RMV, më shumë se gjysma e komunave shkelën Ligjin për drejtësinë e fëmijëve, nuk kanë themeluar këshilla komunal për parandalim të delikuencës te fëmijët

Në Maqedoninë e Veriut edhe pse sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve, komunat detyrohen të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, në praktikë kjo çalon, nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kanë themeluar të njëjtin. Për këtë shkelje, sipas institucioneve të mëposhtme deri më tani nuk është dënuar asnjë komunë. Autoritetet në vend nuk bëjnë mjaftueshëm në drejtim të parandalimit të delikuencës së fëmijëve, konstatojnë ekspertët. Portalb.mk hulumtoi këtë dukuri në rajonin e Pollogut, statistika të frikshme, ndërsa institucionet bartin përgjegjësinë te njëra-tjetra.

Delikuenca te fëmijët e cila nënkupton sjellje negative por në vetvete ngërthen edhe veprat penale, për të parandaluar të njëjtën, në vend sipas Ligjit të drejtësisë për fëmijët, komunat janë të detyruara të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e kësaj dukurie.

Konkretisht, Neni 158, paragrafi 1 i këtij ligji thotë se “Kryetarët e komunave, kryetarët e komunave në qytetin e Shkupit dhe kryetari i qytetit të Shkupit u propozojnë këshillave të komunës, këshillave të komunave në qytetin e Shkupit dhe këshillit të Qytetit të Shkupit të emërojë Këshillin për parandalimin e delikuencës së fëmijëve”.

Nëse kjo nuk bëhet, sipas Nenit 160 parashihen gjoba për kryetarët e komunave, konkretisht neni thotë: “Me gjobë në shumë prej 300 deri 500 euro në denarë do t’i shqiptohet kryetarit të komunës, kryetarëve të komunave në qytetin e Shkupit dhe kryetarit të qytetit të Shkupit të cilët nuk do ta përmbushin obligimin nga neni 158 paragrafi (1) i këtij ligji.”

Megjithatë kjo në praktikë lë shumë për të dëshiruar. Nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kanë themeluar këto këshilla.

Ilustrim në Canva: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Institucionet luajnë ping-pong me zbatueshmërinë e këtij obligimi ligjor

Ministria e Drejtësisë për Portalb thekson se nuk disponon dhe nuk mban evidencë për këshillat komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve.

“Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve monitoron formimin e këtyre këshillave”, thonë nga Ministria e Drejtësisë duke theksuar disa aktivitete që ka ndërmarrë Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuecës së Fëmijëve në vitin 2019 dhe 2020.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve njofton për Portalb se vetëm 33 komuna kanë themeluar këtë këshill komunal, edhe atë: Gazi Baba, Karposhi, Butel, Aerodrom, Kisella Voda, Petrovec, Resnja, Moglina, Manastiri, Prilepi, Tetova, Struga, Pllasnica, Berova, Novacë, Vevçani, Qendër Zhupë, Proposhtip, Zrnovc, Mavrova dhe Rostusha, Çeshinovë dhe Obleshevë, Sveti Nikole, Koçan, Kriva Pallanka, Veles, Kumanovë, Strumicë, Vrapçisht, Kavadar, Makedonska Kamenica, Krivogashtan, Bogdanc si dhe Makedonski Brod.

Megjithatë, nga ky institucion thanë se nuk janë në dijeni nëse ndonjë komunë është gjobitur për mos themelimin e këtij këshilli.

“Për informim të saktë mund të kontaktoni Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, ose më mirë inspektoratin e tyre, i cili sipas ligjit duhet të zbatojë dispozitat ligjore”, thanë nga Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e pyetur për zbatimin e kësaj dispozite ligjore thotë se Ligji për Drejtësinë për Fëmijët është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, e cila është përgjegjëse edhe për monitorimin e zbatimit të tij.

“Kjo çështje nuk është në kompetencë të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe për këto arsye Ministria nuk ka informacion rreth zbatimit të ligjit dhe konkretisht nëse janë shqiptuar dënime për moszbatimin e tij”, thanë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Ndërkaq, nga Inspektorati Shtetëror i Vetëqeverisjes Lokale për Portalb thonë se deri më tani nuk kanë pranuar iniciativë ose parashtresë në lidhje me formimin e këshillave komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve.

“Ligji për Inspektoratin për vetëqeverisjen lokale, nuk ka parashikuar masën ndëshkuese, deri në tani nuk kemi dhënë masa ndëshkuese për kryetarët e këshillave dhe për kryetarët e komunave në lidhje me këtë problematikë”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Vetëqeverisjes Lokale.

Foto: Inspektorati Shtetëror i Pushtetit Lokal

Situatë Alarmante në Pollog

Portalb hulumtoi delikuencën e fëmijëve dhe zbatimin e kësaj dispozite ligjore në veçanti rajonin e Pollogut, i cili ngërthen nëntë komuna.

Vitin e kaluar (2022) në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë janë evidentuar 70 vepra penale në të cilat në mënyrë direkte apo indirekte janë përfshirë 89 të mitur dhe shumica e tyre janë zbardhur plotësisht dhe plotësuar me 62 parashtresa, përkatësisht kallëzime penale.

Zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi për Portalb theksoi se shumica e veprave penale kanë të bëjnë me vjedhje dhe vjedhje të rënda, në të cilat të miturit kanë marrë pjesë drejtpërdrejt ose si ndihmës të personave më të moshuar, veçanërisht gjatë hyrjes me forcë në ndërtesa.

“Vitin e kaluar është regjistruar përfshirja e të miturve në “prodhim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, “dhunë”, “rrezikim të sigurisë në komunikacion” dhe vepra të tjera penale”, tha Rexhepi.

Sipas tij, karakteristikë për vitin e kaluar në rajonin e gjerë Tetovë-Gostivar është se në mesin e autorëve më të shumtë ishin të ashtuquajturit përsëritës të veprave, të cilët më parë kishin kryer vepra të njëjta apo tjera të ndryshme. Ai gjithashtu theksoi se vitin e kaluar ky sektor ka realizuar aktivitete parandaluese-edukative.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sa komuna të Pollogut kanë themeluar Këshillin Komunal për Parandalim të Delikuencës së Fëmijëve?

Jo të gjithë komunat e Pollogut kanë themeluar këshill komunal për parandalimin e delikuencës së të miturve.

Komuna e Tetovës, si më e madhja në këtë rajon muajin e kaluar, në seancën e këshillit komunal të mbajtur me 30 janar miratoi vendimin për themelimin e Këshillit komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në këtë komunë, i njëjti pritet së shpejti të fillojë me punë.

Komuna e Gostivarit për Portalb njoftoi se nuk kanë themeluar një këshill të tillë. Ndërkaq të pyetur se a do e themelojnë të njëjtën, nuk u përgjigjën.

As Komuna e Tearcës nuk ka të themeluar këtë këshill, por pas pyetjeve të Portalbit nga atje thanë se do e bëjnë të njëjtën.

“Së shpejti do ta fillojmë procedurën për formimin e këtij këshilli. Deri në seancën e ardhshme te këshillit do të jetë gati propozimi për formimin e këtij këshilli”, thanë nga Komuna e Tearcës.

Komuna e Bogovinës, pavarësisht se nuk figuron në listën e Këshillit Shtetëror për Parandalim të Delikuencës së Fëmijëve se ka të formuar këshillin në fjalë, kjo Komunë e ka të themeluar të njëjtin, madje vendimin për themelimin e të njëjtit na e dorëzuan si dokument, ku thuhet se ky këshill është themeluar në vitin 2019.

“Në lidhje me shkresën tuaj për formimin e Këshillit Komunal për parandalimin e delikuencës te fëmijët, ju informoj se një këshill të këtillë e kemi të formuar, por në seancën e muajit mars duhet të rikonfirmohen mandatet e anëtarëve”, tha Ilir Elezi, kryetar i Këshillit Komunal të Bogovinës.

Njëjtë, edhe Komuna e Zhelinës nuk figuron në listën e Këshillit Shtetëror, por nga kjo komunë njoftuan se kanë të themeluar këtë këshill që nga viti 2019, duke bashkëngjitur vendimin për të njëjtin.

Kryetarët e komunave të Pollogut, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Situata qëndron pak më ndryshe në Komunën e Bërvenicës. Nga kjo Komunë për Portalb njoftuan se kanë të themeluar Këshill Lokal për Parandalim i cili funksionon me qëllim të zbulimit të krimeve dhe kundravajtjeve për siguri publike dhe ku janë përfshirë aktorë të ndryshëm, ku thonë se ky këshill mbulon të gjitha problemet.

“Sipas ligjit, ne besojmë se ligji për drejtësinë për fëmijët nuk na detyron, por u jep mundësi këshillave të komunave të emërojnë, dhe nëse është e nevojshme, sigurisht që në të ardhmen do të formojmë edhe Këshillin Komunal për Parandalimin e delikuencës së të miturve”, thanë nga Komuna e Bërvenicës.

Komuna e Vrapçishtit njoftoi për Portalb se kanë themeluar këtë këshill, kjo komunë figuron edhe te lista e Këshillit Shtetëror se ka këshill të tillë.

Njëjtë edhe Komuna Mavrovë Rostushë, kryetarja e këshillit komunal, Teuta Mirto njoftoi për Portalb se e kanë të themeluar këtë këshill që nga viti 2018.

Komuna e Jegunocit edhe pse nuk figuron në listën e komunave që kanë themeluar këtë këshill, nga atje nuk u përgjigjën ndaj pyetjeve gazetareske se pse nuk e kanë themeluar të njëjtin dhe nëse do e themelojnë.

Ekspertët: Institucionet nuk bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri negative

Profesoresha universitare e së Drejtës Penale, Blerta Ahmedi, e cila edhe propozoi që ky këshill të themelohet në Komunën e Tetovës ku nisma e saj u pranua, thotë se shumë pak komuna në vend kanë përmbushur detyrimin ligjor për themelimin e këshillave komunal për parandalim të delikuencës fëmijërore.

“Në përgjithësi në shumicën e komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e posaçërisht në ato të rajonin e Pollogut institucionet nuk i trajtojnë seriozisht këto çështje, edhe pse bëhet fjalë për një problematikë mjaftë serioze në të cilën janë të përfshirë kategori e personave të një grup-moshe delikate, respektivisht persona jomadhorë, të cilët sipas legjislacionit pozitiv të vendit emërtohen me termin “fëmijë””, tha Ahmedi e cila shton se delikuenca te fëmijët viteve të fundit shënon vëllim dhe dinamikë rritëse në vend.

Blerta Ahmedi, foto: Komuna e Tetovës

Sociologu dhe profesori universitar Ali Pajaziti thotë se dhuna fëminore, si një kategori negative, nënkupton sjellje me të cilën thyhen normat juridike dhe morale të një shoqërie, dhe që shkakton reaksion social, është rrjedhim i faktorëve individualë, familjarë, të grupmoshës, mjedisorë, medialë etj.

“Për fat të keq, institucionet tona, nga ato qendrore deri te ato vendore bëjnë shumë pak për parandalimin e këtij fenomeni tepër të ndjeshëm për familjen dhe shoqërinë në përgjithësi, gjegjësisht për shëndetin kolektiv. Ndonëse ka strategji kombëtare (2020-2025) për prevenim të fëmijëve nga dhuna, ku do të duhej vepronin familjet, shkolla, bashkësitë, mediat, ligjvënia, OJF-të, faktet flasin se nëpër shkolla dhe në ambiente të tjera, ka raste të violencës fëmijërore, të rahjeve, përgjakjeve, të vjedhjeve, thyerjeve apo dëmtimit të inventarit, të bullizmit, madje edhe të krimit kibernetik”, theksoi Pajaziti.

Sipas tij, për të minimizuar këtë dukuri duhet mobilizim masovik, prindërim më aktiv, fushata të ndryshme, më pak dhunë mediatike, lëndë të etikës nëpër shkolla me doemos, më vizibile, si dhe se dyshja prind-mësimdhënës në këtë drejtim është determinante.

Ali Pajaziti, foto: Emir Hamzai
Ali Pajaziti, foto: Emir Hamzai

Profesoresha Ahmedi thekson se ngecja në këtë drejtim, sipas raporteve vjetore të Këshillit shtetëror për parandalim të delikuencës së fëmijëve, qëndron te arsyetimi i komunave për mungesën e mjeteve financiare, si dhe gjoba simbolike për mos përmbushjen e këtij obligimi është shkak që ky obligim nuk respektohet.

“Gjithashtu duhet trajtuar dhe fakti i dytë më shqetësues i cili ka të bëjë gjendjen reale e cila ndërlidhet me themelimin formal të këshillave nga ana e disa komunave por rezulton me konstatim të jofunsionalitetit dhe joproduktivitetit të tyre”, theksoi Ahmedi.

Ajo përfundon se formimi, dhe mbi të gjitha funksionimi i Këshillave Komunal për parandalimin e delikuencës te fëmijët do ndikonte dukshëm në uljen e kriminalitetit të fëmijëve në vend dhe politika parandaluese do të tregonte rezultate pozitive drejtë kësaj dukurie. Megjithatë, këtu duhet të përfshihen edhe institucione të tjera për një funksionim më të mirë gjithëpërfshirës.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut si organe më kompetente për parandalimin e delikuencës së fëmijëve parashihen Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve si dhe Këshillat Komunal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button