“Tetova Transport” punon me humbje, komuna do ta subvencionojë në bazë të kilometrave të kaluara (Infografik)

Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” vazhdon të funksionojë me humbje. Prandaj, gjatë këtij viti, Komuna e Tetovës do të subvencionojë të njëjtën në bazë të kilometrave të kaluara, konkretisht 150 denarë për kilometër. Kështu vendosi shumica e këshillit komunal me 16 vota “për”. Opozita kishte 15 “të përmbajtur”, shkruan Portalb.mk.

Përfaqësuesi i NP “Tetova Transport” Armend Ademi foli për sfidat me të cilat përballet kjo ndërmarrje si jofitimprurëse. Andaj, siç tha ai, duke u bazuar në nenin 5 të statutit të ndërmarrjes publike “Tetova Transport”, Komuna e Tetovës është themelues dhe pronare e ndërmarrjes dhe i ka të gjitha të drejtat dhe obligimet mbi të.

“Duke i analizuar të hyrat dhe shpenzimet që ka ndërmarrja kërkojmë nga titulli i lartpërmendur (komuna) të subvencionojë ndërmarrjen duke filluar nga 1 marsi deri në fund të këtij viti kalendarik me vlerë prej 1.8 milionë denarë në muaj, që të balancojë gjendjen financiare dhe rezultati përfundimtar të mos jetë me humbje…Për ta arritur këtë vlerë ekzistojnë disa module të ndryshme kalkulimi ku ne kemi zgjedhur që subvencionimi të realizohet në bazë të kilometrave të kaluara, ku çdo kilometër i kaluar të vlejë 150 denarë”, tha Ademi.

Këshilltarët nga pozita dhe opozita e këshillit komunal diskutuan për mundësitë, problemet dhe zgjidhjet se si kjo çështje të mund të menaxhohet më mirë, të ketë rregullore, dhe zgjidhje afatgjate me përllogaritje më të sakta.

Debatin e plotë për këtë problematikë mund ta ndiqni në videon më poshtë duke filluar nga ora 2:14:50.

Kjo ndërmarrje, sipas raportit financiar, në vitin 2022 ka realizuar të hyra të përgjithshme 8.144.530 denarë, ndërsa shuma e shpenzimeve të përgjithshme është 12.364.466 denarëdallimi është negativ prej 4.219.936 denarëve.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kjo ndërmarrje të hyrat i realizon nga shitja e biletave, ndërsa shpenzime ka për pagat e të punësuarve, shpenzime për lëndë të parë dhe materiale tjera, dhe shpenzime tjera që dalin nga puna.

Kujtojmë që, në seancën e këshillit të mbajtur me 28 shtator 2022, Këshilli Komunal i dhuroi donacion tre milionë denarë ndërmarrjes së transportit publik për mbulimin e harxhimeve. Ndërkaq edhe me 30 janar 2023 Këshilli Komunal miratoi vendimin për të subvencionuar të njëjtën me 4 milionë denarë.

Përndryshe, Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”- Tetovë është e themeluar me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës me 30.09.2019. Ndërmarrja funksionon që nga viti 2021 me disa ndërprerje. Transporti Publik prej 30 majit 2022 u riaktivizua dhe funksionon pa ndërprerje deri më tani.

Ndërmarrja e transportit publik në Tetovë ka pesë autobusë të cilët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%. Aktualisht janë tre linja të autobusëve që qarkullojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button