Administratorëve në RMV do t’u rritet paga, paralajmëroi ministri Bekteshi

Nga marsi i këtij viti paga minimale duhet të jetë rreth 20.500 denarë dhe për atë të gjithë të punësuarve në administratën shtetërore do t’u rritet paga në mënyrë lineare në vlerë prej mbi 2.000 denarë, tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ai shtoi se mjetet për këtë rritje janë siguruar nga buxheti për vitin 2023, njofton Portalb.mk.

“Ne miratuam zgjidhje ligjore në pjesën e caktimit të pagës minimale. Jo me vendim administrativ të ndonjë page të caktuar ose ndonjë ministrie. Metodologjia është tërësisht e harmonizuar me sindikatat dhe institucionet ku në pajtueshmëri me të gjitha të dhënat nga viti paraprak, paga minimale në mars duhet të jetë rreth 20.500 denarë dhe në sektorin privat dhe publik dhe ato mjete janë të parashikuara në të gjitha institucionet në buxhetin për vitin 2023. Që të ketë barazi duhet të ketë rritje lineare të pagës prej 2.000 denarëve për të punësuarit në administratën shtetërore”, tha Bekteshi, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske për masat qeveritare për mbështetje të qytetarëve.

Ministria thotë se askush nuk do të kundërshtonte një rritje të tillë të pagave dhe nëse është e nevojshme do të miratohet edhe zgjidhje ligjore.

“Nëse dikush e kundërshton rritjen e pagave, mendoj se do të bëjë gabim të madh, ndërkaq nëse duhet të miratohet zgjidhje ligjore, sipas të gjitha gjasave do ta mbështesin të gjitha partitë politike. Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që t’i rrisim pagat, duke e pasur parasysh inflacionin dhe pritjet e qytetarëve në atë drejtim të veprojmë si qeveri”, tha Bekteshi.

Ndryshe, më 23 shkurt të vitit 2022 me 90 vota “për”, asnjë të “përmbajtur” dhe asnjë “kundër”, Kuvendi i miratoi ndryshimet në Ligjin për Pagë Minimale, me të cilën paga minimale është rritur në 18.000 denarë.

Rritja e pagës minimale është kërkesë e sindikatave, sipas të cilave, bëhet fjalë për nevojë ekzistenciale të punëtorëve duke e pasur parasysh rritjen e shpenzimeve të jetesës dhe faktin që dy paga minimale janë pak për t’u mbuluar shporta sindikale minimale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button