Qeveria thotë se për shkak infrastrukturës ekzistuese e ka zgjedhur variantin më të shtrenjtë për rrugën Tetovë-Prizren

Përparësia e lidhjes me Qendrën e Skijimit Kodra e Diellit dhe struktura moderne rruge (e asfaltuar) e cila ka nevojë vetëm për rikonstruim. Kjo është përgjigja e Qeverisë ndaj pyetjes së Portalbit në lidhje me vendimin e tyre që të zgjedhin trasenë më shtrenjtë për rrugën e premtuar Tetovë-Prizren, përkundër rekomandimeve të ekspertëve, shkruan Portalb.mk.

Në tetor të vitit të kaluar, Portalb.mk njoftoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e ka miratuar trasenë nëpër të cilën do të duhet të kalojë rruga Tetovë-Prizren. Gjatësia e rrugës, sipas studimit të fizibilitetit i cili është bërë në vitin 2013-të, duhet të jetë 40.6 kilometra dhe do të lidhet me tunel prej 6.4 kilometra. Varianti i zgjedhur është më i shtrenjtë sesa ai që rekomanduan ekspertët të cilët e kanë bërë analizën e arsyetimit ekonomik. Ata kanë rekomanduar që traseja më e favorshme është varianti me tunel prej 3.2 kilometra.

Portalb.mk, pyeti Qeverinë se për çfarë arsye e kanë zgjedhur këtë variant, por prej atje dhanë arsyetime për vetëm pjesën e parë të rrugës, por jo edhe për çështjen e gjatësisë së tunelit, e cila, sipas deklaratave të ekspertëve në studimin e fizibilitetit ka kosto shumë të lartë dhe nuk është e arsyetueshme nga aspekti ekonomik.

“Komisioni prej disa institucioneve i ka shqyrtuar vendimet nga studimi i fiziblitetit e punuar nga ana e projektuesit për propozimin për trasenë për lidhjen e me zgjidhje autostrade të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Kosovën, më saktësisht nga Tetova në Prizren, gjatë së cilës janë marrë parasysh karakteristikat pozitive dhe negative të çdo varianti”, thonë nga Qeveria.

Ata shpjegojnë se si variant i parë është marrë traseja e cila fillon nga Tetova (Pika 9), shkon nëpërmjet Kodrës së Dielit (Pika 10), pastaj Shipkovica dhe mbaron në Brodec (pika 2), në gjatësi prej 13 kilometrave.

Gjithashtu thonë se varianti i dytë është traseja e cila fillon nga Tetova (pika 1) dhe shkon nëpërmjet rrjedhës së lumit Shkumbin deri në Brodec (pika 2), në gjatësi prej 8,5 kilometra.

Traseja nga studimi i fizibilitetit

“Si konkluzion nga zgjidhjet e paraqitura, është konstatuar se për pjesën fillestare është e më e përshtatshme varianti një, gjegjësisht traseja që fillon në Tetovë dhe shkonb nëpërmjet Kodrës së Diellit, pastaj Shipkovicë dhe mbaron në gjatësi prej 13 kilometra. Arsyeja për zgjedhjen e kësaj traseje është përparësia e lidhjes me Qendrën e Kodrës së Diellit dhe për momentin ndërtimi i konstruksionit modern rrugor (është e asfaltuar) për çka për të njëjtën nevojitet vetëm të rikonstruohet”, shpjegojnë nga Qeveria.

Në lidhje me propozimin e dytë, ata thonë se edhe pse është më i shkurtër për 4,5 kilometra, në atë trase nuk ka infrastrukturë të ndërtuar, gjegjësisht për momentin vetëm rrugë me dhe, për çka do të nevojitet ndërtim i plotë me paralajmërim se për shkak të afërsisë në lumin Shkumbin do të duhet të ndërtohet edhe numër i madh i objekteve mbështetëse nga tipi i mureve mbështetëse dhe këshillimeve për çka plotësisht do ta rrit çmimin e kostos së këtij projekti.

“Gjithashtu edhe pjerrtësia e niveleve si zgjidhje teknike për variantin e dytë do të jetë me vlerë më të lartë, me çka do të ndikojë në rritjen e vëllimit të mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së aksit rrugor”, sqarojnë nga Qeveria.

Ndryshe, ashtu siç njoftoi Portalb.mk, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e ka miratuar trasenë nëpër të cilën do të duhet të kalojë rruga e premtuar Tetovë-Prizren. Gjatësia e rrugës, sipas studimit të fizibilitetit i cili është bërë në vitin 2013-të, duhet të jetë 40.6 kilometra dhe do të lidhet me tunel prej 6.4 kilometra. Varianti i zgjedhur është më i shtrenjtë sesa ai që rekomanduan ekspertët të cilët e kanë bërë analizën e arsyetimit ekonomik. Ata kanë rekomanduar që traseja më e favorshme është varianti me tunel prej 3.2 kilometra,

Të gjitha variantet për rrugën Tetovë - Prizren

Pavarësisht se rruga do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, partia shqiptare në pushtet, BDI në katër palë zgjedhje ka premtuar realizimin e të njëjtës.

Më 17 shtator të vitit 2021 kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti nënshkruan “Memorandum për Mirëkuptim” në lidhje rrugën e premtuar Tetovë-Prizen, e cila tani e dhjetë vite po premtohet. Portalb.mk, siguroi dokumentin origjinal të memorandumit, i cili i përmban 6 nene.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit,  Mytaher Haskuka (i cili nuk i fitoi zgjedhjet) më 13 nëntor gjatë fushatës parazgjedhore e publikuan një video në të cilën e kanë prezantuar projektin për rrugën Prizren – Tetovë, ndërkaq kanë premtuar që brenda 2-3 vitesh do të mbarojë tërësisht.

“Bashkë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, jemi dakorduar që sivjet ta projektojmë rrugën, ndërkaq vitin e ardhshëm ta realizojmë atë në tërësi. Kismet pas dy ose tre vjetësh, do të udhëtojmë së bashku prej Prizrenit në Tetovë, ashtu veç për kafe”, premtoi Kurti.

Pas largimit të Zaevit nga pozita e kryeministrit, pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, në takimin me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florijan Qehaja, në muajin gusht paralajmëroi që deri në fund të vitit 2022 do të ketë edhe një mbledhje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Por, kjo mbledhje ende nuk është mbajtur.

Në janar të këtij viti, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se pse zgjat disa vite procedura për përgatitjen e dokumentacionit, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski theksoi se realizimi i një projekti kaq të madh kërkon një analizë të mirë.

“Është i nevojshëm një studim i mirë fizibiliteti, ide projekte, përzgjedhje të rrugës më të favorshme, kur them më të favorshme, do të thotë më e leverdishmen dhe e justifikuar financiarisht dhe në fund plotësimin e dokumentacionit të projektit, gjetjen e burimeve financiare dhe më pas lëshimin e thirrjes. Natyrisht, në këtë rast kemi një lloj tjetër të koordinimit, pasi është një rrugë që lidh dy shtete, të punojmë paralelisht dhe bashkërisht, e cila do t’i japë zhvillim të gjithë rajonit”, tha Boçvarski.

Sa i takon rrugës Tetovë – Prizren, për këtë në “Bombën 38” të publikuar në mesin e qershorit të 2015-s, ish-zëvendësi i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë Tahir Hani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim u dëgjua duke kërkuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti që të intervenojë te ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski nga radhët e VMRO-DPMNE-së i cili nuk kishte dashur të dëgjojë për përgatitjen e fizibilit studimit, premtim parazgjedhor i vetë Ahmetit.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button