Nuk ka afat konkret kur do lëshohet në funksion Urgjenca e Tetovës (Video)

Ndonëse në nëntor të vitit të kaluar ministri i Shëndetësisë Bekim Sali tha se në muajin shkurt të këtij viti pritet të lëshohet në funksion shërbimi i urgjencës në objektin e Spitalit të Tetovës, sot i pyetur për të njëjtën se a do të bëhet këtë muaj ai nuk dha afat konkret, përsëriti se për shumë shkurt urgjenca do jetë në funksion, shkruan Portalb.mk.

Ministri u arsyetua se Ministrisë së Shëndetësisë i takon sjellja e pajisjeve, të cilat tani më edhe janë prezentë në Spitalin e Tetovës.

“Ne premtimin dhe afatet kohore jemi munduar ti respektojmë dhe shihet se i kemi respektuar”, tha Sali.

Mirëpo nuk dha përgjigje konkrete nëse do të lëshohet shërbimi i urgjencës në funksion këtë muaj ose jo, sipas tij furnizimet publike janë pengesë në realizimin e shpejtë të disa punëve.

“Në pjesën tjetër e cila ka të bëjë me logjistikën, me hapjen e parkingut, me funksionalizimin e spitalit, për shkak të procedurave të furnizimeve publike të cilat shpesh janë pengesë për realizim të shpejtë të disa projekteve, Spitalit Klinik të Tetovës ia ka pamundësuar të bëjnë hapjen e furnizimit lidhur me përgatitjen e parkingut nga ana përskaj lumit. Hapat e para që i kanë marrë drejtorët janë procedurat lidhur me funksionalizimin e kësaj godine ku gjendemi tash. Besoj se për periudhë shumë të shkurtë do ta kemi në funksion pjesën e urgjencës përfundimisht pas 12 viteve”, tha Sali.

Edhe drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës, Amir Elezi duke mos konkretizuar tha se urgjenca është në fazën e fundit për ta lëshuar në përdorim.

“Jemi duke planifikuar dhe jemi shumë afër që të hapim procedurën edhe për rregullimin e parkingut dhe hyrje të veçantë për urgjencën”, tha Elezi.

Këto komente u bënë gjatë konferencës për shtyp të sotme në Spitalin e Tetovës ku u promovua furnizimi me pajisje diagnostikuese të cilat janë siguruar për 14 institucione shëndetësore publike në vend. Vlera totale e këtij bashkëpunimi me Bankën Botërore është 13.6 milionë euro prej të cilave për Tetovën janë ndarë 3.5 milionë euro.

“Konkretisht për Spitalin e Tetovës janë siguruar këto lloj pajisjeje: angeograf, aparat për kompjuter tomografi, mamograf me mundësi për bioposi, dy rengen aparate digjitale mobile, gjashtë aparate eho për diagnostikim si dhe dy aparate të lëvizshme siar me detektor digjital”, tha Sali i cili sqaroi se për cilat reparte do shfrytëzohen të njëjtat.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Drejtori mjekësor i Spitalit, Amir Elezi theksoi se rëndësia e këtyre pajisjeve është e madhe, sidomos ndërtesa e urgjencës që tani e përgatisin dhe janë në fazën e fundit që edhe ta lëshojnë në përdorim.

Elezi sqaroi se kjo do të jetë ndihmesë e madhe për stafin mjekësor dhe organizimin e punës, dhe se këto pajisje janë të sigurta pasi janë nga teknologjitë e reja

Dy nga mjekët e spitalit në konferencën për shtyp sqaruan nevojën për pajisje të tilla dhe se të njëjtat do u lehtësojnë punën në vijim dhe do risin cilësinë e punës.

Portalb pyeti se a kanë plan të përmirësojnë gjendjen me terminët për eho të gjirit pasi pacientët duhet të presin me muaj për të kapur një termin në këtë drejtim, pasi është sëmundje serioze. Edhe drejtori i spitalit edhe ministri thanë se me vënien në funksion të aparaturave të reja do të përmirësohet kjo dhe do të ketë më shumë terminë edhe për pacientët dhe të zvogëlohet lista e pritjes së pacientëve në minimum.

Përndryshe, Spitali i Tetovës jep shërbime për mbi 200 mije pacientë nga rajoni i Pollogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button