Meta-fakt: Në Vodno nuk është mbjellë asnjë pemë si kompensim për gazsjellësin

Në Vodno nuk janë mbjellë pemë të reja të mbjella si kompensim për ndërtimin e gazsjellësit ndërtimi i të cilit filloi në vitin 2018. Si përgjigje e reagimeve të shumta të qytetarëve dhe organizatave ekologjike për shkak të vendimit për kalimin e gazsjellësit drejt Gostivarit përmes park-pyllit, që rezultoi me prerjen e pemëve të shëndetshme të vjetra nga disa dekada, Qeveria në Planin e saj për Ajër të Pastër parashikoi kompensim me mbjelljen e dhjetë pemëve të reja për çdo pemë të prerë. Me qenë se deri më tani nuk është mbjellë asnjë pemë, mund të themi se ky premtim nuk është realizuar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Planin për ajër të pastër, që duhej të financohet dhe realizohet deri në vitin 2020, në pjesën për gjelbërimin urban thuhet se urgjentisht duhet të realizohet plani i gjelbërimit me mjetet nga kompensimi për ndërtimin e gazsjellësit në Vodno. Kjo masë është bërë e ditur në disa konferenca për mediat të Qeverisë dhe ministrive kompetente, si dhe në takime me qytetarë dhe organizata ekologjike.

Si rezultat i premtimit në verën e vitit 2018 Qeveria miratoi 700.000 euro për pyllëzim, të cilat me marrëveshje mes NER dhe Qytetit të Shkupit u transferuan në llogarinë e dedikuar të autoriteteve të qytetit. U formua edhe një grup pune me përfaqësues të ndërmarrjes publike “Parqe dhe Gjelbërim”, e cila menaxhon park-pyllin dhe ishte përgjegjëse për mbjelljen, dhe ekspertë të Fakultetit të Pylltarisë, të cilët hartuan edhe Planin e pyllëzimit. Mirëpo deri më tani në terren nuk ka ndonjë realizim të dukshëm të këtij Plani.

Drejtori i Noma-gas ose ish-kryetari i NER, Bajram Rexhepi, thotë se ata e kanë përmbushur pjesën e tyre të marrëveshjes, pra paratë i kanë kaluar në llogarinë e Qytetit të Shkupit.

“Menjëherë pas miratimit të vendimit të Qeverisë në vitin 2018, 700.000 euro, aq sa ishin ndarë si kompensim për ndërtimin e gazsjellësit nëpër gjelbërimin e Vodnos, iu transferuan Qytetit të Shkupit. Pastaj duhej të vijonte planifikimi dhe realizimi i pyllëzimit, që është përgjegjësi e pushtetit lokal, gjegjësisht e Parqe dhe Gjelbërim”, thotë Rexhepi dhe thekson se nuk ka informacione se deri ku është kjo procedurë, edhe pse autoritetet e qytetit kishin për detyrë që t’i informojnë.

Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrja e tyre publike “Parqe dhe Gjelbërim” nuk u përgjigjen në pyetjet e Meta.mk se çfarë po ndodh me pyllëzimin e premtuar të Vodnos si kompensim për gazsjellësin. Nga Qyteti i Shkupit nuk dhanë përgjigje as nëse është planifikuar ndonjë aktivitet i tillë në të ardhmen e afërt, e as në cilat pjesë të parkut-pyll është planifikuar ky aktivitet. Të njëjtat pyetje ia dërguam edhe ndërmarrjes publike “Parqe dhe Gjelbërim”, por as nga atje nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Aktivistët ekologjik, të cilët praktikisht luftuan që në Vodno të reduktohen aq sa munden dëmet e shkaktuara nga aktivitetet ndërtimore, janë të zhgënjyer nga qëndrimi i institucioneve. Tatjana Stojanovska nga “E dua Vodnon” thotë se presin një shqyrtim të detajuar publik të mënyrës së shpenzimit të mjeteve të cilat NER sipas marrëveshjes i ka transferuar në llogarinë e posaçme të Qytetit, e me çka Qyteti ka marrë obligime që duhet t’i përmbushë.

“Mendojmë se prezantimi publik është një hap kyç për transparencën e Qytetit, aq më tepër që këto fonde u ndanë përmes presionit të publikut dhe aktivizmit tonë qytetar dhe u siguruan përmes takimeve disamujore të gjata me NER dhe Qeverinë”, thotë Stojanovska.

Ekologët rikujtojnë se gjatë komunikimit të atëhershëm mes NER, Qytetit të Shkupit dhe Qeverisë, është rënë dakord që NER të marrë përsipër detyrimin që trasenë e gërmuar ta kthejë në gjendjen e saj fillestare. Edhe pse në atë pjesë pyllëzimi nuk është i mundur për shkak se rrënjët e pemëve do të përbënin rrezik për gazsjellësin, mbetet e hapur mundësia për mbjelljen e shkurreve ose për ndërtimin e një shtegu prej dheu ose rëre nga ana e NER.

Ata thonë se në zonën e mbrojtur të Vodnos tashmë kanë përfunduar aktivitetet e gazsjellësit, andaj presin që Qyteti i Shkupit të fillojë zbatimin e pjesës së tij të marrëveshjes me NER, për të cilën tashmë u janë derdhur mjete në llogarinë e veçantë.

“Për fat të keq nuk arritëm të dislokojmë gazsjellësin nga Vodno. Por, meqë nuk e fituam atë betejë, me marrëveshjen obligative të Qytetit me NER u sigurua një shumë që mundëson një nga projektet më të mëdha të pylltarisë dhe pyllëzimit në vend, për dekada pas. Jemi këmbëngulës dhe nuk do të dorëzohemi”, thotë Stojanovska.

Burime:

  • Plani për ajër të pastër i Qeverisë, 15.11.2018.
  • Shkrim i Radio Evropa e Lirë nga data 03.02.2022, me titull: “Pyll nuk ka, gas nuk ka, por po mbarohet gazsjellësi nëpër Vodno“
  • Publikim i Radio MOF nga data 01.07.2020, me titull: “Gazsjellësi dhe pyllëzimi në Vodno kanë ngecur, aktivistët e zemëruar për nivelin e mbrojtjes së park-pyllit“
  • Deklaratë e ish ministrit të transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski, për ТV “Кanal 5″ nga data 03.09.2018, në tekst me titull: “Sugarevski: Prerja e pyllit të Vodnos nga 3000 metër kub të planifikuar do të reduktohet në 1400 metër kub dru.“
  • Shkrim në SDK.mk nga data 22.08.2018, me titull: “Për pyllëzimin në Vodno do të investohen 700 mijë euro, as që do dallohet se aty kalon gazsjellësi, thonë nga Qeveria”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button