“Në mbrojtje” të drejtave të fëmijëve dhe familjarëve të funksionarëve

Derisa Antikorrupsioni pohon me gojën plot se në bazë të paraqitjeve të qytetarëve për problemin e tyre gjatë punësimit, rrallë herë ka konkurrencë korrekte, funksionarët e shtetit mbrohen në opinion me farsën se “edhe fëmijët e tyre kanë të drejtë të punësohen”, pasi që djemtë, vajzat dhe familjarët e tyre u gjetën në listën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm.

Suad Bajrami
Shkruan: Suad Bajrami

Natyrisht, edhe familjarët, miqtë e bashkëpartiakët e funksionarëve kanë të drejtë, bile në shtetin tonë “më shumë” se të tjerët. Madje, kanë aq shumë të drejtë, saqë duke “u frikësuar” se mos ju cenohet e drejta, institucionet i bëjnë gati listat me emrat e të pranuarve për në punë, para se të shpallen konkurset dhe të tjerët konkurrojnë me shpresën se cilësia e tyre do të vlerësohet.

Larg qoftë, të ju shkelet mundi dhe sakrifica e juaj derisa keni arritur ditën për t’u punësuar. Mbase nuk ua dimë hallin edhe juve, ne të tjerët që me fukarallëk dhe meritokraci kemi “thyer” dyert e institucioneve të mbushura me persona që “kanë të drejtë”. E nëse ua marrin këtë të drejtë, tregoni ta ngrisim zërin për ju, pse jo dhe të protestojmë.

Se çfarë kuadrosh kemi nëpër institucionet tona, flasin rezultatet. Ku është shteti ynë? Me çfarë mund të mburremi si shtet? A ka shpresë për të rinjtë? Mbase përgjigja për personat “që kanë të drejtë” është pozitive, e për ne tjerët secili le të përgjigjet individualisht.

Vetëm një gjë është e vërtetë – Maqedonia e Veriut ka problem serioz me korrupsionin, i cili është më i theksuar pikërisht gjatë procedurës se “kush ka dhe kush s’ka” të drejtë” të punësohet.

Derisa familjarët e funksionarëve, nesër do të bëhen gjykatës dhe prokurorë dhe do të ndajnë drejtësinë, ne të tjerët ndoshta, pasi të punësohen militantët, mund të bëhemi administratorë apo “pomllad sorabotnik”.

Aq ka vend, pasi institucionet tona janë të mbushura me familjarë, miq e çka-jo tjetër të personave që duke shfrytëzuar pozitën kanë “rehatuar” individë pa kualifikime përkatëse.

Dhe rezultatin e kësaj po e paguajmë çdo ditë.

E shohim se si prokurorët e ndjekin krimin, e si gjyqtarët shpallin aktgjykime. Mos të shkojmë më larg, i dëgjuam të gjitha të pistat e prapaskenës politike, funksionarët me defter zgjedhin gjyqtarët – dhe këtu ka hapësirë për të pyetur se kush ka të drejtë?

Studentët më të dobët sot mësojnë fëmijët tanë, të cilët nesër do të garojnë me bashkëmoshatarët e tyre, prindërit e të cilëve janë ushqyer në kurriz të shtetit, sepse “kanë pasur të drejtë” më shumë se të tjerët.

A flet dikush edhe për ata mijëra të rinj që Gjermania dhe vendet evropiane i presin krahëhapur, ndërkaq ne “nuk ju japim të drejtë”, pasi që para tyre ka një listë tjetër që pavarësisht nivelit, duhet të punësohen.

Paramendojeni gjykatësit dhe prokurorët tanë t’i dërgojmë në Gjermani, a do t’u kishte dhënë “të drejtë” Gjermania? Mbase duhet të pyeten funksionarët që i arsyetojmë punësimet e familjarëve të tyre.

Nuk e përshkruan askush më mirë gjendjen në të cilën ndodhet shteti ynë, ashtu sikur vendet e rajonit, se sa profesori i nderuar Artan Fuga i cili para disa vitesh ka thënë: Si mund të mos jetë “helm” kafja që ma servir përditë në një kafene të Tiranës, ish studenti im që ka diplomuar për filozofi?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button