Mbledhja e qeverive të Shqipërisë e Malit të Zi, u nënshkruan 11 marrëveshje

Mes 11 marrëveshje, memorandum e planveprimi që ishin produkti i mbledhjes mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, që u mbajt në Podgoricë ajo që mori dhe vëmendjen më të madhe ishte marrëveshja për ndërtimin e urës mbi lumin Buna, raporton Klan.

Projekti është hartuar dhe financuar nga pala shqiptare, ndërsa për t’u zbatuar është rënë dakord të jetë një bashkëfinancim.

“Mendoj që do të kushtojë 20 milionë Euro dhe po të ndahet nuk mendoj se do të kushtojë shumë”, është shprehur Abazoviç.

“Për ne është jashtëzakonisht e vlefshme kjo urë. Rritet jashtëzakonisht shumë lëvizshmëria dhe ne recpirokisht fitojmë shumë”, ka thënë kryeministri Edi Rama.

Mbledhja u zhvillua një javë pas debatit nga të dy anët e kufirit për dhunimin e profesorit Petraq Milos nga një punonjës i policisë së Malit të Zi, në pikën kufitare të Muriqanit. Çështja që mori vëmendjen e të dy Kryeministrave Rama e Abazoviç.

Abazoviç: Nuk kam qejf të politizohet kjo çështje, pasi kjo nuk ka të bëjë me politikën shqiptare.

Rama: Këto janë raste që ndodhin. Po këto janë raste që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe kjo është arsyeja se pse ne na duhet shumë më tepër bashkëpunim pa kufij.

Edhe pse Mali i Zi ende nuk e ka hedhur hapin zyrtar të përfshirjen në nismën e Ballkanit të Hapur, Abazoviç nuk e ka fshehur se e mbështetet si shumë të rëndësishme për rajonin.

Ndaj ai siç lajmëron Kryeministri Rama ka deklaruar se vendi i tij do të mikpresë mbledhjen e radhës në Qershor. Rama gjithsesi kujdeset të shpjegojë për të disatën herë se kjo nismë nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit, mbledhja e radhës e të cilit do të mbahet në Vjeshtë në Tiranë.

“Ballkani i Hapur është një rrugë e cila i bën më të lehta rrugës edhe ato situata ku vjen dita që të thonë pa kushte, pa diskutime, hajde dhe firmos se ndryshe je jashtë,” tha Kryeministri Rama.

Mbetem i qëndrimit se çdo bashkëpunim rajonal i kontribuon paqes dhe stabilitetit dhe se nga kjo nuk mund të të dhemb koka. Koka mund të dhemb nëse njëri-tjetrin e shohim si armiq“, është shprehur Abazoviç.

E ndërkohë që Rama e Abazoviç dhe dy kabinetet e tyre u mblodhën në Podgoricë, dy liderë të tjerë të Ballkanit, Kurti e Vuçiç janë ulur në Bruksel në përpjekje të arritjes së marrëveshjes bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Marrëveshje që të dy si Rama ashtu dhe Abazoviç deklarojnë se e mbështesin si e vetmja rrugë për të ardhmen e dy vendeve.

Rama: Më shpejt se sa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin prej veshi sa herë grinden në oborrin mbas shkollës.

Marrëveshjet e nënshkruara këtë të hënë, siç pohojnë dy Kryeministrat, janë vetëm një hap në rrugën e bashkëpunimit që ata janë të sigurtë që e ndihmon zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button