RMV, presidenti dhe qeveria te kënaqur me vendimin e Gjykates së Strazburgut kundër abolimit skandaloz te Ivanovit

Presidenti Stevo Pendarovski dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut janë shprehur të kënaqur me vendimin e Gjykates së Strazburgut kundër abolimit skandaloz te ish-presidentit Gjorge Ivanov, i cili në prill të vitit 2016-të i fali të akuzuarit në rastet e ish-PSP-së, transmeton Portalb.mk.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg njoftoi se kërkesat e të dënuarve dhe të akuzuarve nga këto raste janë të papranueshme. Gjykata vlerëson se të akuzuarit dhe të dënuarit nuk kanë shterur mjetet juridike vendore. Vendimi është përfundimtar, thuhet në njoftimin e GJEDNJ-së.

Vendimin e GjEDNj-së në Strasburg e mirëpriti Presidenti Stevo Pendarovski.

“Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, presidenti e shqyrtoi atë me ekipin këshillues dhe beson se të gjithë ata që janë prekur nga procedimet e nisura nga prokuroria dhe gjykatat në vend duhet të ushtrojnë të drejtat e tyre para institucioneve vendase, siç thuhet edhe në vendimin e Gjykatës së Strasburgut. Në këtë kuptim, të gjitha procedimet para gjykatave vendase vazhdojnë deri në nivelin përfundimtar të tyre, pra shterimin e të gjitha mjeteve ligjore në përputhje me rregulloret ligjore të vendit tonë”, thuhet në reagimin e presidentit Pendarovski.

Qeveria: Vendimi i Gjykatës së Strasburgut është në favor të shtetit

Edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mirëpriti vendimin e sotëm të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) që është në favor të shtetit dhe konfirmon se ankesat e parashtruesve janë shpallur të papranueshme në tërësi, duke përfshirë edhe pjesën për faljet e pretenduara.

“Argumentet e Qeverisë lidhur me papranueshmërinë e kërkesave janë respektuar plotësisht nga GJEDNJ. Ndryshe nga pretendimet e kërkuesve, GJEDNJ nuk konstaton shkelje të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Vendimi i marrë sot nga GJEDNJ i referohet 6 rasteve të cilat e paditën Republikën e Maqedonisë së Veriut në Gjykatën e Strasburgut me pretendime për shkelje të KEDNJ sipas nenit 5 dhe nenit 6. Me vendimin, Gjykata konsideron se ankesat e parashtruesve janë të papranueshme në parim për shkak të mos-shterjes së mjeteve juridike vendore”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Me abolimin e Ivanovit janë përfshirë 54 persona nga rastet e PSP-së. Mirëpo, një veprim i tillë i ish-presidentit shkaktoi reagime të ashpra nga faktori i jashtëm dhe i brendshëm, madje u mbajtën dhe protesta. Pas një muaji e gjysmë dhe pas ndryshimeve ligjore në Ligjin për Falje, ai i tërhoqi abolimet.

Disa nga ish-zyrtarët që ishin në listën e Ivanovit më vonë në Strasburg e problematizuan procedurën e zhvilluar ndaj tyre nga PSP, duke kërkuar heqjen e ligjit. Nga i njëjti aspekt, avokatët e tyre shpesh kundërshtonin çështjet në gjykatat vendase, duke iu referuar tezës se pasi të jetë dhënë një abolim, ai nuk mund të tërhiqet.

Kërkesën e parë në Strasburg e ka dërguar në fillim të nëntorit 2017, ish-kryetari i Manastirit, Vladimir Taleski, përmes avokatit Vlatko Ilievski, bashkëshorti i ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska. Mirëpo, deri në fund të vitit 2018 janë dorëzuar tetë të tjera.

Në mesin e emrave që fillimisht i fali dhe pastaj ua hoqi faljen janë, ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ish ministri i Transportit dhe Lidhjes, Mile Janakieski, Martin Protugjer, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, Zoran VerushevskiBranko Crvenkovski, ish shefi i sigurimit të Gruevskit, Dejan Mitrovski-Urko, ish shefi i Drejtorisë së Pestë në DSK, Goran Grujoski,  lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, anëtari i KSHZ-së nga radhët e PDSH Bedredin Ibraimi.

Më së shumti ka falje ka pasur për Janakieskin dhe Jankullovskën. Ata janë në krye të listët me gjithsej 27 falje, për Nikolla Gruevskin dhe Martin Protugjerin nga 5 falje, ndërkaq për Zoran Zaevin dhe Zoran Verushevskin nga 2 falje.

Vendim për falje ka edhe për guvernatorin e kompanisë “Dajners klub Maqedoni” dhe bashkëshortin e Radmilla Sheqerinskës, Bozhidar Jankovski.

Edhe prokuroret speciale Fatime Fetai, Lile Stefanova dhe Gavrill Bubevski janë gjendur në mesin e të falurve nga Gjorge Ivanov. Kujtojmë se prokurorët special ishin të ndjekur për dyshime se kishin ushtruar presion ndaj dëshmitarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button