ANALIZË:  Borxhet e komunave dhe të ndërmarrjeve publike lokale në RMV! (Infografik)

Disa nga komunat i kanë rritur, kurse disa të tjera i kanë zvogëluar borxhet në nivel vjetor. Në disa komuna, borxhet e Ndërmarrjeve Publike janë më të mëdha se borxhet e vetë komunës, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Në vazhdim janë dhënë komunat dhe shuma e borxheve të tyre:

Komuna e Tetovës sipas shumës së detyrimeve të prapambetura, por të papaguara në dhjetor të vitit të kaluar, është vetëqeverisja lokale me borxh më të madh me vlerë prej 13.6 milionë euro. Në krahasim me vitin 2021, të dhënat tregojnë rritje të detyrimeve të prapambetura për 100.000 euro. Në 20-shen e parë me borxh më të madh është edhe NPK “Tetova” me borxh prej gati 5,5 milionë euro. Në listën e re të borxhlinjve janë edhe shkollat fillore nën juridiksionin e pushtetit lokal, borxhet e të cilave variojnë nga 113 mijë euro e poshtë, ndërsa borxhe kanë edhe shkollat e mesme në territorin e kësaj komune. Detyrime të prapambetura në vlerë prej 55.800 euro ka raportuar NP “Parkingu i qytetit” Tetovë.

Komuna e Gostivarit vitin e kaluar e përfundoi me një borxh prej 7,8 milionë eurosh, dhe për këtë arsye kjo komunë është në top 20-in e institucioneve me borxhe më të mëdha. Detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 3,5 milionë eurosh ka edhe NP për veprimtari komunale “Komunalec” Gostivar. Në territorin e kësaj komune Spitali i Përgjithshëm është në vendin e tretë sipas shumës së borxhit prej 393.000 eurosh. Borxh prej 65.500 eurosh ka edhe NP për Parkingje publike dhe gjelbërim – Gostivar, ndërsa NP për menaxhim me sallën sportive – Rinia ka raportuar një borxh prej 6.300 eurosh. Detyrime të prapambetura, por të papaguara kanë edhe disa shkolla fillore dhe të mesme.

Komuna e Strugës ka detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 2,6 milionë euro. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar edhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Strugë ka raportuar një borxh prej 3,4 milionë eurosh, që e rendit këtë ndërmarrje publike në vendin e lartë të 25-të në listën e re të borxhlinjve. Në territorin e komunës së Strugës me një borxh prej 1,4 milionë eurosh është Spitali i Përgjithshëm Strugë, Enti për Nefrologji – Strugë me afër 1 milion euro, dhe NP “Komunalno” Strugë me borxh prej 736.600 euro. Detyrime të prapambetura, por të papaguara kanë raportuar edhe shkollat fillore të Strugës, gjykata themelore si dhe  EP Manifestimi “Mbrëmjet e poezisë në Strugë”.

Në territorin e Komunës së Kërçovës, më i ngarkuar me borxh është Spitali i Përgjithshëm i Kërçovës , i cili në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ka raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 14 milionë eurosh, gjë që e vendos atë në 10 institucionet e para me borxhe në nivel shtetëror. Një tjetër institucion shëndetësor ka borxh milionësh, Shtëpia e shëndetit – Kërçovë e cila ka raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 2,4 milionë euro. Vetë pushteti lokal, komuna e Kërçovës në listën e re të borxhlinjve gjendet në 100-shen e parë të institucioneve me borxhe më të mëdha, me një vlerë prej gati 1,3 milionë euro. Detyrime të prapambetura, por të papaguara kanë raportuar edhe NP “Komunalec” Kërçovë si dhe shkollat fillore dhe të mesme.

Nga analiza e të dhënave për borxhet e këtyre katër komunave rezulton se dy prej tyre e kanë rritur borxhin vitin e kaluar në krahasim me vitin 2021, Tetova për 1 milion euro dhe Gostivari për gati 2 milion euro, ndërsa komunat e Kërçovës dhe të Strugës, sipas të dhënave, kanë ulje të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara.

Nga komunat e tjera, një borxh më të madh në vlerë prej gati 1,5 milionë euro ka Komuna e Sarajit, më pas 1,2 milionë euro ka raportuar Komuna e Dibrës si dhe Komuna e Likovës me borxhe në vlerë prej gati 1,1 milionë euro. Detyrime prej gati 18 mijë eurosh ka edhe NPK “Pisha” – Likovë si dhe shkollat fillore në territorin e kësaj komune.

Në listën e borxhlinjve janë edhe Komuna e Bogovinës me detyrime në vlerë prej 525.000 eurosh, Çairi i Shkupit ka një borxh prej gati 1,4 milionë euro, Komuna e Haraçinës 834.000 euro, ndërsa Komuna e Tearcës në fund të dhjetorit të vitit të kaluar kishte fatura të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 500.000 euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button