Sonte Spanjë – Holandë, si finalja e 2010-tës

Më 11 korrik 2010, një gol i Andres Iniestës kurorëzonte Spanjën kampione Bote për herë të parë në histori, ndërsa konfirmonte Holandën si humbësen e përhershme. Katër vjet më pas, Spanja dhe Holanda vendosen sërish përballë.

Në Brazil është momenti që kampionët e botës e të gjithçkaje të zbresin sërish në fushë, përballë të njëjtit kundërshtar, që në evenimente të mëdha ka mbetur gjithmonë portokalli duke mos e parë kurrë dritën jeshile drejt trofeut. Nga 2010 dy skuadrat kanë pasur një kurbë të ndryshme, me Spanjën që ka fituar dhe Europianin por gjithsesi duke shfaqur shenja lëngimi në stilin e saj tiki-taka, ndërsa Holanda duket se ka gjetur kompaktësinë me trajnerin Van Gal, që në fund të botërorit do të marrë drejtimin e Man.Utd.

Ekipet e mundshme që do të zbarkojnë në fushë
Ekipet e mundshme që do të zbarkojnë në fushë

Spanja niset favorite, dhe për gamën e jashtëzakonshme të futbollistëve që ka në dispozicion, por do të jetë interesante për të parë sërish duelet Roben-Sneijder me Xavi-Iniesta në mesfushë, ashtu si dhe në sulm ka jo pak emra për t’u krahasuar. Gjithsesi takimi që do të luhët në orën 21 në “Arena Fonte Nova”, do të jetë i rëndësishëm dhe për të evituar Brazilin në raundin tjetër, që duket qenë vend organizator mund të hapë telashe për njërën prej dy finalisteve të fundit të kompeticionit.

Takimi antipastë i ditës do të jetë ai që do të luhet për grupin A, mes Meksikës dhe Kamerunit, dy skuadra që vitet e fundit kanë qenë rregullisht në botërorë, pavarësisht se fanella meksikane është ajo që peshon më shumë.

Ndërkohë në orën 00:00, në “Cuaiaba” Kili dhe Australia do të përballen në takimin e dytë të grupit B, me amerikano-jugorët që më shumë se për kushtet klimaterike nisen të favorizuar për forcën e skuadrës së tyre, aq sa shikohen si ekipi që mund të lërë jashtë njërën prej Spanjës ose Holandës në këtë grup.

Lajme të ngjashme

Back to top button