“Llaskarca” u anulua pasi eksperti është sëmurë, prokurori dhe të dëmtuarit dyshojnë se kjo është lojë e kurdisur

Eksperti Zeqirija Zeqiri, njëri prej katër autorëve të superekspertizës makinerike për fatkeqësinë e autobusit në Llaskarcë përpara katër vjetëve, sot nuk është paraqitur në seancë ku do të duhej të përgjigjet në pyetjet finale të prokurorit Darko Jakimovski nga PTHP Shkup, njofton Portalb.mk.

Arsyeja e mungesës është përkeqësimi i gjendjes shëndetësore, për çka kolegët e tij e kanë njoftuar gjykatën.

“Gjykata është e njoftuar se për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, eksperti nuk ka mundësi të marrë pjesë në diskutimin e sotëm kryesor dhe ai gjendet në kontroll spitalor”, tha gjykatësja Dijana GruevskaIlievska.

Ajo paralajmëroi se do të kërkojë që Zeqiri me dokumentacion mjekësorë ta arsyetojë mungesën e sotme, ndërkaq kolegët e tij theksuan se ai dje në Viber ua ka dërguar udhëzimin për kontroll spitalor i cili i është dhënë për datën e sotme.

Megjithatë, prokurori dhe të dëmtuarit dyshojnë se kjo nuk është arsyeja e vërtetë e mungesës së tij.

“Asnjëherë nuk kam qenë arsye për zvarritjen dhe anulimin e seancës. Megjithatë, është korrekte që edhe ai personalisht të ju njoftojë si gjykatë. Kam arsye të bazuar që të dyshoj se kjo është punë e kurdisur, ekspertët tjerë të jenë këtu, ndërkaq ai të mos jetë këtu”, tha prokurori Jakimovski.

Gjykatësja pyeti, por ai nuk u pajtua që t’i pyes kolegët tjerë të tij.

“Kam pyetje konkrete për këtë ekspert dhe përmenda se sot do të shkoj drejt poentave finale”, tha Jakimovski.

Një pjesë e familjarëve treguan pakënaqësi për mungesën e ekspertëve, ndërkaq para gazetarëve theksuan se dyshojnë për lojë të kurdisur.

“Dyshojmë se kanë filluar të bëjnë lojë pasi që ky ekspert ka treguar se nuk lidhje të lehtë me lëndën që i është bërë ekspertizë nga Byroja për Ekspertiza Gjyqësore. Vetë jeni dëshmitarë se në pyetje më themelore nga Prokuroria nuk di të përgjigjet. Asnjëherë në jetën e tij nuk ka pasur lëndë të këtillë për të bërë ekspertizë, dy vjet ka licencë për ekspertizë, nuk di të lexojë shirita takografik… kështu që ne të dëmtuarit të besojmë se atë ekspertizë e ka bërë Byroja dhe ai person është relevant dhe e ka bërë në mënyrë profesionale. Mosardhja e tij e sotme, tregon se po blihet kohë me qëllim që të anulohet ky proces dhe ai të mos merret në pyetje më tej nga ana e Prokurorisë”, tha Bllagojçe Trpevski, babai i njëri prej të pasagjerëve ë lënduar në aksidentin e autobusit “Durmo Turs”.

Nga ana tjetër, avokatët e të akuzuarve, sot vlerësuan se mund të vazhdojë seanca dhe se prokurori duhet t’i pyes ekspertët e tjerë.

Megjithatë, gjykatësja për shkak të insistimit të prokurorit e ka anuluar seancën, ndërkaq nuk dihet se a do të mbahet edhe seanca e radhës më 9 shkurt. Megjithatë, ajo paralajmëroi se nuk do të lejojë anulime të tjerë “madje edhe vetëm njëri prej ekspertëve të paraqitet”.

Kjo superekspertizë për lëndën “Llaskarca”, fajin e hedh mbi shoferin, ndërkaq ekspertiza e Prokurorisë tregon se autobusi ka pasur parregullsi.

I akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Laskarcës, që ndodhi më 13 shkurt 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe mbetën të plagosur rëndë mbi 30, është Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Tours”, personi përgjegjës për transportin në kompani Ramzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, ndërsa tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

Procesi gjyqësor për aksidentin e nisur në shtator të vitit 2019 e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button