Dyert dhe dritaret e shkollës “Kirili dhe Metodi” në Tetovë do rinovohen nga Japonia, sot u nënshkrua marrëveshja (Video)

Dyert dhe Dritaret e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë do të rinovohen me mbështetjen e Japonisë, konkretisht përmes Grant Programit për Projekte të Vogla dhe Siguri Njerëzore (GGP), marrëveshja e cila u nënshkrua sot midis ambasadorit të Japonisë në vend, Kazuya Otsuka dhe drejtoreshës së shkollës, Sihana Kaba Kasami, shkruan Portalb.mk.

Ambasadori i Japonisë, duke theksuar se kjo është vizita e tij e parë jashtë Shkupit tha se me anë të kësaj marrëveshjeje, ky donacion do të mundësojë që më tepër se 1000 fëmijë të ndjekin mësimin në kushte dhe mjedis të përshtatshëm.

“Populli i Japonisë ndjehet i lumtur dhe krenar që ndihmon fëmijët e Maqedonisë së Veriut të kenë kushte cilësore për arsim. Në kuadër të GGP, që nga viti 1996, Japonia ka mbështetur gjithsej 175 projekte në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mjedisit. Mbështetja aktuale japoneze arrin vlerë të përgjithshme prej mbi 8.7 milionë euro”, tha ambasadori Kazuya Otsuka.

Drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, Sihana Kaba Kasami theksoi se ky projekt do të mbahet mend gjatë si donacion i Japonisë i cili kap vlerën prej 77.188 eurove.

“Kontaktin e parë me ambasadën e Japonisë e kemi vënë nga nevoja imaediate e shkollës për ndërrimin e dyerve dhe dritareve, tashmë mjaft të konsumuara dhe jofunksionale, me ndërtimin e të cilave do të arrihet nxehje optimale në shkollë, kursimi i karburantit për nxehje si dhe do të bëhet izolimi akustik që depërton nga jashtë”, tha Kaba Kasami.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duke falënderuar Japoninë tha se ky grant është tregues i miqësisë dhe bashkëpunimit me Japoninë, e cila ka investuar disa herë për të përmirësuar kushtet në institucione.

“Kjo tregon qartë besimin e tyre ndaj nesh për të cilin jemi mirënjohës. Ky grant…do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e efikasitetit energjetik të shkollës dhe sigurinë më të madhe të nxënësve”, tha mes tjerash Kasami.

Shkolla “Kirili dhe Metodi” së bashku me shkollën periferike në fshatin Falisht përfshin gjithsej 1406, 63 arsimtarë, ndërsa numri total i të punësuarve është 77.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Grant Programi për Projekte të Vogla dhe Siguri Njerëzore (GGP) synon të ndihmojë zhvillimin socio-ekonomik të bashkësive lokale duke ofruar ndihmë financiare të pakthyeshme për spitalet, shkollat dhe organizatat tjera publike jofitimprurëse. GGP është program mbarë botëror që është pjesë e Ndihmës Zyrtare për Zhvillim të Japonisë (ODA).

Përmes programit GGP, Japonia ka financuar projekte për rinovimin dhe sigurim të pajisjeve në më shumë se 74 shkolla dhe kopshte, 66 objekte shëndetësore dhe ka ofruar 35 automjete të specializuara për menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimeve komunale për 51 komuna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button