Negociatat do t’i heqin të gjitha pengesat në fushën e tregtisë, filloi takimi bilateral Maqedoni-BE për Kapitullin 1

Sot në Bruksel filloi skrining takimi bilateral për Kapitullin 1, “Lëvizja e lirë e mallrave” që është pjesë e klasterit të dytë “Tregu i brendshëm”. Delegacionin e Maqedonisë së Veriut kryeson Zëvendëse kryenegociatorja e Maqedonisë së Veriut me BE-në Drita Abdiu-Halili e cila theksoi progresin dhe reformat e zbatuara për këtë kapitull, me aktivitete konkrete, transmeton Portalb.mk.

“Duke respektuar detyrimet e shumta nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA), që nga viti 2009 kemi miratuar një Strategji gjithëpërfshirëse horizontale për Lëvizjen e Lirë të Mallrave dhe kemi zbatuar plotësisht një Plan Veprimi për përputhjen me nenet 34-36 të TFBE, i cili rezultoi me gjithsej 42 akte ligjore që u identifikuan si masa me efekt ekuivalent të kufizimeve sasiore të cilat u shfuqizuan apo ndryshuan deri në vitin 2016. Aktualisht, me mbështetjen e asistencës teknike të BE-së, në kuadër të projektit IPA “Përforcimi i tregut të brendshëm”, filluam me përgatitjen e një strategjie të re, e përditësuar me Acquis-në më të fundit dhe rifilluam një shqyrtim gjithëpërfshirës të legjislacionit përkatës nga aspekti i shkaktimit të pengesave jo-tarifore në tregti, me qëllim përgatitjen e një plani të ri aksionar me afate për mënjanimin e këtyre pengesave”, theksoi mes tjerash në fjalën e saj Zëvendëse Kryenegociatorja Drita Abdiu-Halili.

Ajo gjithashtu tha se kemi ende punë për të bërë në fushën e këtij kapitulli dhe se nevojiten reforma më thelbësore, duke potencuar se padyshim hapja e kapitujve në kohë të negociatave për anëtarësim të plotë në BE, si dhe ndihma e vazhdueshme nga Komisionin Evropian, do ta japin nxitjen e duhur për zbatimin më të thellë dhe me efikas në reforma lidhur me lëvizjen e lirë të mallrave.

Lëvizja e lirë e mallrave është një nga katër liritë themelore të BE-së. Parimi i lëvizjes së lirë të mallrave nënkupton që produktet të cilat prodhohen në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian mund të qarkullojnë lirshëm edhe në shtetet tjera përbrenda tregut të vetëm të BE-së.

Tregu i vetëm i BE-së u themelua 30 vite më parë,  numëron 415 milionë konsumatorë dhe përbën 18% të ekonomisë së përgjithshme botërore. Shkëmbimi tregtar i mallrave mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian kap vlerën e mbi 10 miliardë euro, respektivisht 5,2 miliardë euro import të mallrave nga vendet e BE-së dhe 5 miliard euro eksport të mallrave nga vendi ynë për në vendet e Bashkimit Evropian.

Legjislacioni i harmonizuar evropian mbi produktet, i cili duhet të transpozohet, përfaqëson pjesën më të madhe të acquis. Për më tepër, është thelbësore të ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme administrative për të njoftuar kufizimet në tregti dhe për të zbatuar masat horizontale dhe procedurale në fusha të tilla si standardizimi, vlerësimi i konformitetit, akreditimi, metrologjia dhe mbikëqyrja e tregut.

Prezantimet e ekipit negociues për Kapitullin 1, “Lëvizja e lirë e mallrave” do të vazhdojnë për 4 ditë me radhë, kurse të premten fillon skriningu bilateral për kapitullin e katërt “Lëvizja e lirë e kapitalit”.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button