjshëm të ardhura për Qeverinë e Koresë së Veriut, raporton REL.

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Jashtme e Thesarit (OFAC) vendosi sanksione ndaj korporatës Chilsong Trading, që tha se përdoret nga Koreja e Veriut për të fituar monedha të huaja dhe për të mbledhur inteligjencë. Po ashtu, është sanksionuar korporata Korea Paekho Trading, që akuzohet se ka gjeneruar fonde për Qeverinë e Koresë së Veriut që nga vitet ’80, përmes projekteve ndërtimore në mbarë Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.

SHBA-ja po ashtu sanksionoi dy individë – Hwang Kil Su and Pak Hwa Song – për ndihmën që i kanë dhënë Qeverisë verikoreane për të fituar të ardhura, u tha në deklaratën e Thesarit amerikan.

Thesari po ashtu tha se këta dy persona kanë themeluar kompaninë e quajtur Aconde SARL në Republikën Demokratike të Kongos me qëllim që të fitojnë të ardhura nga projektet ndërtimore me qeveritë lokale.

Javën e kaluar, media shtetërore tha se Koreja e Veriut ka testuar raketën e katërt strategjike lundruese gjatë stërvitjeve ushtarake që synonin të demonstronin aftësinë e shtetit për të kryer kundërsulme bërthamore kundër, siç u tha, forcave armike.

“Programi i paligjshëm i armëve të shkatërrimit në masë dhe i raketave balistike” të Koresë së Veriut “kërcënon sigurinë ndërkombëtare dhe stabilitetin rajonal”, tha Brian Nelson, zyrtar i lartë për sanksione në Departamentin amerikan të Thesarit.

“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të shënjestruar rrjetet e paligjshme të regjimit që gjenerojnë të ardhura për këto aktivitete destabilizuese”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke qëndruar përkrah homologëve të tij nga Koreja e Jugut dhe Japonia, u bëri thirrje shteteve që të rrisin sanksionet kundër Koresë së Veriut në përgjigje të lëshimeve të fundit të raketave balistike.

Koreja e Veriut po vazhdon të zhvillojë dhe prodhojë raketa të reja, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga rezolutat e Kombeve të Bashkuara që ndalojnë aktivitetet bërthamore dhe raketore të shtetit.

SHBA-ja dhe Koreja e Veriut së fundmi kanë marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta që ishin të përqendruara në mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button