Osmani dhe Pendarovski takuan ministrin e MPJ-së së Çekisë: Integrimi i përshpejtuar evropian i vendit do ta forcojë sigurinë rajonale dhe evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jan Lipavski, po qëndron për vizitë zyrtare në vend, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ai deri tani është takuar me presidentin e vendit Stgevo Pendarovski dhe me ministrin Osmani. Në fokus të bisedimeve me Osmanin ishte procesi euro-integrues i Maqedonisë së Veriut, i cili fitoi dinamikë të re me fillimin e negociatave për anëtarësim gjatë presidencës çeke me Këshillin e BE-së. Në këtë kontekst, Ministri Osmani falënderoi për aktivitetet dhe rolin e Republikës Çeke nga pozita e Kryesuesit të BE-së, transmeton Portalb.mk.

Gjatë takmiit me Pendarovskin u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme mes dy vendeve, të cilat janë miqësore, me dialog intensiv politik në nivel të lartë.

Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në politikën e zgjerimit dhe në këtë kontekst u shkëmbyen mendime për rrjedhën e skriningut bilateral me BE-në.

Në takim u bisedua për gjendjen aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku presidenti Pendarovski theksoi se stabiliteti dhe siguria e rajonit, si dhe zhvillimi i tij demokratik, mbështeten në perspektivën evropiane dhe në atë drejtim theksoi nevojën që BE të ruajë fokusin e saj në rajon.

Presidenti Pendarovski dhe ministri Lipavski diskutuan edhe për situatën në Ukrainë, reagimin e partneritetit të aleatëve të NATO-s, si dhe për aktivitetet e kryesisë maqedonase të OSBE-së në këtë kontekst.

Ndërkohë ministri Osmani në takim me Lipovskin tha se i ka kërkuar që ta përdorë ndikimin e tij brenda Unionit, duke vazhduar ta demonstrojë mbështetjen çeke për vendin.

“Nuk guxojmë të lejojmë që të hymë në agjendën e provokatorëve dhe të heqim dorë nga përpjekjet tona për t’i kthyer marrëdhëniet e ndërsjella në vendin e duhur – shtëpitë e diplomacisë. Për këtë qëllim, çdo ndihmë është e mirëseardhur, veçanërisht nga miqtë tanë si Republika Çeke”, tha Osmani.

Lipavski theksoi se përshpejtimi i integrimeve evropiane është në dobi të përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, duke rikonfirmuar qëndrimin çek se Ballkani Perëndimor është pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e familjes evropiane.

Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani shkëmbeu mendime me homologun e tij çek për prishjen e rëndë të arkitekturës së sigurisë evropiane të shkaktuar nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës dhe pasojat e mëdha që ndjen Ukraina, por edhe Evropa dhe bota.

“Prezantova prioritetin tonë më të lartë si Kryesues: të ndalojmë vuajtjet e mëtejshme të njerëzve, të vëmë Organizatën në veprim përmes misioneve në terren për të zbutur pasojat e luftës, por edhe të parandalojmë krizat e reja dhe të ofrojmë mbështetje për rajonet e ndjeshme, duke ndjekur sloganin tonë, Fjala është për njerëzit”, nënvizoi Osmani.

Në takim u bisedua edhe për trendin dinamik pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin e shkëlqyer ekonomik. Osmani nënvizoi rëndësinë e madhe të mbështetjes çeke në mbrojtjen e kufirit tonë jugor nga migrimi i paligjshëm, që është një tjetër konfirmim i marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button