Labirinthi i plakjes së shoqërisë

Në mbarë botën e zhvilluar, njerëz profesionistë vazhdojnë të punojnë edhepse gjenden në moshë të thyer. Në SHBA 65% e amerikanëve të moshës 62-74 vjeçare që kanë diplomë profesionale janë akoma aktiv në profesionet e tyre, krahasuar me 32% të amerikanëve që kanë të kryer vetëm shkollën e mesme dhe që gjenden në marrëdhënie pune në atë moshë. Të ngjashme janë numrat në BE.

Inovacionet e shumta kanë rritur dallimet në të hyra dhe në mirëqenie jetësore mes profesionistëve dhe atyre që nuk janë të shkolluar. Tendencat e tilla nuk janë vetëm karakteristikë e shteteve të zhvilluara, por janë trend global që kap edhe Maqedoninë.

Bota sot po plaket. Në 20 vjetët e ardhshme popullsia globale mbi 65 vjecare do të rritet nga 600 milion sa është sot, praktikisht do të dyfishohet në 1.1 bilion. Përvojat e shekullit XX ku një rritje të përgjithshme në jetëgjatësi solli një rritje të numrit të pensionistëve dhe barrës që ato shkaktojnë në buxhetet e shteteve përkatëse. Shumë ekonomistë mendojnë që kjo do të sjellë në rritje të ngadalësuar ekonomike dhe stagnacion sekular, pikërisht shkaku i kësaj barre të madhe fiskale.

I vetmi shkaktar i kësaj gjendjeje janë politikat e gabuara ekonomike në këtë aspekt në mbarë botën. Shumë qeveri europiane kanë braktisur politikat me të cilat inkurajonin të vjetrit të pensionohen më herët. Kam shkruar për këtë temë në një nga shkrimet e mia të mëparshme prandaj nuk dua të kthehem sërish në të njejtën tematikë. Thelbi është që shkaku i këtyre politikave të gabuara, edhe pensionet të cilat ju paguhen të vjetërve sa vjen e po zvogëlohen. Prandaj moshatarët e mamit tim detyrohen të vazhdojnë me punë derisa të jenë në gjendje shëndetësore në mënyrë që të sigurojnë mbijetesën. Ndoshta tek ne akoma nuk vërehen shumë të tillë, por benefitet të cilat i gëzojnë pensionistët (transporti publik falas, kurimi dhe ilaçet gati falas, etj) shumë shpejt kam frikë se do veniten dhe do bëhen pjesë e historisë. Populizmi dhe votat janë një gjë, por funksionimi ekonomik dhe fiskal i vendit gjithmonë do të shihet si më prioritar. Prandaj kjo është një temë e cila na prek të gjithëve.

Situata aktuale globale tregon që për të patur një jetë dinjitoze në moshë të thyer të duhet të punosh. Por natyra e ndryshueshme e punës gjithashtu luan një rol të rëndësishëm. Pagat janë shumë të të larta për të shkolluarit sesa për ata që nuk janë të shkolluar. Ndryshimet teknologjike mund të përforcojnë këtë dallim: aftësitë që komplementohen me kompjuterizimin, nga ekspertiza menaxheriale deri te kreativiteti, nuk ulen me plakje.

Në një formë ky trend mund të jetë i dobishëm për ekonomitë. Rritja ekonomike si rezultat i njohurive të akumuluara të këtyre profesionistë të moshuar do të mund të pësonte një shtysë ekstra; nga ana tjetër të moshuarit aktivë do të vazhdonin të pagonin tatimet dhe barra mbi buxhetin do të ulej në mënyrë drastike. Mirëpo parë nga aspekti social, kjo situatë do të ishte e lodhshme për shoqërinë. Nga njëra anë lodhja dhe stresi nga puna në këtë moshë do të krijonte barrë shëndetësore mbi institucionin e shtetit; ndërkaq kufizimet e vendeve të punës të ofruara në treg dhe zënia e këtyre vendeve pune nga të moshuar do të krijonte një spazmë sociale mes moshave të ndryshme. Nuk është e lehtë të shohësh një të sapodiplomuar të rrijë në shtëpi derisa gjyshi i tij akoma punon. Shembuj të këtillë janë real në botën e sotme: në Spanjë dhe Greqi mbi 50% e të rinjve janë të papunësuar, ndërkaq përqindja e të moshuarve të papunësuar është dramatikisht më e ulët.

Në aspektin ekonomik, të moshuarit e pasuruar do të akumulonin më shumë kursime, duke zvogëluar kërkesën. Pabarazia do të rritej sepse një pjesë e mirë e pasurisë së përgjithshme do të transferohej nga gjenerata në gjeneratë nëpërmjet trashëgimisë, duke ulur motivimin për punë dhe rrjedhimisht edhe rritjen ekonomike dhe progresin shoqëror, teknologjik dhe arsimor.

Sa janë të gatshme qeveritë të ballafaqohen me këtë situatë në 20 vitet e ardhshme? Mjafton të hedhësh sytë në numrin e votuesve të moshës së thyer edhe përgjigja është e lehtë për t’u gjetur. Në parim vetëdijshmëria votuese demokratike është më e theksuar në këtë moshë. Mund të shihet si ndjenjë patriotizmi, mund të shihet si ndjenjë obligimi e fituar si rezultat i të kaluarës, apo sidoqoftë që shihet. Pjesa dërmuese e votuesve, përvec militantëve partiakë, janë të moshuar dhe pensionistë. Prandaj është e vështirë të mendohet që reformat e mundshme që i shpalosa më lartë mund të implementohen ndonjëherë në realitetin tonë shoqëror dhe politik.

Si gjithmonë, me ngathje të madhe të shkaktuar nga një aparatus I lodhur shtetëror, reformat ose do të vijnë shumë vonë ose do të vijnë të gabuara, duke futur shoqërinë në një rreth vicioz nga I cili vështirë të gjendet rrugëdalja.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button