AShMAA prezantoi ueb-faqen e re të specializuar “Gjinia dhe mediat”

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AShMAA) promovoi sot ueb-faqen e re të specializuar “Gjinia dhe mediat”. Në konferencën për media folën ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska dhe drejtori i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, Zoran Trajçevski, transmeton Portalb.mk.

“Fuqia e mediave dhe aftësia e tyre për të raportuar profesionalisht tek publiku, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të formësuar opinionin e të gjithë publikut është e madhe. Prandaj, është e një rëndësie të veçantë shkëmbimi i informatave të sakta nga ana e tyre, dhe detyra jonë si institucione është që të sigurojmë të njëjtën gjë”, theksoi ministrja Trençevska në fjalimin e saj.

Ajo theksoi edhe përpjekjet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për promovimin e barazisë gjinore në vend.

“Pas ratifikimit të Konventës së Stambollit, u miratua Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, duke kontribuar kështu në një përmirësim të dukshëm të asistencës dhe mbështetjes institucionale dhe gjithëpërfshirëse për viktimat e dhunës me bazë gjinore. Qëllimi është parandalimi dhe mbrojtja efektive e viktimave nga çdo formë e dhunës me bazë gjinore me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut”, tha ministrja Trençevska.

Drejtori i AShMAA, Zoran Trajçevski, prezantoi ueb-faqen e re të specializuar për gjini dhe media. Faqja do të jetë qendër burimore për mediat, një vend ku ata mund të gjejnë burime, informacione, linqe për aspekte të ndryshme të çështjeve gjinore, duke përfshirë dhunën me bazë gjinore, por edhe një vend ku qytetarët mund të gjejnë linqe dhe informacione të dobishme – përfshirë institucionet dhe organizatat, nga të cilat mund të kërkojnë ndihmë në rast se i nënshtrohen dhunës me bazë gjinore.

Trajçevski theksoi se faqja administrohet nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele dhe është e disponueshme në maqedonisht, shqip dhe anglisht, ndërsa është përshtatur edhe për personat me shikim të dëmtuar.

Në ueb-faqe të gjitha institucionet dhe organizatat civile mund të ndajnë materialet dhe aktivitetet me të cilat punojnë në fushën e çështjeve gjinore, të cilat do të kontribuojnë për të qenë qendër burimore cilësore për të gjithë gazetarët, studiuesit që punojnë në këtë çështje, si dhe për publikun nëpërgjithësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button