Vazhdojnë përpjekjet e shpëtimit pas tërmeteve në Turqi dhe Siri, raportohet për mbi 7.200 viktima

Në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete. Mbi 7.200 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Ka shkuar në të paktën 7.200 numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Turqi e Siri, raportoi Guardian.

Paraprakisht u kumtua se ka shkuar në të paktën 6 300 numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Turqi e Siri, raportoi VizionPlus.

Mbi 30 000 mijë kanë mbetur të lënduar deri më tani ndërkohë që vijon puna nën rrënoja e ekipeve të kërkim shpëtimit në të gjitha zonat e prekura.

Numri i të vdekurve në Turqi deri tani është 4,544 sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).

Mbrojtja Civile e Sirisë ka njoftuar për të paktën 1782 viktima. Numrat vijojnë të rriten në një kohë që janë bërë rreth 40 orë nga lëkundja shkatërruese që preku të dy vendet.

Nën rrënoja vijon ende puna për nxjerrjen e trupave të pajetë e personave të mbijetuar të cilët po ‘luftojnë’ me kohën dhe motin e acartë.

This slideshow requires JavaScript.

Në Siri, në zonat e kontrolluara nga Qeveria, janë raportuar 812 persona të vdekur, tha agjencia shtetërore e lajmeve SANA.

Kjo agjenci tha se 1.449 persona janë plagosur në provincat Alepo, Lakatia, Hama, Idlib dhe Tartus.

Në pjesën veriperëndimore të shtetit, që kontrollohet nga rebelët, më herët u raportua se janë vrarë 450 persona dhe qindra të plagosur.

Shtetet në mbarë botën kanë thënë se do të dërgojnë ekipe për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, por deri më tani vetëm pak ekipe kanë arritur në vendngjarje.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ftohta dhe nga afër 200 dridhje pasuese të tokës, që kanë bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme.

Në provincën Hajat, zyrtarët thanë se 1.500 ndërtesa janë shkatërruar dhe shumë persona raportohet se kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, pa ndihmë dhe pa ekipe të kërkim-shpëtimit.

Në këtë provincë, mijëra persona janë strehuar në qendra të sportit apo në dyqane të mëdha ushqimore, ndërsa të tjerët janë detyruar që ta kalojnë natën jashtë.

Tërmeti, që kishte epiqendrën në provincën turke Kahramanmarash, ka detyruar që banorët e Damaskut dhe Bejrutit të kalojnë natën nëpër rrugë, përderisa dridhjet e tokës janë ndierë deri në Kajro.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare.

Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve të fuqishme. I fundit ishte presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili tha se ishte i gatshëm të dërgonte një ekip të kërkim-shpëtimit prej 60 personat si dhe furnizime mjekësore.

Qeveria pakistaneze ka dërguar një avion me pajisje të ndihmës dhe me një ekip të shpëtimit prej 50 anëtarësh. Ky shtet tha se do të organizojë fluturime ditore për në Siri dhe Turqi duke nisur nga 8 shkurti.

India tha se do të dërgojë dy ekipe të kërkimit dhe shpëtimit, përfshirë edhe qen të trajnuar dhe personel mjekësor.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bisedoi me Erdoganin dhe i ofroi ndihmë. Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni do të dërgojë një ekip të kërkim-shpëtimit për t’i ndihmuar Turqisë në përpjekjet e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button