Britania dhe BE-ja do të zhvillojnë bisedimet finale për marrëvshjen pas Brexitit

Kryeministri britanik, Rishi Sunak dhe shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të zhvillojnë “bisedime finale” për një marrëveshje të re – pas Brexitit – për Irlandën Veriore, transmeton REL.

Ata do të takohen në mesditën e së hënës për të diskutuar “sfida komplekse”, kanë thënë zyrtarë të zyrës së Sunakut.

Mbretëria e Bashkuar dëshiron të ndryshojë marrëveshjen aktuale – e cila parasheh kontrollimin e disa mallrave kur ato hyjnë në Irlandën Veriore nga pjesë tjera të Britanisë së Madhe.

Një marrëveshje e re është duke u pritur tash e disa ditë.

Zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab, ka thënë më herët se Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian janë shumë afër marrëveshjes dhe që blloku evropian i ka tejkaluar disa çështje.

Zyrtarët britanikë kanë thënë se deri më tani janë zhvilluar “qindra orë bisedime” dhe se është arritur “përparim konstruktiv”.

Marrëveshja e ashtuquajtur, Protokolli i Irlandës Veriore, është nënshkruar nën udhëheqësinë e ish-kryeministrit britanik, Boris Johnson, teksa Mbretëria e Bashkuar është larguar nga Bashkimi Evropian.

Sipas marrëveshjes, Irlanda Veriore ka vazhduar të ndjekë disa ligje të BE-së, ashtu që mallrat të mund të transportohen lirshëm në kufirin e Republikës së Irlandës, pa kontrolle.

Mirëpo mallrat që nisen nga Anglia, Skocia dhe Uellsi kontrollohen kur të arrijnë në portet e Irlandës Veriore.

Kritikët besojnë se një marrëveshje e tillë zvogëlon pozicionin shtetëror brenda Mbretërisë së Bashkuar, si dhe aftësinë për të kryer tregti.

Britania është larguar nga Bashkimi Evropian më 31 janar të vitit 2020, pas një referendumi kundër anëtarësisë në këtë bllok.

Ajo ka qenë pjesë e bllokut evropian prej 1 janarit të vitit 1973.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button