Tetova mbledh ndihma për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri, thirrje për angazhim masiv (Video)

Tetova filloi me grumbullimin e ndihmave për të dëmtuarit nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Grumbullimi nisi nga dje në hapësirat e nismës “Më Mirë për Tetovën”, ndërsa sot iniciativa zhvillohet nga ana e Komunës së Tetovës në sheshin “Iliria” dhe gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, shkruan Portalb.mk.

Nga aksioni i cili filloi mbrëmë, nga “Më Mirë për Tetovën” njoftojnë se u mblodhën veshmbathje, batanije, jorganë, materiale higjienike edhe ushqim për fëmije.

“Faleminderit të gjithëve që donuan gjësende dhe mundësuan t’i ndihmojmë viktimat e tragjedisë në Turqi! Aksioni vazhdon edhe në ditët në vijim në lokacionin Rruga K. J. Pitu nr. 78, Tetovë (në afërsi të Xhamisë së Sahatit), çdo ditë nga ora 18:00 – 21:00. Numri për kontakt për ndihmat: 072 694 983”, thanë nga MMPT.

Aksioni tjetër i organizuar nga Komuna e Tetovës për mbledhjen e donacioneve (rrobave, ushqimeve të konservuara, batanije, medikamente mjekësore) zhvillohet në sheshin “Iliria” dhe gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” dhe i njëjti do të zgjasë deri me datën 21 shkurt nga ora 10:00-18:00.

Komuna gjithashtu ka hapur edhe xhirollogari bankare ku qytetarët mund të ndihmojnë me mjete financiare, detaje për të cilën gjeni KËTU.

“Këtë mund ta bëjmë në kuadër të mundësive tona si qytetarë, si Komunë e Tetovës të ndihmojmë dhe të jemi pranë popullit turk në këto momente kritike. Më lejoni që të bëjmë ftesë te të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë që të ndihmojnë me aq mundësi sa kanë. Kemi siguruar edhe fletë-pagesa të plotësuara gati me çka qytetarët do të mund që përmes sistemit pagesor të donojnë edhe mjete për të ndihmuar qytetarët e prekur nga kriza”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Elma Sherifi nga Komuna sqaroi se ndihmat të cilat do të mblidhen nuk do të shkojnë në këtë formë por do të selektohen të gjitha, do paketohen, do kenë mbishkrime se çfarë janë.

“Nevoja më e madhe është që të ketë të paktën xhupa, kapela, shall, doreza, ushqime të paketuara dhe medikamente”, tha Sherifi.

Sherifi tha se donacionet do shkojnë përmes ambasadës.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme dje, Këshilli Komunal i Tetovës me shumicë votash (29) miratoi të ndahet ndihmë financiare prej 1 milion denarësh për popullin turk dhe sirian.

Komuna e Tetovës dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në shenjë solidarizimi dhe mbështetjeje ka dërguar një grup prej 9 zjarrfikësish të specializuar dhe të licencuar për fatkeqësi natyrore drejt Turqisë.

Ndihmë kanë ndarë edhe komuna të tjera nga vendi si dhe Qeveria.

Numri i të vdekurve në Turqi është rritur në 12.873 gjatë natës, nga 12.391 sa ishin dje deri në orët e vona të natës, njoftoi agjencia e vendit për fatkeqësitë. Shifra më e fundit nga Siria është 2.992. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të të vdekurve në mbi 16 mijë.

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button