Kaloi edhe janari, ende nuk ka tender për ndërtimin e deponisë rajonale në Sveti Nikole

Deponia e Kumanovës “Krasta” është një nga lokacionet që duhet të rikultivohet, të kthehet në stacion ngarkim-shkarkimi dhe të ndërtohet një impiant për kompostimin e mbeturinave biologjike, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Muaji i parë i vitit 2023 kaloi, por njoftimet për shpalljen e tenderit për ndërtimin e deponisë së parë rajonale sipas standardeve të BE-së në vendin tonë nuk u realizuan.

Fabrika moderne e mbeturinave për Rajonin Lindor dhe Verilindor duhet të ndërtohet në Komunën e Sveti Nikoles. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në fund të nëntorit të vitit të kaluar njoftuan se presin që Sektori për Financim Qendror dhe Kontraktim (SFQK) dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2022 të miratojnë tenderin, pas çka do të vijojë shpallja e tij.

“Hapi i radhës është shpallja e tenderit, i cili do të pasohet nga një periudhë 90-ditore për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit e interesuar dhe zbatimin e procedurës së vlerësimit. Lidhja e kontratës dhe fillimi i aktiviteteve ndërtimore janë planifikuar për në gjysmën e dytë të vitit 2023”, tha ministri për mjedisin jetësor dhe planifikimin hapësinor, Naser Nuredini, vjet më datën 29 nëntor.

Meta.mk tri herë, pra më 18, 23 dhe 30 janar, iu drejtua me pyetje Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për atë se deri ku ka arritur procedura për shpalljen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e deponisë rajonale në afërsi të fshatit Meçkuevci në Ovçe Pole, por nuk morëm përgjigje. Një sqarim i shkurtër se tenderi nuk është shpallur u dha në një deklaratë të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor që u publikua më 2 shkurt, në të cilën përcillet deklarata e ministrit të mjedisit jetësor, Naser Nuredini.

“Sistemi rajonal i menaxhimit të mbeturinave në Rajonin Lindor dhe Verilindor financohet përmes programeve IPA dhe së shpejti pritet të fillojë procedura e tenderit”, është kjo deklarata e ministrit Nuredini e bërë më 2 shkurt të këtij viti.

Përndryshe, procedura e tenderit për gjetjen e kompanisë që do të ndërtojë deponinë rajonale për Rajonin Planor Lindor dhe Verilindor po zvarritet për një kohë të gjatë dhe problemi i ngecjes së realizimit të këtij projekti është theksuar edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së për vitin 2022, i cili kërkoi nga autoritetet e RMV-së që këtë vit t’i dedikohen realizimit të këtij projekti.

“Zbatimi i një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave në Rajonin Verilindor dhe Lindor është shtyrë edhe më shumë për shkak të rezistencës së komunës së Sveti Nikoles si lokacion ku duhet të ndërtohet kapaciteti qendror për menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian mbi progresin e reformave të vendit drejt BE-së për vitin 2022.

Në Raportin e KE-së, në pjesën e kapitullit për Mjedisin Jetësor dhe Ndryshimet Klimatike, ndërtimi i deponive rajonale, me theks të veçantë në atë të Sveti Nikoles për Rajonin Lindor dhe Verilindor, theksohet si një nga tre aktivitetet kryesore për të cilat autoritetet duhet të punojnë gjatë vitit të ardhshëm.

Mjetet financiare për fabrikën moderne për mbeturinat për të dy rajonet janë siguruar përmes programit IPA 2 të BE-së dhe përfaqësojnë një grant të pakthyeshëm në vlerë prej rreth 40 milionë euro. Kjo deponi rajonale afër fshatit Meçkuevci të Ovçe Poles do duhet t’u shërbejë rreth 370.000 banorëve dhe do të ketë një kapacitet të përgjithshëm për pranimin e 900.000 metra kub mbeturinave.

Me ndërtimin e saj duhet të mbyllen deponitë komunale ekzistuese jo standarde në Rajonin Planor Lindor dhe Verilindor, të cilat paraqesin pika të rrezikshme ekologjike për shkak të ndotjes së pakontrolluar të tokës dhe ujit nga rrjedhjet nga deponitë dhe ajrit për shkak të djegies së kohëpaskohshme të mbeturinave.

Krahas trajtimit bashkëkohor të mbeturinave në deponinë e ardhshme rajonale në Meçkuevci, që nënkupton ndalimin e depërtimit të rrjedhjeve të mbeturinave në tokë dhe ujë, në këtë lokacion do të ndërtohen impiante për seleksionimin sekondar të mbeturinave të grumbulluara, si dhe impiante për copëtimin e mbetjeve, përpunimin e metaleve me ngjyrë dhe skriningun dhe kompostimin e mbeturinave të kopshteve. Kjo praktikisht do të thotë se Maqedonia për herë të parë do të bëhet me një fabrikë moderne për mbeturina, në lokacionin e të cilës do të depozitohet vetëm një përqindje e caktuar e mbeturinave të grumbulluara.

Përndryshe, i gjithë viti 2022 kaloi në një atmosferë të tensionuar në lidhje me temën e ndërtimit të deponisë rajonale për Rajonin Planor Lindor dhe Verilindor. Para një viti Komuna e Sveti Nikoles deklaroi se nuk pajtohet që ky projekt të ndërtohet në lokacionin në afërsi të fshatit Meçkuevci. Edhe krahas apeleve të kryetarëve të tjerë të komunave nga të dy rajonet për të mos e penguar realizimin e projektit nga Komuna e Sveti Nikoles, autoritetet lokale të Sveti Nikoles nuk hoqën dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj ndërtimit dhe thanë se nëse ka nevojë do shpallin edhe referendum për të parë mendimin e qytetarëve në nivel të komunës.

Pas këtij zhvillimi të ngjarjeve në prill të vitit të kaluar Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor u kërcënua se do ia marrë kompetencat Komunës së Sveti Nikoles për projektin për ndërtimin e deponisë rajonale në Rajonin Planor Lindor dhe Verilindor. Si kriter për fillimin e realizimin e projektit BE-ja e ka caktuar krijimin e plotë të strukturës udhëheqëse të ndërmarrjes publike ndër-rajonale për menaxhimin e mbeturinave “EKO LINDJE – VERILINDJE”.

I lidhur me ndërtimin e deponisë rajonale në Komunën e Sveti Nikoles është edhe projekti i BE-së për mbylljen e deponive të egra në të gjitha komunat e Rajonit Planor Lindor dhe Verilindor. Mbeturinat e hedhura në këto lokacione duhet të mihen dhe të transportohen, katër nga deponitë komunale të pastrohen dhe të mbyllen me një shtresë mbuluese dhe të ndërtohen sisteme për grumbullimin e rrjedhjeve dhe gazrave, ndërsa tek pesë nga deponitë komunale aktuale duhet të ndërtohet sistem për mbledhjen e rrjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button