Rruga e Arbërit me rëndësi të madhe për përmirësimin e ekonomisë së Ballkanit

Akademiku i Birminghamit i jep jetë shoqërisë civile në Shqipëri

Sipas akademikut të Universitetit të Birminghamit, Dr Gëzim Alpion, ekonomia e një pjese të Ballkanit do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme në qoftë se qeveria shqiptare do të investojë 350 milionë Euro për ndërtimin e një autostrade të re. Sociologu Alpion ka filluar një peticion online nëpërmjet të cilit u kërkohet drejtuesve të shtetit të mbajnë premtimet e bëra gjatë fushatës së fundit elektorale për të ndërtuar rrugën që lidh kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, me Dibrën, një nga zonat më të prapambetura të vendit njofton Portalb.

Zona perëndimore e Dibrës shtrihet në territorin e Shqipërisë ndërsa ajo lindore në territorin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Dibra aktualisht ka një popullsi prej më se 200,000 banorësh. Aktualisht, udhëtimi nga Tirana në Dibër zgjat afërsisht 6 orë në një rrugë prej 180 km që nuk është e mirëmbajtur. Si rezultat i rrugës së re, që do të jetë e gjatë 72 km, udhëtimi nuk do të zgjas më shumë se dy orë.

Kjo rrugë, që do të vazhdojë edhe në Maqedoni, do të lidh Dibrën e Madhe me Shkupin, kryeqytetin e Maqedonisë, duke u bërë kështu një hallkë e rëndësishme e infrastrukturës në këtë pjesë të Ballkanit.

Gjithashtu, si rezultat i rrugës së re, Maqedonia, Kosova dhe Bullgaria do të jenë si asnjëherë më pranë Detit Adriatik, duke kontribuar kështu në integrimin e mëtejshëm të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

“Qeveria shqiptare akordoi 110,000 dollarë amerikane për studimin e fizibilitetit në vitin 2004 dhe projekti u aprovua një vit më vonë. Megjithatë, që nga ajo kohë, vetëm 16 milionë Euro janë investuar, nga 350 milionë Euro që duhen për këtë vepër,” thotë Dr Alpion. “Rruga ka qënë një nga premtimet më të bujshme elektorale të partive kryesore që nga 2004-ra, të cilat, sapo kanë ardhur në pushtet, e kanë harruar projektin në syrtar.”

Alpion, i cili është lindur në Shqipëri, dhe u largua nga Tirana në vitin 1985 për të ndjekur karierën akademike jashtë shtetit, e filloi peticionin online për Rrugën e Arbërit në Mars 2013. Mbështetja për peticionin është rritur me shpjetësi si rezultat i mediave sociale në Dibër, Shqipëri, Ballkan si dhe në të gjithë botën. Deri tani peticioni ka mbi 7500 nënshkrues, nga të cilët 6,000 online dhe 1,500 në formularë njofton Portalb.

Para disa ditësh Dr Alpion u informua nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë se ai është i mirëpritur ta dorëzojë peticionin zyrtarisht, gjë që në vetvete përbën një arritje shumë të rëndësishme pasi ky është peticioni i parë jo-politik në këtë vend. Ndërkohë Dr Alpion është në pritje të konfirmimit të datës së takimit me z. Edi Rama.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë në Maj, Dr Alpion shkëmbeu mendime për Rrugën e Arbërit në takimet që pati me Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe një numër deputetësh. Presidenti Nishani and Kryetari Meta e siguruan Dr Alpion për përkrahjen e tyre për Rrugën e Arbërit, vlerësuan kortezinë ndaj insitucioneve shtetërore që ka spikatur në çdo fazë të lobimit që nga fillimi i peticionit në Mars 2013, dhe vlerësuan vizionin e Dr Alpion për rolin që shoqëria civile mund të luaj në Shqipëri. Gjithashtu, ata vlerësuan konceptin e Dr Alpion se ai dhe intelektualët që përkrahin këtë peticion jo-politik është mirë të konsiderohen si opozitë ‘besnike’ e qeverisë.

Si një intelektual që ka qëndruar gjthmonë jashtë influencës së partive politike, Dr Alpion është në një pozite si askush tjetër për të inkurajuar shoqërinë civile në Shqipëri që të bëj presion me metoda demokratike mbi klasën politike. “Peticioni e ka rritur kërkesën e llogarisë ndaj politikanëve”, u shpreh Dr Alpion. “Në të njëjtën kohë, përmbushja nga politikanët e kërkesave të parashtruara në peticion do të ndikojë në rritjen e respektit të elektoratit ndaj tyre. E rëndësishme është që njerëzit në Shqipëri ta kuptojnë domosdoshmërinë e dialogut konstruktiv me politikanët dhe të ndërgjegjësohen se zëri i tyre duhet të dëgjohet kur merren vendime të rëndësishme.”

“Peticioni do të mbyllet vetëm kur të inagurohet rruga. Kur të sigurohen fondet ne do të inkurajojmë njerëzit të vazhdojnë ta nënshkruajnë peticionin edhe në një numër më të madh në mënyrë që qeveria të marrë të gjitha masat e duhura që fondet të përdoren siç duhet dhe të mos lejohet asnjë ndryshim në projektin e aprovuar të rrugës.”

“Nga studimet e mia sociologjike për Ballkanin kam nxjerr konkluzionin se rrugët kanë rëndësi parësore për të rritur komunikimin midis grupeve etnike, popujve dhe kombeve, dhe kjo është pikërisht çfarë i duhet kësaj zone tradicionalisht të trazuar të Evropës.”

“Krahas përfitimeve të rëndësishme ekonomike, Rruga e Arbërit do të kontribojë në mënyrë të ndjeshme në krijimin e një infrastrukture moderne si rezultat i së cilës fqinjët në Ballkan do të kenë mundësi shumë më të mira për të rritur kontaktet dhe përfituar nga kulturat dhe traditat e njëri tjetrit. Po kështu, si një arterie komunikimi kaq e domosdoshme, rruga do tu japë edhe një mundësi tjetër grupeve etnike, popujve dhe kombeve të Ballkanit që ta kuptojnë se ato gjëra që kanë të përbashkëta janë shumë më të rëndësishme nga çfardo që i ndan.”/Portalb

Ky është linku i peticionit për Rrugën e Arbërit:

www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Lajme të ngjashme

Back to top button