Arsenali insiston për Xhakën

Mesfushori Granit Xhaka pritet të mbetet pjesë e Arsenalit edhe për një periudhë më të gjatë. Mediumet britanike kanë raportuar të enjten se Xhaka tashmë ka nisur negociatat me Arsenalin për kontratën e re. Mësohet se është kërkesë e trajnerit Mikel Arteta për ta mbajtur Xhakën më gjatë në skuadër, raporton Koha.net.

Aktualisht, Xhaka ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2024, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Ndërkohë, me kontratën e re, ai do të mbetej në klub deri në verën e vitit 2026. Bëhet e ditur se negociatat po shkojnë mirë mes palëve dhe marrëveshja pritet të mbyllet para përfundimit të sezonit aktual. Po ashtu, edhe Xhaka është tejet i interesuar për ta vazhduar me gjatë bashkëpunimin me ekipin nga Londra, tek i cili po e mendon edhe pensionimin.

“Xhaka e ka rikthyer tërësisht në mënyrë pozitive karrierën e tij te Arsenali sezonin e fundit, ndonëse më herët ishte afër largimit për shkak të përplasjes me tifozët. Ai tashmë është shndërruar në idhull të tifozëve dhe njëri prej lojtarëve kryesorë të Mikel Artetas”, ka shkruar “90min”. “Palët tashmë kanë nisur negociatat, të cilat pritet të mbyllen me sukses brenda një periudhe të shkurtër. Po ashtu, edhe Xhaka është i interesuar për ta zgjatur qëndrimin e tij te Arsenali, falë Artetas që e ka shndërruar në njërin prej mesfushorëve më të mirë në Premier League”.

Mesfushori 30-vjeçar po e luan sezonin e tij më të mirë me fanellën e Arsenalit. Në 31 paraqitje në të gjitha garat, ai ka shënuar katër gola dhe ka bërë pesë asistime. Ndërkohë, Arsenali po lufton për titullin e kampionit, trofe që nuk e ka fituar prej vitit 2004. Aktualisht, Arsenali është lider në tabelë me 54 pikë, dy më shumë se Manchester City, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Trajneri Arteta ka kërkuar nga klubi për ta mbajtur Xhakën edhe për disa vjet, i cili së shpejti pritet ta regjistrojë paraqitjen e 300 me Arsenalin në të gjitha garat. Të dyja palët po shpresojnë që negociatat të mbyllen me sukses para përfundimit të sezonit aktual, pasi bisedat e para ishin shumë pozitive”, ka vazhduar sajti anglez.

Xhaka është pjesë e Arsenalit prej verës së vitit 2016 dhe deri më tani ka regjistruar 281 paraqitje në të gjitha garat, ku ka kontribuar me 18 gola dhe 27 asistime. Ai iu bashkua Arsenalit nga Borussia Moenchengladbachut, ndërsa ekipi nga Londra për kartonin e tij pagoi 45 milionë euro. Në një intervistë më herët, Xhaka ka pranuar se po të mos ishte trajneri Arteta, ai do të largohej nga Arsenali. Së fundmi, interesim të madh për Xhakën patën treguar Roma dhe Hertha e Berlinit, por drejtuesit e Arsenalit refuzuan ofertat për mesfushorin shqiptar. Xhaka pritet të jetë titullar në ndeshjen kampionale që Arsenali e luan të shtunën në udhëtim te skuadra e Leicester Cityt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button