Gjykata nuk dha urdhër për shoqërim policor të të akuzuarit Jakimovski, u shty nisja e procesit gjyqësor për lëndën “Target-Fortesa”

Fillimi i procesit të ri gjysëqor për rastin “Target-Fortesa” u shty për shkak se i akuzuari Toni Jakimovski nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Ai është dashur të merret nga Ohri, ku po vuan masën e arrestit shtëpiak. Mirëpo, edhe pas një ore pritje për paraqitjen e të akuzuarve, kjo nuk ndodhi, transmeton Portalb.mk.

Gjyqtari Ilija Tërpkov, i cili është caktuar të udhëheqë procesin e ri, pasi konstatoi praninë e të akuzuarve të tjerë, përfshirë ish-shefin e DSK-së, Sasho Mijalkov dhe ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, dhanë pauzë prej pesë minutash të konsultohet se çfarë po ndodh me sjelljen e Jakimovskit nga Ohri.

Pas pauzës, ai njoftoi se ishte bërë një gabim nga Gjykata. Gjegjësisht, siç tha ai, dhe sipas konsultimeve shtesë të gazetarëve me shërbimin për marrëdhënie me publikun të Gjykatës Themelore Penale Shkup, Gjykata i ka dërguar ftesë Jakimovskit që sot të paraqitet në Gjykatë, por nuk i ka dërguar urdhër stacionit policor për shoqërimin e të akuzuarit.

Pas kësaj, gjyqtari Tërpkov konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës kryesore dhe njoftoi se gjykimi do të fillojë nesër, kur përveç fjalëve hyrëse, shpalli edhe dy dëshmitarë – “sinjalizues” Zvonko Kostovski dhe Gjorgi Lazarevski.

Mbrojtja e disa të akuzuarve, nga ana tjetër, ka kërkuar që fillimisht të paraqiten provat materiale, e më pas të merren në pyetje dëshmitarët.

Kërkesës së mbrojtjes, gjyqtari iu përgjigj se do t’i lejohej të paraqesë provat gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Gjykimi për rastin “Target-Fortesa”, nisi nga fillimi pasi Gjykata e Apelit në Shkup më 16 dhjetor të vitit të kaluar njoftoi se po e anulon aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov, u dënua me 12 vjet burg.

Vendimi i Apelit shkaktoi reagime të ashpra në opinion, ndaj dhe gjykata e shkallës së dytë në disa raste ka lëshuar deklarata me shkrim në lidhje me vendimin që ka marrë.

Lënda në procedurë të përsëritur do ta gjykojë gjyqtari Tërpkov, pasi Vladimir Tufegxhiq, i cili në procedurën paraprake e kishte marrë aktgjykimin për këtë rast, u largua nga Gjykata Penale.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Shkup e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë për lëndën “Thesari”, e më pas në dhjetor për “Target-Fortesa”, dhe lëndët i ktheu në rigjykim.

Gjykata Themelore Penale Shkup më 26 shkurt  të vitit 2021 për rastin “Target-Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e pajisjeve nga DSK-ja, ka shqiptuar dënim me burg prej 55 vjet dhe 10 vjet me kusht, gjegjësisht gjithsej 65 vjet për 11 persona.

Gjykata e ka dënuar ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov, me 12 vjet burg për veprën penale “bashkim kriminal”, “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Procesi gjyqësor  ka nisur më 22 dhjetor  të vitit 2017 ndaj 11 personave. Gjatë procedurës janë mbajtur 53 seanca, në të cilat janë dëgjuar 123 dëshmitarë, janë paraqitur 887 prova materiale dhe pesë ekspertiza. Një pjesë e madhe e mbi 200 personave të dëmtuar u dëgjuan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button