Washington: Përkujtohet Dita e Paqes së Kosovës

Disa ish zyrtarë të lartë amerikanë përkujtuan mbrëmë rrugën që ka përshkuar Kosova 15 vitet e fundit që nga hyrja e trupave të NATO-s dhe përfundimi i fushatës së bombardimit kundër forcave serbe.

Siç njofton Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës, me rastin e 12 qershorit, Ditës së Paqes në Kosovë, tre ish diplomatë amerikanë u nderuan me medalje në një ceremoni të organizuar në selinë e Kongresit në Washington.

Tre ish diplomatë të njohur amerikanë, Nicholas Burns, Morton Abramowitz dhe Larry Rossin (pas vdekjes), u nderuan me medaljen presidenciale të Kosovës.

Ishte një rast që pjesëmarrësit në ceremoni të përkujtonin rrugën e Kosovës që nga mbarimi i konfliktit dhe ta ilustronin ecurinë e saj me zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara atje të dielën.

Morton Abramowitz, ish diplomat karriere, ka ndihmuar për të nxjerrë në pah problemet e shqiptarëve të Kosovës në kohën kur në komunitetin ndërkombëtar kjo çështje njihej pak.

Ai tha se roli i madh që Shtetet e Bashkuara luajtën më vonë në Ballkan u bë i mundur si rrjedhojë e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

“Lufta mbaroi 15 vjet më parë. Kosova është një shtet i pavarur që ka përshkuar një rrugë të gjatë. Kontingjenti amerikan atje po pakësohet vetëm sepse Kosova është tani më e qëndrueshme, më e aftë për të ecur vetë dhe amerikanët kanë luftëra të tjera për të bërë. Kosova sapo ka zhvilluar zgjedhje të reja, dhe megjithëse rezultatet janë komplekse, ato shënojnë një hap tjetër në rrugën e demokracisë,” tha ish diplomati.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, tha se zgjedhjet e mbajtura të dielën ishin të lira e të drejta sipas standardeve ndërkombëtare dhe kjo tregon përparimin e bërë nga Kosova në këto 15 vjet.

“Jam shumë i kënaqur me përparimin e bërë. E dimë se ka shumë vështirësi dhe një rrugë të gjatë për të bërë, por një ditë mes Serbisë dhe Kosovës do të ketë paqe dhe ne po ecim në drejtimin e duhur. Një ditë Kosova do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, gjë që ne e presim me padurim,” tha ai.

Ish zëvendëssekretari i shtetit, Nicholas Burns, tani profesor në Universitetin e Harvardit, i tha Zërit të Amerikës se shpreson që qeveria e re në Kosovë të krijohet përmes një procesi të rregullt:

“Ne kemi nevojë për një Kosovë të qëndrueshme e të shëndetshme, një Kosovë mike të angazhuar në anën e Shteteve të Bashkuara, që ne të mund të sjellim paqe në Ballkan.”

Gjeneral Wesley Clark, njeriu që drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, uroi Kosovën për zgjedhjet dhe tha se e ka të ngulitur thellë në mendje vigjiljen e 12 qershorit të atij viti, kur trupat e tij ishin gati të hynin në Kosovë.

Ai tregoi se si pikërisht atë ditë, një kontingjent trupash ruse ishte futur fshehurazi në Kosovë nga Bosnja dhe ishte vendosur në aeroportin e Prishtinës, duke e ndërlikuar hyrjen e NATO-s:

“Kanë kaluar 15 vjet. Kosova është e lirë. Por disa nga njerëzit, të cilët qëndronin prapa atij operacioni rus janë ende në pushtet. Sot ka një vend tjetër që po sulmohet me të njëjtin lloj trukesh dhe manovrash të fshehta dhe ajo është Ukraina. Zotit Putin i pëlqen të bëjë një paralelizëm mes këtyre dy situatave”.

“Por e ka krejtësisht gabim. Në rastin e Kosovës, fjala ishte për një popull që luftonte për identitetin, gjuhën, kulturën, lirinë dhe jetën e tij, kundër një shteti policor diktatorial. Ndërsa në Ukrainë fjala është për një krizë të krijuar artificialisht, të nxitur nga ndërhyrja e forcave speciale ruse”.

Në emër të Presidentes Atifete Jahjaga, medaljet u ndanë nga ambasadori i Kosovës në Washington, Akan Ismaili.

Fushata e bombardimeve të NATO-s 15 vjet më parë zgjati 78 ditë, por edhe pas largimit të forcave serbe u deshën shumë përpjekje që Kosova të shpallte pavarësinë në vitin 2008.

Në këto përpjekje, diplomacia amerikane luajti një rol parësor përmes negociatash që i vështirësonte qëndrimi kundërshtues i Rusisë. /VOA Shqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button