Përplasje midis MASh dhe Komunës së Tetovës për mungesën e librave

Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës me datën 3 shkurt inicioi një peticion ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh), të cilin e dërgoi deri te drejtorët e shkollave fillore që nxënësit të furnizohen me librat që ju mungojnë deri me 28 shkurt. Ky peticion sipas Sektorit të Arsimit në Komunë erdhi si kërkesë e Këshillit të Prindërve. Veproi MASh, dje furnizoi shkollat me disa libra, por sipas sektorit të Arsimit në Komunë ende ka mungesë të madhe, peticionin MASh e quan akt politik, shkruan Portalb.mk.

Përmes një emaili, Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës u dërgoi drejtorëve të shkollave peticion në lidhje me mungesën e teksteve shkollore, ku thuhej:

“Duhet të mbajnë mbledhje prindërore të gjithë kujdestarët e klasave që të grumbullojmë nënshkrime. Deri me 10 shkurt t’i dërgoni tabelat e plotësuara me nënshkrimet në Sektorin për Veprimtari Publike.”

Fotografia e marrë nga profili në fb i këshilltarit Komunal, Liridon Disha

Ndërkaq në fotografinë më poshtë mund të shihet se si dukej ky peticion:

Fotografia e marrë nga profili në fb i këshilltarit Komunal, Liridon Disha

Validin Ademi, udhëheqësi i Arsimit në Komunën e Tetovës për Portalb sqaroi se kanë pasur disa takime radhazi me drejtorët, këshillin e shkollës dhe këshillin e prindërve.

“Këshilli i prindërve kërkoi një zgjidhje për mungesën e librave si dhe gabimet që bëhen në tekstet shkollore. Ishte ideja e tyre që të bëhet një peticion për furnizimin me libra”, tha Ademi.

Më tutje, thotë ai se si sektor e formuluan peticionin dhe ua dërguan shkollave.

“Me nënshkrimet e prindërve së bashku me shkresën nga ana e sektorit do ti drejtohemi Ministrisë së Arsimit me ultimatum që të na furnizojnë me librat që na mungojnë, ku në gjuhën shqipe kemi mungesë prej 23.100 libra, maqedone 2.934 dhe gjuhën turke 1.525”, theksoi Ademi.

Ai tha se falë kësaj nisme, dje Ministria e Arsimit dhe Shkencës i furnizoi shkollat fillore me përafërsisht 1500-2000 libra.

“Mirëpo kjo nuk mjafton kështu që Komuna e Tetovës do të vazhdoj me peticionin deri sa të arrihet të furnizohen komplet të gjitha shkollat me numrin e nevojshëm të librave”, tha Ademi.

Për këtë, sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një reagimi vlerësoi se prindërit e nxënësve të shkollave fillore në komunën e Tetovës mënyrë të pabazë thirren që të nënshkruajnë këtë peticion.

“Nuk do të donim të besojmë se bëhet fjalë për iniciativë e qendrës politike dhe prandaj po ndajmë më shumë informata me qytetarët për procesin e prokurimit dhe dorëzimit të teksteve shkollore. Të dhënat tregojnë se komuna e Tetovës ka pasur tirazhin më të madh të teksteve shkollore këtë vit shkollor, krahasuar me atë që ka kërkuar vetëqeverisja lokale. Konkretisht, nga 52,884 tekste të kërkuara, janë dorëzuar 42,000 tekste shkollore (79,4%). Në vitin paraprak shkollor raporti ka qenë 45.563 tekste të kërkuara dhe 20.440 tekste të dorëzuara (44,8%), ndërsa në vitin 2020-2021 janë kërkuar 84.575 kopje dhe janë dorëzuar 39.725 tekste shkollore (43%). Shumica e teksteve të dorëzuara janë tërësisht të reja, të përgatitura në përputhje me programet mësimore të reja të cilët i ka paraparë reforma”, thuhet mes tjerash në reagimin e MASh , nga ku kërkuan që komuna e Tetovës të përfshihet në partneritet dhe të japë kontributin e saj, në mënyrë që reforma të përmbyllet me sukses.

Kujtojmë që shumë nxënës të shkollave fillore edhe këtë gjysmëvjetor të dytë e filluan me mungesë të disa librave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button