Porositë vijnë, njerëzit ikin, gabimet mbesin

1. “Rrjedha jugore” si dështim i dyfishtë. Kur nëgusht të vitit të kaluar u publikua kontrata shtetërore ne Rusinë për “Rrjedhën jugore”, marrëveshja që e parashihte vetëm hartimin e analizës së realizueshmërisë u prezantua si punë e kryer. Megjithatë, në rast jetësimi, parashihej që gazsjellësit t’i jepet përparësi kundrejt obligimeve eventuale të imponuara nga Bashkimi Evropian.

Plani dështoi. Gazsjellësi rus nuk do t’i afrohet Ballkanit, të paktën jo tani. Për Maqedoninë si shtet, ky nuk është lajm i keq vetëm në aspektin energjetik, por edhe dëshmi për orientimin e gabuar politik. Me këso luhatje, ata që presin mbështetje perëndimore për anëtarësim në NATO mund të jenë ose injorantë për botën në të cilën jetojmë, ose manipulues të shkathtë me atë që përshkruhet si partner.

Bullgaria, vend anëtar i NATO-së dhe BE-së është ballafaquar me presion të vazhdueshëm nga Komisioni Evropian, pikërisht për shkak se marrëveshjet e nënshkruara me Gazpromin janë në kundërshtim me rregullat dhe strategjitë e BE-së. Si ndëshkim ndaj personave të lidhur me ndërhyrjen ruse në Ukrainë, drejtori i kompanisë gjendet në listën e personave nën sanksionet amerikane.

Është herët që “Rrjedha jugore” të shpallet projekt i vdekur. Por, ajo që është e sigurt, është që Maqedonia u rreshtua në anën e gabueshme që në fillim. Anulimi i pjesëmarrjes bullgare menjëherë pas vizitës së tre senatorëve amerikanë – me përbërje të përzier partiake, që i jep peshë qëndrimit strategjik – dëshmon edhe një herë se ky projekt i kundërshton interesat amerikanë.

Pavarësisht zhvillimeve përtej kufirit, Maqedonia ende nuk është prononcuar zyrtarisht, anash  deklaratave të mëhershme me të cilat Shkupi zyrtar e inkurajonte Brukselin që të gjejë zgjidhje me Moskën për çështjen e gazit. Shtetet e vogla asnjëherë nuk mund ta paragjykojnë rezultatin e lojërave të të fuqishmëve, por ajo që mund ta bëjnë, është ta shoqërojnë orientimin politik me veprime konkrete, veçanërisht në momentet kaq thyese. Brukseli dhe Uashingtoni i japin mbështetje të fuqishme Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), që edhe pse kalon dhjetëra kilometra në jug të territorit të Maqedonisë, Shkupi asnjëherë nuk ka shprehur interesim serioz për pjesëmarrje.

Me tërheqjen e Bullgarisë dhe Rumaninë e pozicionuar pro-NATO, Maqedonia mbetet pa gazin rus, por me një njollë të fortë për qëndrimin e gabuar lidhur me çështjen kyçe gjeostrategjike. Kuptohet, këtu edhe shqiptarët e kanë hisen e tyre. Në lojën e shahut rajonal dhe global, veprimet në terren vlerësohen më shumë se poezitë ku dielli lind në perëndim.

2. Njerëzit ikin, gabimet jetojnë. Në një shtet që nuk e di sa banorë ka, kriza mund të gjykohet lehtë nëse shihet numri i personelit mjekësor që largohet nga vendi. Sipas raportimeve, gjatë gjysmës së parë të vitit 2013, leje largimi kanë kërkuar 107 mjekë, ndërkohë që në vitin 2012 janë dhënë 140 leje të këtilla. Vlerësohet që Maqedonia ka rreth 7,000 mjekë dhe sipas një hulumtimi nga Healthgrouper, 60% e studentëve të vitit të parë të mjekësisë dëshirojnë të largohen pas diplomimit.

Ikja e mjekëve e paralajmëron gjendjen e shtetit pas dhjetë viteve. Ata që largohen nuk mund të fajësohen, meqë kërkojnë një jetë normale për fëmijët e tyre, ku do të jetojnë si njerëz me dinjitet.

Për të gjithë tjerët, mbetet të shihet se kur do të kenë takat institucionet për numërimin e njerëzve, detyrë kjo e zakonshme për shtetet normale. Pas dështimit të regjistrimit që përfundoi me akuza për falsifikim dhe planeve të fundit për novitetin e numërimit kompjuterik, ideja e fundit dhe po aq e  dëmshme vjen nga disa aktorë joqeveritarë, ku për regjistrim të suksesshëm propozohet një pakt partiak që do ta garantojë mos-heqjen dhe mos-rritjen e të drejtave të shqiptarëve në ardhmëri.

Pikërisht këtu qëndron problemi thelbësor i Maqedonisë. Regjistrimi mungon si pasojë e mos-ekzistimit të institucioneve të fuqishme të cilat mund të funksionojnë jashtë kontrollit partiak. Po të kishin qenë institucionet si duhet, do të realizoheshin drejtë edhe ato të drejta që tashmë i garantohen shqiptarëve sipas përqindjes. Për më tepër, nevojitet një pasqyrë reale dhe e besueshme sa njerëz ka, jo një tregti tjetër politike. Duke u lodhur me përqindjet etnike, nuk shihet problemi i vërtetë i tkurrjes së numrave. Kur të vjen dita që të kuptohet kjo, mjekët do të mungojnë njëjtë për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button