Katrahura konstante e skenës politike në Maqedoninë e Veriut: Dje akuza për perversitet politik, sot partnerë të denjë

Hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeverinë që deri dje e quante regjimi “LSDM-BDI”, dëshmon më së miri për katrahurën në të cilën ndodhet skena politike në Maqedoninë e Veriut, sidomos në kampin shqiptar. Politikanët akuzojnë njëri tjetrin për korrupsion, pazare, interesa partiake e personale, ndërkaq pastaj ndërrojnë qëndrimet dhe thirren në ideale dhe parime të zbrazëta, të cilat i riciklojnë çdoherë që kanë oreks për pushtet, shkruan Portalb.mk.

Partitë në pushtet, poashtu edhe në opozitë, vullnetin e popullit e kanë shndërruar në operacion matematikor, ku brenda natës shumëzojnë, pjesëtojnë e zbresin, për të arritur stabilitet në qeverisje apo rrëzim të saj.

Të tilla janë ndodhitë e fundit, ku “u nxor nga loja” partia Alternativa, pasi që Aleanca për Shqiptarët hapur shprehu dëshirën për t’u bashkuar në qeverinë, të cilën në nëntor të vitit 2021 dështoi ta rrëzojë me votëbesim, bashkë me VMRO-DPMNE-në, Lëvizjen Besa, Levicën dhe Alternativën.

Pas dështimit të votëbesimit, Alternativa hyri në qeveri dhe asokohe Aleanca për Shqiptarët këtë hap e quajti perversitet politik. Por, një vit më vonë, u desh që këtë fjalë ta thotë për ASH-në, kreu i Alternativës, Afrim Gashi, pasi që ia mori postet qeveritare.

Ky perversitet i cili kohëpaskohe përsëritet, ka rrënuar standardet e të qenit pushtet dhe opozitë. Partitë në RMV, shumë lehtë ndërrojnë qëndrimet brenda natës dhe atë që deri dje e quajnë regjim dhe diktator, nuk e kanë problem që të nesërmen ta bëjnë aleat koalicioni dhe të bashkëqeverisin.

Vendosja e standardeve të këtilla, vetëm se e rrit mosbesimin e qytetarëve ndaj partive, të cilat me arsyetime populiste, i shkelin parimet e tyre qeverisëse për të zënë kolltukët dhe për të shijuar privilegjet e pushtetit.

Rasti i tillë ishte koalicionimi i LSDM-së me BDI-në, në një periudhë pasi asokohe Zoran Zaev i publikoi “bombat” me të cilat pretendonte se funksionarët e kësaj partie janë të futur thellë në krim dhe korrupsion bashkë me regjimin e Nikolla Gruevskit. LSDM-ja këtë e gëlltiti dhe madje, në fushatë lokale të vitit 2017-të, publikisht përkrahu kandidatët e BDI-së.

Por, pak a shumë, kjo ka ndodhur me të gjitha partitë shqiptare në RMV. PDSH ndër vite koalicionon me të gjitha partitë, madje edhe me LSDM-në, lideri i së cilës, Zoran Zaev, “e fundosi” karrierën politike të Menduh Thaçit pasi publikoi përgjimin ku Thaçi dëgjohet duke i thënë shefit të Policisë Sekrete Sasho Mijallkov “jam me ty deri në vdekje”. Njollë e zezë në memorjen e bashkëqeverisjeve, padyshim që mbeten vitet 2006-2008 kur, PDSH hyri në Qeverinë e VMRO-DPMNE-së, pavarësisht se ishte humbëse e zgjedhjeve.

Lëvizja BESA e “Ridefinimit” sot nuk ekziston. Në vitin 2020, kjo parti nënshkroi marrëveshje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare me LSDM-në. Asokohe kryetari Bilall Kasami dhe Zoran Zaev nënshkruan “marrëveshjen historike” për koalicion parazgjedhor mes dy partive shqiptare dhe maqedonase. Por sot, L. Besa e kundërshton hapur qeverisjen në vend, e cila është zgjedhur gjatë po atyre zgjedhjeve dhe në bashkëpunim me LSDM i ka fituar deputetët.

Nga ana tjetër Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë qenë në koalicion parazgjedhor me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet lokale të vitit 2021, e cila udhëhiqet nga Hristijan Mickoski, pasardhës i Gruevskit që vazhdoi retorikën e njëjtë dhe kundërshtonin hapur qeverisjen LSDM-BDI, madje dhe duke i quajtur regjim. Por, sot të dyja partitë mbështesin këtë qeveri, edhe pse Alternativa tani mbeti jashtë.

ASH-ja, që tanimë disa kohë e ka braktisur koalicionin me VMRO-DPMNE-në rikujton se partia maqedonase vazhdon të ketë mendësinë e famëkeqit Nikolla Gruevski, i cili ka udhëhequr në kohërat më të errëta të RMV-së me pallatin e bardhë, i cili sipas ASH-së, është nxirë nga krimet.

“Me ardhjen e Ash-së përfundojnë një herë e përgjithmonë urdhërat e VMRO-DPMNE-së me “tefterçe” se kush bëhet gjykatës e prokuror, si porositeshin raste të montuara, si mbahej aeroplani me shqiptar në ajër, si duhej përmbysur kamionët e traktorët, si të mbuloheshin krimet në sheshin e Shkupit kur vritnin aktivistin e tyre. VMRO-ja e rasteve të montuara nuk mund të drejtojë asnjë gisht te propozim ministrat e ASh-së, sepse për të tilla gjëra kanë folur institucionet dhe gjithçka është e pastër si loti. Drejtohuni organeve kompetente e jo të hidhni vrer nga goja me shpifje, rrena e të pavërteta. Shqiptarëve gjithmonë gjykimin ua keni bërë në konferenca për shtyp. Ju kujtohen rastet si Sopoti, vrasja e Almirit, Monstra, Kumanova, Rasti Alfa, e të tjera raste? Ju s’keni të drejtë as morale po as autoritet penal për t’i thënë këto të pavërteta”.

Kjo është një pjesë e kumtesës së Aleancës për Shqiptarët, si përgjigje ndaj zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski, i cili në konferencë për shtyp tha se Krenar Lloga, ministri i propozuar për Drejtësi, është vëllai i njërit prej të dyshuarve për vrasjen e mafiozit nga Struga, Dilaver Bojku.

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, gjatë ditës së djeshme pyeti nëse kryetari i ASH-së, Arben Taravari është i shantazhuar me shtëpi në Taftalixhe. Megjithatë Taravari i hodhi poshtë këto pretendime, duke i ftuar gazetarët për të pirë kafe në shtëpinë për të cilën VMRO-DPMNE e akuzon për korrupsion politik, pasi sipas tyre, në një lagje elitare të Shkupit, kryetari i Gostivarit ka blerë shtëpi me çmim prej 500 euro metër katror.

Funksionarët e partive, vazhdojnë nëpërmjet të gjitha mjeteve të informimit të akuzojnë njëra-tjetrën, për lloj-lloj gjërash, të cilat shpesh janë të paverifikueshme, derisa qytetarët vazhdojnë të përballen me valët e shumë krizave, të cilat kanë rënduar jetën e tyre.

Në ndërkohë, vazhdojnë të funksionojnë dhe grupet e pakënaqura mes partive.

Në BDI, është i ashtuquajturi “Grupi i zjarrit”, i cili kundërshton emërimet e Ahmetit në ekzekutiv, ndërkaq në partinë Alternativa ka një grup i cili, udhëhiqet nga deputeti Skender Rexhepi Zejd, i cili vepron si deputet i pavarur në Kuvend, pas pakënaqësisë me kryesinë e partisë për mosrealizim të zotimeve të Qeverisë.

Nga ana tjetër, me hyrjen e ASH-së në Qeveri LSDM, prej koalicionit qeveritar është larguar Lidhja Demokratike, e përfaqësuar në Kuvend me deputetin Pavle Trajanov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button