Miratimi i Planit Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit në vitin 2022 nuk u realizua siç tha Kasami

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami janarin e vitit të kaluar deklaroi se janë të përkushtuar që në vitin 2022 të ketë përfundimisht plan të miratuar urban për Kodrën e Diellit. Viti 2022 kaloi, kjo nuk është bërë ende, ky zotim mbetet i parealizuar në afatin e dhënë. Ndërsa nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thonë se procedura është në vijim e sipër por pa precizuar afat konkret.

Në debatin e organizuar për Kodrën e Diellit me 28 janar të vitit 2022, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami deklaroi:

“Përkushtimi jonë është që atë që e kemi si përgjegjësi sa i përket përpilimit të Planit Detal Urbanistik është që në vitin 2022 përfundimisht të kemi një plan të miratuar urban për Kodrën e Diellit, nga i cili çdo kush do të përfitojë sepse do të ndërpriten ndërtimet pa leje dhe njëherë e përgjithmonë gjithçka që do të ndërtohet do jetë e bazuar në një Plan të Detajuar Urban.”

Gjithashtu, në nëntor të vitit 2022 i pyetur nga Portalb po për këtë, Kasami deklaroi:

“Sa i përket Kodrës së Diellit jemi në përfundim të procedurës së miratimit të planit për Kodrën e Diellit, gjithashtu opinioni është i njoftuar që veç më kemi përgatitur edhe projekt për një rrugë të re e cila do jetë komplet e re rreth tre kilometra, me të cilën ne vlerësojmë që do të zgjidhet pjesërisht problemi i Kodrës së Diellit. Gjithashtu, ditët e kaluara unë kam pasur edhe ekspert të urbanizmit nga Turqia të cilët janë të angazhuar në Komunën e Tetovës me të cilët përpilojmë një plan për një zonë të re turistike që do të ndërlidh një pjesë në qytet, gondolën nga qyteti deri në Kodrën e Diellit dhe një pjesë turistike në Kodrën e Diellit.”

Por, sot që jemi në muajin shkurt të vitit 2023, kjo nuk është realizuar ende.

Pyetëm në Komunën e Tetovës se deri në çfarë faze është kjo procedure, kështu u përgjigjën nga ky institucion:

“Plani i ri urbanistik jashtë vendbanimeve për lagje-uikendi në QSR Kodra e Diellit, KK Lisec dhe KK Gajre, Komuna Tetovë me plan të parcelizimit në bllokun 1, bllokun 3, bllokun 5 dhe bllokun 12, është në fazën e prezantimit publik që është mbajtur më 24.01.2023 dhe anketimit publik të mbajtur nga data 23.01.2023 deri më 27.01.2023, me çka procedura është në vijim dhe do të vazhdoj me hapat e mëtejme ligjore deri në miratim.”

Nisur nga deklarata e Kasamit që tha se përkushtimi i tyre është që sa i përket përpilimit të Planit Detal Urbanistik është që në vitin 2022 përfundimisht të kemi plan të miratuar urban për Kodrën e Diellit, mund të përfundojmë se kjo nuk është realizuar në afatin e dhënë.

Përndryshe, nga Komuna e Tetovës bënë të ditur se me programin për vitin 2023 është paraparë të ndërtohet rrugë e re në Kodrën e Diellit, projekt ky i cili pritet të fillojë gjatë këtij viti.

Burime:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button