Amvisëritë në RMV do të marrin prej 600 deri në 800 denarë për rrymë, aplikimet deri në  shkurt

Deri në fund të muajit shkurt amvisëritë me të ardhura të ulëta mund të aplikojnë për subvencionim të faturave për rrymë. Thirrja publike tanimë është publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ndërkaq për këtë masë janë parashikuar 60 milionë denarë, njofton Portalb.mk.

Subvencionimi për këtë kategori të qytetarëve do të jetë prej 600 deri në 800 denarë, varësisht prej të ardhurave dhe numrit të anëtarëve të familjeve.

“Për një person me të ardhura deri në 18.000 denarë, për amvisëri me dy anëtarë deri në 25.000 denarë, për amvisëri me tre anëtarë deri në 30.000 denarë, zbritja e faturave do të jetë për 600 denarë. Për amvisëritë me katër anëtarë me të ardhura deri në 36.000 denarë dhe për amvisëri me pesë ose më shumë anëtarë deri në 43.000 denarë, zbritja e faturës do të jetë 800 denarë”, tha ministri Bekteshi në konferencë për shtyp në të cilën informoi edhe për masat e Ministrisë së Ekonomisë të cilat janë miratuar në seancën e fundit qeveritare.

Sipas tij, kjo masë këtë vit është zgjedhur edhe me kategori tjera të personave të rrezikuar social siç janë shfrytëzuesit e të drejtës për kompensim për shkak të pengesës, prindërit vetëushqyes të cilët nuk janë të evidentuar si shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar dhe shfrytëzuesit e të drejtës së kompensimit për dëmtim trupor.

“E re është që nëse këto amvisëri kursejnë energji elektrike për 10% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, atëherë do të ketë plotësisht edhe 200 deri në 300 denarë zbritje të faturës për energji elektrike në varësi prej kategorisë”, tha Bekteshi.

Vitin e kaluar, nëpërmjet kësaj mase janë subvencionuar 4.379 amvisëri, ndërkaq janë paguar gjithsej 33 milionë denarë, derisa këtë vit pritet që të mbështetjen 8.500 amvisëri.

“Fokus i Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023 do të jetë energjetika dhe menaxhimi me krizën energjetike. Në pajtueshmëri me buxhetin për këtë qëllim nëpërmjet masave dhe programeve të Ministrisë së Ekonomisë janë siguruar gjithsej 200 milionë denarë, gjegjësisht 3.2 milionë euro, që është tre herë më shumë se vitin e kaluar”, tha ministri.

Ndryshe, çmimi i energjisë elektrike nga 1 janari i vitit 2022 u rrit për 9,48 për qind kur edhe filloi masa për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e rrezikuara sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button