Ngritja e rendit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor 

Një vit pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Evropa dhe bota nuk është e njëjta. Në Ballkanin Perëndimor pas sulmit rus, çështjet nuk kanë ecur lehtë. Një plan euro-amerikan i quajtur si “Plani franko-gjerman”, që synon të mbyllë mosmarrëveshjet serbo-kosovare, njëkohësisht ka për qëllim të bllokojë aktivitetin rus në rajon dhe ngrit një rend të ri të sigurisë. Megjithatë, i gjithë ky proces i Perëndimit si në Ukrainë dhe Ballkan ka të bëjë me aktorët politik dhe ushtarak vendor. Se a do të kemi ulje të ndikimi rus kjo do të varret nga Serbia, serbët e Bosnjës dhe pjesa tjetër e popullsisë që vazhdon të mbajë në zemër Rusinë.

Duhet pranuar se lufta e ka bërë të veten, banorët e rajonit ende vazhdojnë të jetojnë të shqetësuar se çka do të sjellë e nesërmja. Kremlini për të nxitur tensionet nga të gjitha anët ka pasur përpjekje për të hapur një “betejë të dytë” ku konkretisht është munduar ta bëjë në Bosnjë, Mal të Zi dhe në Kosovën veriore për të mbajtur të nxehta konfliktet e hapura etno-fetare. Grupe paraushtarake ruso –serbe kanë vizituar rajonin muajve të fundit. Pikat e kalimit kufitarë në mes Serbisë dhe Kosovës kanë qenë vend ndodhjet e inteligjentëve rusë dhe serbë për të ndezur një konflikt të ri. Deri më tash, gjendja është mbajtur nën kontoll nga pala kosovare, boshnjake dhe komuniteti i jashtëm perëndimor, por kjo nuk është një garanci e fuqishme dhe afatgjate nëse vazhdohet me të njëjtat politika të stabilokracisë.

Nëse nuk do të ketë zgjidhje të mosmarrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë, situata do të mbetet e njëjta ose më keq. Nëse banorët serbë bashkë me politikanët e tyre nuk do ta konsiderojnë Bosnjën si të veten, atëherë projekti i Federatës së Bosnjë -Hercegovinës do të vazhdojë të vihet në pikëpyetje dhe deri në shpërbërje. Ndryshe Ballkani Perëndimor me rreth 18 milionë banorë, dhe me një GDP që i afrohet 100 miliardë eurove, njihet si një arenë e rivalitetit strategjik, të BE-së, SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Në kuadër të rivalitetit, Moska me vite ka shpërndarë propagandë në Ballkan, dhe aq sa ka mundësi vazhdon ta bëjë të njëtën duke e përdorur si platformë Serbinë e cila për dy dekada ka lejuar të shfrytëzohet nga Moska.

Ka disa shenja që Beogradi ngadalë po tërhiqet nga Rusia. Janë botuar disa lajme se mund t’iu bashkangjitet sanksioneve ndërkomëbëtare. Loja e serbe këtu është e dyfishtë, andaj shumë analistë këtë politikë të jashtme serbe e shohin me dyshim. Lufta në Ukrainë dhe paqartësitë e integrimit të Ballkanit në BE, e kanë definuar kohë zgjatjen e proceseve dhe befasisht edhe si do të duket e ardhmja. Nga ana tjetër, një armatosje tepër e madhe është bërë në Evropën Lindore, pra në Ukrainë, Poloni dhe në shtetet për rreth Rusisë. Këtu mund të veçohen Polonia dhe Ukraina. Sipas raportimeve të shtypit polak, porositë ushtarake të qeverisë në Varshavë shkojnë shumë lartë, deri në 100 miliardë dollarë duke përfshirë tanke moderne, himars, raketahedhës, raketa  me 500 km gjatësi veprimi, helikopterë, avionë, patriot sisteme raketore, satelitë etj etj. Ndërkaq, në Ballkan Serbia ka bërë po ashtu një armatosje të madhe gjatë dekadës së fundit, me armë dhe teknologji të fundit kineze.

Depërtimi i teknologjisë kineze ka qenë një ndër shqetësimet e Uashingtonit në Serbi dhe më tej të angazhimit diplomatik amerikan për të tërhequr nga sfera kineze dhe ruse qeverinë e Beogradit. Me luftën në Ukrainë, është krijuar një raport i ri, ku Beogradit i jepet një rëndësi strategjike duke e vendosur në “Konceptin e strategjisë së thellë amerikane”,- me një avantazh ndaj popujve tjerë të Ballkanit. Ajo që është zhvilluar brenda një viti që kur shpërtheu lufta ruso-ukrainase, është se në pjesën lindore dhe në atë jugore të Evropës, kemi një kthim të aleancave që kanë një ngjajshmëri me atë të shek. 16-18-të, me një Poloni të fuqishme e cila është e gatshme për të kundërshtuar politikat ruse. Kurse në Ballkan, kemi SHBA-të bashkë me BE-në dhe Turqinë që po mundohen përfundimisht të ndërtojnë një bllok shtetesh pro Perëndimit dhe Ankarasë. Sa duhet të presim për këtë rend të ri? Ky rregull i ri do të marrë formë atëherë kur të përfundojë lufta në Ukrainë, nëse do të kemi marrëveshje serbo-kosovare këtë vit dhe tjetra është lidhur me Bosnjën. Pasi disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s por jo edhe të BE-së, ky vakum gjeopolitik e bën rajonin edhe më shumë të ndjeshëm dhe shërben si hapësirë për veprime të shteteve të treta të interesuara për turbulenca.

Sidoqoftë, dekada aktuale do të jetë vendimtare për sigurinë dhe përparimin demokratik, me mundësi të larta të rënies ekonmike, rritjes së fragjilitetit politik, etnik dhe ndërfetar në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button