Mbledhja e OSBE-së nis me protesta dhe bojkot për shkak të pjesëmarrjes së Rusisë

Në Vjenë ka nisur takimi dyditor i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Kjo mbledhje është përcjellë me kritika të mëdha për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe me bojkot të delegacionit të Ukrainës në prag të përvjetorit të parë të pushtimit të nisur nga Moska, raporton REL.

Austria u ka dhënë viza disa delegatëve rusë për të marrë pjesë në takimin që nisi më 23 shkurt, pavarësisht thirrjeve të disa shteteve që të dërguarve të Moskës t’iu ndalohet pjesëmarrja. Ky vendim i Vjenës është përballur me kritika, përfshirë edhe nga ligjvënësit amerikanë.

Ukraina dhe Lituania po bojkotojnë takimet e OSBE-së, ku marrin pjesë përfaqësuesit e 52 shteteve pan-evropiane. Takimi në Vjenë nisi një ditë para përvjetorit të parë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, që është shndërruar në konfliktin më vdekjeprurës dhe shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kjo është hera e parë që anëtarët e Dumës shtetërore ruse po marrin pjesë në një ngjarje në Bashkimin Evropian në kapacitet zyrtar, pasi ata ishin sanksionuar për shkak të mbështetjes së luftës, por edhe përkrahjes së aneksimit të katër rajoneve ukrainase: Donjeck, Herson, Luhansk dhe Zaporizhja.

Delegatët rusë janë përballur me kritika të ashpra, teksa anëtari sllovak në OSBE publikoi një deklaratë në emër të delegacionit ukrainas, që ka bojkotuar mbledhjen në Vjenë.

“Ata [delegatët rusë] nuk janë këtu për një dialog të vërtetë e as për bashkëpunim. Ata janë këtu për të përhapur propagandë”, u tha në deklaratën e delegacionit ukrainas. “Ata janë këtu për të justifikuar krimet e luftës që kanë kryer dhe shkeljen e parimeve dhe ligjeve ndërkombëtare”, u theksua në deklaratë.

Presidentja e Asamblesë së OSBE-së, ligjvënësja suedeze Margareta Cederfelt, po ashtu ishte kritike, duke thënë se “disa prej parlamentarëve sot po ndihmojnë dhe nxisin krimin e agresionit”.

Cederfelt tha se ndien simpati për “faktin se disa anëtarë e kanë të pamundur të ulen në të njëjtën dhomë me agresorët”.

Megjithatë, ajo u bëri thirrje pjesëmarrësve që ta shfrytëzojnë këtë takim dyditor “si mundësinë tuaj për të qëndruar për Ukrainën dhe për të kundërshtuar gënjeshtrat e agresorëve”.

Vendimi i Austrisë për të lejuar delegacionin rus që të marrë pjesë në këtë mbledhje nxiti protesta, pavarësisht se ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, tha se është obligim diplomatik i shtetit të tij që të lejojë anëtarët e shteteve pjesëmarrëse që të marrin pjesë në mbledhje.

Dy takimet paraprake të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së – të mbajtura në korrik në Angli dhe në nëntorin e kaluar në Poloni – u mbajtën pa pjesëmarrjen e Moskës, pasi delegacioni rus nuk u pajis me vizë.

Steve Cohen, kongresist demokrat nga Tenesi dhe anëtar i SHBA-së në Komitetin e Helsinikit, i cili po merr pjesë në ngjarjen në Vjenë, tha për Radion Evropa e Lirë se Austria nuk është dashur që të lëshojë viza për delegacionin rus.

“Rusia ka shkelur çdo pjesë të arsyeve që kjo mbledhje po mbahet. Mendoj se kur një shtet shkon kaq larg, ndoshta ai nuk duhet të lejohet të marrë pjesë”.

Në një intervistë të ndarë dhënë për REL-in, Joe Willson, kongresist republikan, tha se lejimi që Rusia të marrë pjesë në mbledhjen e OSBE-së “dërgon mesazh të gabuar në botë”.

OSBE-ja është e përfshirë në shumë çështje, sikurse kontrolli i armëve, promovimi i të drejtave të njeriut, promovimi i lirisë së mediave dhe në monitorimin e zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button