Tetova mbledh libra për bibliotekën shqipe të Manastirit (Video)

Nismës për hapjen e bibliotekës shqipe në Manastir së fundmi i është bashkuar edhe Tetova, konkretisht Klubi i Librit të Tetovës dhe biblioteka “Max van der Stoel” të cilët bëjnë grumbullimin e librave. Nisma mbështetet edhe nga Klubi i Lexuesve të Tetovës i cili sapo është formuar, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët e interesuar, librat mund t’i dhurojnë në hapësirat e bibliotekës “Max van der Stoel” të UEJL-së.

“Ne jemi këtu qendër ku mund të mblidhen të gjitha librat nga Pollogu, të gjithë ata që kanë interesim që të sjellin libra mundet lirisht që t’i sjellin ose në kampusin në Tetovë ose në Shkup. Biblioteka në Tetovë punon çdo ditë pune nga ora 8 në mëngjes deri ora 9 në mbrëmje, kurse në Shkupit nga ora 8 deri ora 4”, tha drejtoresha e bibliotekës, Elmedina Abdullai për Portalb.

Përveç ndihmës me libra, Abdullai sqaroi se kanë vendosur të ofrojnë edhe ndihmë profesionale që projekti të jetë i qëndrueshëm.

“Nëse do të arrijmë që gjejmë vullnetarë të mjaftueshëm, bibliotekistët e “Max va nder Stoel” janë të gatshëm si dhe departamenti i IT-së në UEJL në bashkëpunim me disa organizata tjera që përkrahin arsimin në trojet tona, do mundohemi të japim ndihmë të sistemohen dhe regjistrohen të gjithë titujt e librave në platformë digjitale, të ketë një online katalog dhe të interesuarit të kenë mundësi të shohin shohin se cilat tituj mund t’i gjejnë në bibliotekën shqipe të Manastirit”, theksoi Abdullai.

Klubi i Librit të Tetovës thonë për Portalb se përkrahin këtë nismë, me qëllimin e vetëm për të pasuruar me libra në gjuhën shqipe bibliotekën shqiptare në Manastir.

“Një iniciativë kaq bujare meriton një përkrahje të gjithanshme na miqtë dhe dashamirët e librit, përmes dhurimit të librit, ku anëtarët e klubit do të kenë mundësi në hapësirat e bibliotekës së UEJL-së t’i dorëzojnë librat, dhe të jenë pjesë e këtij eventi historik, me përpjekje të mbajtjes së trashëgimisë, kulturës dhe fjalës së shkruar në gjuhën shqipe”, thanë nga Klubi i Librit.

Në ndërkohë Klubi i Lexuesve të Tetovës i cili sapo është formuar dhe si për qëllim ka përhapjen e leximit te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, gjithashtu përkrah nismën për bibliotekën e Manastirit duke mbledhur libra.

Nisma e tyre mbështetet nga Komuna e Tetovës të cilët u kanë ofruar hapësirat e ish Radio Tetovës për të bërë grumbullimin e librave.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami njoftoi se duke mbështetur këtë nismë ka dhuruar një komplet librash të Ismail Kadaresë.

“Duke bërë thirrje te çdo lexues i librave dhe qytetarë të tjerë që duke filluar nga sot (07.02.2023) e deri në ditën e Hënë (13.02.2023), duke filluar nga ora 10:00-16:00 në objektin e ish Radio Tetova të dhurojnë libra nga më të ndryshmet për qytetin e Kongresit të Alfabetit Shqip”, njoftoi Kasami.

Nisma për krijimin e Bibliotekës shqipe në Manastir filloi në fund të vitit të kaluar nga studentja Emira Selimi, qëllimi i së cilës është që biblioteka të shërbejë për mbrojtjen gjuhës shqipe në këtë qytet.  Nisma deri më tani e njëjta është përkrahur nga individ, organizata dhe institucione nga vendi, Kosova dhe Shqipëria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button