Porosi të birit…

Shpesh kemi dëgjuar të thonë ‘’jeta është mësuesi më i mirë’’, dhe s’do mend se e tillë është. E nuk janë tjetër mësimet dhe urtësitë që shpalosin të tjerët përpos se eksperienca të fituara e mësuara nga jeta!

Po çfarë mësova unë?! Këtë desha t’ia përcjellë të birit:

Nga jeta mësova se shoqëria është sikurse ombrella, sa më shumë që shtohet shiu, aq më shumë shtohet nevoja për të!

Jeta më mësoi që për ta, të jemi sikurse ilaçi, i patjetërsueshëm për t’u konsumuar, atëherë kur njeriu ka sëmundje dhe dhimbje, e sa më shumë që braktisemi, aq më të nevojshëm bëhemi!

Mësova se kjo botë është sikurse uji i detit, sa më shumë që të pijmë, aq më shumë do t’a shtojmë etjen.

Nga jeta mësova se duhet të bëhemi sikurse pema të cilën njerëzit e gjuajnë me gurë ndërsa ajo ju lëshon frute. Mos harro: njerëzit asnjëherë nuk shfaqin interesim për frutat e kalbura!

Mësova se nuk duhet tepruar as në dashuri e as në urrejtje ngaqë ndodhë që, miku më i afërt të shndërrohet në armik, e armiku më i madh të bëhet miku më i afërt.

Mësova se me të tjerët duhet të sillem, ashtu siç dua që ata të sillen me mua. 

Mësova se dhimbjet dhe pikëllimet më të mëdha që marrim në jetë, janë ata që i’u shkaktohen më të dashurve dhe më të shtrenjtëve tanë!

Mësova se jeta vazhdon, pavarësisht asaj se a qesh apo qan, rrëzohesh apo vazhdon më tutje, andaj të mos ndalojmë dhe mos e ngarkojmë veten me shqetësime prej të cilave nuk kemi dobi!

Mësova se vështirësia që shoqëron rrugën e suksesit do të largohet e përfundojë kurse gjurmët, suksesi e rezultati, do të ngelin përgjithmonë. Andaj, tërë kënaqësia e përtacisë nuk vlen as sa edhe një çast i vetëm i kënaqësisë së suksesit! Dështimi, është rruga drejt suksesit! Të mos ndalem e dorëzohem asnjëherë.

Jeta më mësoi që gjërat e vështira, nuk janë tjetër përpos se një grumbull i gjërave të lehta, të lëna pas dore!

Kuptova se çdo ditë është një mundësi e re për t’u bërë më të mirë se dje. Më të mirë seç jemi. Të perfeksionohemi. Të bëhemi versioni më i mirë i vetes dhe ta zotërojmë atë. Zotërimi i vetes është fuqia dhe pushteti i vërtetë!

Mësova se kur njeriut i afrohet fundi i jetës së tij, e kupton se sa e shkurtër është jeta…

Kjo botë fillon me qarje, mesi i saj është me përplot mundime e fundi i saj është ndarja!

Nga jeta mësova se i mençuri e ndezë zjarrin që të mund të ngrohet, e i çmenduri që me të të digjet!

Mësova se ekziston sëmundja, për t’a kuptuar dhe ditur vlerën e shëndetit. Ekziston gënjeshtra, për të hulumtuar të vërtetën. Ekziston nata, që t’ia dijmë vlerën ditës. Ekziston lodhja dhe puna, për t’a ditur e kuptuar vlerën e pushimit. Ekziston vdekja, për t’a ditur, kuptuar e vlerësuar jetën.

Kuptova se; nuk është shkrimtarë çdokush i cili mban lapsin, nuk është burrë çdokush i cili mban mjekër e mustaqe, e nuk është i lumtur çdokush i cili buzëqesh!

Jeta më mësoi se megjithatë, s’duhet të dëshpërohem e vuaj edhe kur të sëmuren, për shkakun se ekzistojnë shumë të tjerë më të sëmurë se unë që me vite të tëra i kalojnë netët e gjata duke vështruar tavanin e spitalit. Mësova se duhet të jem i kënaqur edhe atëherë kur më mungon vetura, për shkakun se ekzistojnë shumë të tjerë të cilëve i’u mungojnë këpucët, e të mos brengosem me mungesën e këpucëve duke përkujtuar ata të cilëve i’u mungojnë këmbët. Mësova se, të jem i kënaqur me atë që kam, është pasuria më e madhe.

Kështu, më mirë të fleshë i shëndoshë e në shtëpinë e vjetëruar se sa të fleshë i sëmurë e në krevatin e qëndisur me ar. Nëse jemi të varfër, ka përplot të tjerë të cilët janë të zhytur në borxhe!

Jeta më mësoi që unë mund të blej orët më të shtrenjëta në botë, por asnjëherë nuk do të mund t’a blej kohën. Mund t’a blej dyshekun e krevatin me ar, por asnjëherë nuk do të mund t’a blej gjumin. Mësova se komoditeti material është i rëndësishëm dhe e lehtëson jetën, por nuk e plotëson dhe përmbush atë vetëvetiu!

Mësova se buzëqeshja, gëzimi dhe lumturia e prindërve, bashkëshortes dhe fëmijëve të mi, s’mund të blihen me para. E keni parë që momentet më të bukura dhe të lumtura të jetës të cilat i kalojmë, n’a ikin pa i fotografuar dhe inçizuar? Po, ngase ata nuk përshkruhen, thjeshtë përjetohen.

Mësova se paraja dhe lakmia për të, t’a humb dinjitetin, krenarinë, autoritetin dhe burrërinë.

Në jetë mësova se njerëzit janë në gjendje t’i falin të gjitha, përpos suksesit! Atë s’mund t’a kapërdijnë assesi!

Jeta n’a mëson se nuk ka jetë pa probleme, porse, nuk është problem të kemi një problem!Problem është, të mos dijmë të gjindemi në problem, sepse të gjitha kanë një e më shumë zgjidhje.

Në këtë jetë mund të shohim prindër të cilët e rrisin fëmijën e tyre, e ushqejnë, veshëmbathin, qëndrojnë zgjuar që ai të mund të flejë, qëndrojnë të uritur që ai të mund të ushqehet, veshin këpucët e vjetra që ai të mund të vesh këpucë të reja, etj., megjithatë kur ai bëhet ‘burrë’, i braktisë, fyen dhe poshtëron ata, e madje i dërgon në azil! Kështu, unë asnjëherë nuk pres mirënjohje nga askush. Prandaj asnjëherë nuk duhet të befasohemi kur ndokujt i dhurojmë një laps, e ai me të shkruan fyerje kundër nesh.

Jeta më mësoi që poqese ndokush n’a dhuron një limon, të hedhim paksa sheqer në të! Kur gjarpri dëshiron të n’a kafshojë, të mos irritohemi. T’a shfrytëzojmë lëkurën e tij në dobi të njerëzve!

Mësova se çdoherë kur dua të nuhas aromën e trëndafilit, duhet të kem duruar gjembat. 

Mësova se duhet që t’a dëbojmë shqetësimin, brengën, mërzinë dhe pikëllimin nga jeta jonë. Sëmundja do të largohet, fëmiu do të rritet, puna do të vjen, shtëpia do të ndërtohet dhe pas natës së gjatë e të errët, përsëri do të lind agimi i mëngjesit. Tek ne, do të ngelë vetëm llumi i pikëllimit!

Jeta më mësoi se nuk duhet të mërzitem dhe brengosem për të kaluarën e as të kem frikë për të ardhmen, porse, t’a jetoj e përjetoj kënaqësinë që ofron dita e sotme sikurse të ishte dita e fundit. Të kaloj çaste të bukura dhe të lumtura me më të dashurit e më të shtrenjtit e mi dhe se;

“Në qoftë se kemi një mijë arsye për t’u pikëlluar e dëshpëruar, të vëmë re, kemi edhe shumëfish më shumë arsye për të qenë të gëzuar dhe të lumtur.” Jeto!

Shkruan: Belkis Latifi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button