Trajanovski: Çështja e dygjuhësisë nuk është e përkufizuar në mënyrë të prerë

Edhe pse prej ditësh në rrugët dhe bulevardet e Shkupit janë vendosur tabela të reja, vetëm në maqedonisht, kreu i qytetit Koce Trajanovski thotë se ai dhe shërbimet përkatëse nuk e kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Trajanovski nuk shpjegoi qartë se kur do të mblidhet komisioni për interpretimin e zbrazëtirave ligjore mbi shqipen i cili duhej të mbante mbledhje javën e kaluar, transmeton Alsat.

 “Qyteti i Shkupit nuk shkel as Kushtetutën e as ligjet d.m.th ne këtu kemi shërbime përkatëse që janë të angazhuara lidhur me këtë problematikë dhe që kanë për detyrë interpretimin e ligjeve në Qytetin e Shkupit. Kjo çështje nuk është e përkufizuar në mënyrë të prerë pasi në disa ligje shpjegohet se dygjuhësia duhet implementuar kështu, dhe në disa ligje të tjera thuhet ndryshe.  Për këtë kemi formuar edhe një Komision të gjerë i cili do të shqyrtojë implementimin e këtyre ligjeve që trajtojnë këtë çështje”, tha Koce Trajanovski – kryetar i Qytetit të Shkupit.

Trajanovski tentoi të shpjegonte se disa akse të reja rrugore të ndërtuara në Shkup, e që janë nën kompetenca të drejtpërdrejtë të tij, mbishkrimet i kanë edhe në shqip.

 “Ju e shihni se nëpër të gjitha akset rrugore që ndërton qyteti i Shkupit e që janë në kompetenca të tij, mund të vërehen se tabelat janë dygjuhësore, kështu që qyteti i Shkupit, sipas shërbimeve kompetente i përmbahet ligjeve dhe nëse komisioni vendos ndryshe, nuk do të ketë aspak problem në këtë drejtim”, deklaroi Koce Trajanovski – kryetar i Qytetit të Shkupit.

Kushtetuta sqaron në amendamentin V se gjuhë zyrtare është edhe ajo që flasin qytetarët e tjerë, në rast se e kalojnë 20 % e popullatës. Po ashtu, Kodi penal sanksionon ata që pengojnë qytetarin të flasë gjuhën e vetë, dënohen me 3 deri në 5 vjet burg.

Lajme të ngjashme

Back to top button