Sindikata e Postës: S’kemi postierë dhe rrogat na vonohen, ndërkaq drejtori dëshiron të punësojë 31 administratorë

Sindikata e Postës së Maqedonisë sot ka kërkuar që të ndalohet konkursi për punësimin e 31 administratorëve, të cilin e ka shpallur drejtori Vasko Stefanov. Ata thonë se Posta gjendet në gjendje të mjerueshme, nuk ka paga të rregullta, nuk ka postierë, ndërkaq publikon shpallje për administratorë për të cilët nuk ka nevojë, njofton Portalb.mk.

“Drejtori i përgjithshëm ka publikuar shpalle për punësimin e 31 administratorëve për të cilët të gjithë mendojmë se janë të panevojshëm, pasi që ka mbipunësim në administratë. Nuk do të ishim kundër punësimeve të reja nëse bëhet fjalë për vende pune për të cilat seriozisht na nevojiten, si postierë, punëtorë sportelesh dhe operativ. Dita ditës përballemi me mungesë të punësuarve në këto vende. Për atë kërkojmë menjëherë të stopohet shpallja”, tha Boro Veligdenov, kryetar i Sindikatës së Postës së Maqedonisë.

Ai shtoi se Posta e Maqedonisë gjendet në gjendje të rëndë financiare dhe se u vonohet pagesa e rrogave.

“Për muajin janar rrogat na janë paguar në fillim të muajit [shkurt] të premten gjegjësisht pas skadimit të afatit ligjor. Kemi frikë nëse fare do të marrim rrogë në periudhën e ardhshme. Për atë kërkojmë takim në Qeveri, që të ndërmerren masa për zgjidhjen e situatës në cilën ndodhet posta”, tha Veligdenov.

Ndryshe, në tetor të vitit të kaluar u mbajt një protestë paralajmëruese në “Postën e Maqedonisë” për shkak të vonesës së pagesës së rrogës për muajin shtator, dhe pas marrëveshjes së arritur nga Sindikata me Bordin Drejtues të kompanisë dhe Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, të gjitha institucionet shtetërore janë udhëzuar që të përdorin shërbimet e Sh.A. “Posta”, konform ndryshimeve në Ligjin për Shërbimet Postare.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, në Agjencinë postare janë dorëzuar nëntë ankesa nga përdoruesit e shërbimeve postare. Pesë janë nga persona fizikë dhe katër nga persona juridikë. Shtatë peticione i referohen shërbimeve të ofruesve të shërbimeve postare dhe dy për shërbimet e SHA Posta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button