Lajçak: Të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë-Serbi duhet të zbatohen

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, raporton VOA.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, prej nga shkoi në Beograd në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja palëve.

Javën e kaluar kryeministri Kurti tha se duhen plotësuar disa kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe kam informuar kryeministrin për qëndrimin tonë, por nuk dua të bëj analiza ligjore publike. Mendoj se ishte e dobishme që ne e bëmë këtë diskutim. Sërish ajo që duhet të përsëris është se gjithçka që është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet”, tha zoti Lajçak.

Zoti Lajçak tha se vizita e tij është vazhdimësi e përpjekjeve diplomatike për të arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin evropian.

“Ne diskutuam për propozimin dhe përgatitjen e një takimi konstruktiv të nivelit më të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç dhe misioni im sot do të vazhdojë me një takim me presidentin Vuçiç më vonë sonte në Beograd”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në rrjetet sociale pas takimit me zotin Lajçak se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsideron atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.

“Disa pyetje mbi garancitë ndërkombëtare, mekanizmat e zbatimit dhe renditjen kohore do të trajtohen së shpejti gjatë bisedimeve të ardhshme në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit europian na bëjnë me shpresë”, shkroi kryeministri Kurti.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, la të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Javën që lamë pas ai raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke theksuar pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button