Asnjë shqiptar nuk do të angazhohet si promotor ekonomik i Maqedonisë në vendet e huaja

Asnjë shqiptar nuk do të angazhohet si promotor ekonomik i Maqedonisë në vendet e huaja, edhe pas dy konkurseve të këtij viti. Në shkurt të këtij viti, Agjencia për Thithjen e Investimeve të Huaja kishte hapur konkurs për 6 promotorë, 2 në SHBA dhe nga një në Gjermani, Rusi, Kinë dhe Indonezi. Sipas informatave tona, asnjë nga kandidatët shqiptarë të paraqitur në konkurs, nuk u pranua. Agjencia kishte vendosur që 4 prej 6 promotorëve aktual, t’iu vazhdohej mandati. Për 2 vendet e mbetura u hap tjetër konkurs më 19 maj, për në Uashington dhe Hamburg, por sërish u zgjodhën promotorë maqedonas. Visar Fida, drejtori në largim i kësaj agjencie e pranon këtë informatë, me një përgjigje me shkrim, transmeton Alsat.

“Për dy konkurset e fundit për pranimin në marrëveshje të rregullt pune për kohë të caktuar për promotorë ekonomikë, është bërë një përzgjedhje vetëm e dy promotorëve që nuk janë shqiptar, ndërkohë që për pozitat e tjera ishte marrë vendim për mos-zgjedhje. Gjithashtu dua të theksoj se ne dy konkurset e fundit kanë aplikuar 8 shqiptarë (prej të cilëve vetëm 3 i plotësonin të gjitha kushtet e kërkuara në shpallje), dhe 29 maqedonas (prej të cilëve 15 i plotësonin kushtet)”, tha Visar Fida, drejtor në largim i Agjencisë për thithjen e investimeve të huaja.

Nga kabineti i kësaj agjencie bëjnë të ditur se nga gjithsej 25 promotorët ekonomikë, vetëm 6 janë shqiptar, 16 janë maqedonas, dhe 3 të tjerë nga pakicat. Shqiptarët sipas Fidës, përmbushin kështu 24% të promotorëve ekonomike.

Përveçse në konkurse, Agjencia si duket se nuk i njeh shqiptarët edhe gjeografikisht. Në fletushkat për promovim të mundësive për investim në Maqedoni, Kosova si shtet nuk gjendet askund. Madje hartë ku promovohej Maqedonia, në një panair në Shqipëri, shkaktoi reagim të ashpër të Zv/ministres së Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë Brunilda Paskali e cila paralajmëroi notë proteste ndaj ambasadës së Maqedonisë në Tiranë. Nga Agjencia në fjalë, i përgënjeshtrojnë këto informata.

“Si rezultat i këtyre deklaratave në disa prej mediave, Agjencia zyrtarisht dje dërgoi një përgënjeshtrim drejtuar mediave, në të cilin thuhet se Invest Macedonia, që nga koha që drejtohet nga Visar Fida, shfrytëzon materiale reklamuese të përditësuara, stenda, broshura, fletushka me harta nga rajoni ku gjendet edhe Kosova”, thonë nga Agjencia për tërheqje të investimeve të huaja.

Agjencia mohon shkeljen e bërë në hartë, duke thënë se Kosova është pjesë e itinerarit promovues të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button