RMV, Pendarovski pritet t’i nënshkruajë ndryshimet në Kodin Penal ku parashihet dënim me burg për sulmuesit e gazetarëve

Pas dy vitesh pritje, sulmet ndaj gayetarëve do të trajtohen si sulm ndaj një zyrtari dhe në këtë mënyrë sulmuesit do të marrin dënim me burg. Ndryshimet në Kodin Penal janë miratuar dje nga deputetët në Kuvendin e RMV-së. Presidenti Stevo Pendarovski është në radhë për nënshkrimin e ndryshimeve ligjore, pas së cilës ato duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare dhe të hyjnë në fuqi, transmeton Portalb.mk.

Sulmuesit e gazetarëve dhe punonjësve të medias do të dënohen me dënim me burg. E njëjta gjë vlen edhe për sulmet dhe kërcënimet ndaj avokatëve dhe punonjësve të shëndetësisë. Përndjekja dhe ngacmimi seksual janë bërë gjithashtu vepra penale. Do të dënohet edhe dhuna ekonomike, por edhe vepra e re penale “ekocid”.

Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, për kërcënimin me jetë të punonjësve të medias, avokatëve dhe punonjësve të shëndetësisë, sulmuesit do të dënohen me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Dhe nëse kërcënimi shkakton një ndjenjë frike ose pasigurie, dënimi mund të arrijë deri në një vit burg. Nëse ndaj këtyre personave ushtrohet dhunë, atëherë dënimi me burg është nga tre muaj deri në tre vjet.

“Me këtë nen, do të dënohet kushdo që kryen veprën penale kundër një zyrtari në kryerje të detyrës, avokatit, mjekut ose një punonjësi tjetër shëndetësor, gazetari ose ndonjë punonjësi tjetër të medias ose ndonjë personi tjetër që kryen punë me interes publik gjatë kryerjes së detyrave profesionale ose lidhur me kryerjen e detyrave profesionale të cilat i ndërmerr në kuadër të kompetencave të veta ose ndaj disa personave”, shkruan në ndryshimet në Kodin Penal.

Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe dënime për kërcënimet e shprehura publikisht për vepra penale në internet, të cilat janë të motivuara nga cilido lloj diskriminimi.

Megjithatë, për të luftuar për drejtësinë në rast se sulmohen dhe kërcënohen, gazetarët, kameramanët, avokatët, mjekët dhe infermierët do të bëjnë padi private, sepse nuk do ta kenë sipas detyrës zyrtare.

Për herë të parë në Kodin Penal shtohen vepra penale si përndjekja dhe ngacmimet seksuale. Me ndryshimet e reja në ligj, parashikohet që personi që gjykata përcakton se ju ndjek, persekuton, ngacmon psikologjikisht, abuzon ose frikëson, personalisht ose nëpërmjet komunikimit me shkrim, si dhe abuzon me të dhënat tuaja personale, do të dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet burg.

Kujtojmë se organizatat gazetareske në vazhdimësi shprehnin shqetësimin e tyre pasi këto ndryshime ngecën në Kuvend. Ata kërkonin – ndryshime pozitive në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe rikujtonin raportin e fundit të Komisionit Evropian ku thuhet se Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të caktuar në fushën e lirisë së shprehjes, në përgjithësi ka pasur progres të kufizuar në raport me rekomandimet e BE-së. Gjithashtu vazhdimisht theksohej nevoja për vazhdimin e procesit të vetërregullimit, i cili duhet të çojë në përmirësimin e standardeve profesionale në gazetari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button