Antibixhozi: Presim që ndryshimet ligjore për lojërat e fatit të futen në funksion, ishte koha të fillohet nga diku (Video)

Lëvizja Antibixhoz përshëndet miratimin e propozim-ligjit nga Qeveria për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat zbavitëse në të cilin parashikohet që hapësirat në të cilët organizohen lojërat e fatit që të jenë larg shkollave jo më pak se 500 metra, shkruan Portalb.mk.

Jushi Emërllahu nga Lëvizja Antibixhoz thotë se ishte koha që të fillohet nga diku për këtë gjendje kaotike që mbisundon më Maqedoninë e Veriut.

“Si fillim jemi të kënaqur dhe presim që këtë ligj ta fusin urgjentisht në funksion dhe që të veprojë shteti për parandalim të lojërave të fatit. Edhe pse kërkesat tona kanë qenë fillimisht tre kilometrave jashtë vendbanimeve dhe objekteve shkollore, por edhe ky ligj tash për momentin është i pranueshëm për ne”, tha Emërllahu.

Ai theksoi se beteja e tyre si lëvizje e filluar shtatë vite më parë më në fund kurorëzohet me një ligj i cili përsëri është i cunguar që përfshin 500 metra vijë ajrore.

“Mendojmë se do të pastrohet e gjithë Maqedonia jo vetëm Tetova, por gjithë qytetet nga kjo katrahurë që e ka përfshirë këtë vend dhe tash mund të mendojmë se erdhi koha të bëhemi anëtarë të Bashkësisë Evropiane”, tha Emurllahu i cili shtoi se do të përcjellin këtë ligj deri në fund dhe do të vazhdojnë me iniciativa tjera qytetare në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Për dallim nga Lëvizja Antibixhoz, të pakënaqur janë Asociacioni i Punonjësve të Lojërave të Fatit sipas të cilëve Qeveria më këtë vendim do të lë pa punë dhjetë mijë punëtorë, ndërsa sipas tyre do të rritet organizimi i lojërave të fatit në të zezë.

“Qeveria do të përpiqet që propozim-amendamentet e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese t’i shtyjë në Kuvend me procedurë të shpejtë me flamur europian. Do të anulojë punën e 10 mijë personave dhe do të varfërojë buxhetin e shtetit me 280 milionë euro në vit. E gjithë kjo në kushtet e një krize ekonomike të paprecedentë, më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore”, thanë nga Asociacioni i Punonjësve të Lojërave të Fatit.

Qeveria në seancën e djeshme e konfirmoi Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat zbavitëse të propozuar nga Ministria e Financave.

“Me qëllim të mbrojtjes së popullatës së re, me ndryshimet dhe plotësimet propozohet që hapësirat afariste, gjegjësisht vendet për pagesë në të cilat organizohen lojërat e fatit të jenë në largësi jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. Me ligjin ekzistues nuk është konfirmuar largësia e hapësirave afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit nga shkollat fillore dhe të mesme, gjegjësisht nuk e konfirmon kriterin e këtillë”, informuan dje nga Qeveria.

Midis qëllimeve të ndryshimeve të propozuara, nga Qeveria potencuan edhe në nevojën për përforcim të dëshmive të nevojshme për dhënie të licencave, si dhe saktësim të asaj se një shoqatë tregtare me një licencë organizon një lloj të lojërave të fatit. Me Propozim-ligjin rriten edhe kompensimet për dhënie të licencave për lojëra të fatit.

Në Maqedoninë e Veriut, mbetet që deputetët të vendosin nëse dhe çfarë masash kufizuese do të vendosin për organizatorët e lojërave të fatit, duke marrë parasysh faktin se janë propozuar dy tekste të ndryshme për ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual.

Deputetët duhet të vendosin edhe për atë se edhe për masën kufizuese në lidhje me numrin dhe lokacionet në të cilat kazinotë dhe bastoret në Maqedoninë e Veriut do funksionojnë pa probleme.

Në vend disa herë gjatë viteve të kaluara nëpër qytete janë mbajtur protesta kundër hapjes së kazinove dhe bastoreve, me theks të veçantë në Tetovë nga lëvizja Antibixhoz të cilët dhjetorin e kaluar njoftuan për organizim të referendumit lokal për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, në përkrahjte të të cilit doi edhe Komuna e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button