Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake Pendarovski sot priti presidenten hungareze Katalin Novak

Presidenti Stevo Pendarovski sot priti presidenten hungareze Katalin Novak me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski dhe Novak është paraparë të kenë takim kokë më kokë, pas së cilës delegacionet nga Maqedonia e Veriut dhe Hungaria do të kenë takim plenar.

This slideshow requires JavaScript.

Në videon e pritjes zyrtare të presidentit hungarez shihet se Pendarovski i dorëzon asaj një qen të racës së Sharrit, e cila fillimisht u interpretua si dhuratë, por më vonë kabineti i presidentit shpjegoi se ai donte t’ia tregonte si një nga veçoritë e vendit.

Presidenti Pendarovski dhe homologia e tij nga Hungaria sot në kishën “Shën Spas” në Shkup vendosën kurora lulesh mbi varrin e Goce Dellçevit.

Gjatë vizitës zyrtare, presidentja hungareze Novak do të takohet me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe me kryetarin e Qeverisë Dimitar Kovaçevski.

Në takimin e presidentes hungareze me kryeministrin Kovaçevski u shpreh pritshmëria se kjo vizitë do t’i jep nxitje intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, veçanërisht pasi kjo është vizita e parë e një Presidenti hungarez në Maqedoninë e Veriut në 20 vitet e fundit.

“Bashkërisht është vlerësuar se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është i një rëndësie nacionale dhe strategjike për vendin tonë, por edhe për tërë Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën, prandaj nevojitet fokusi i të gjitha subjekteve politike në vend drejt realizimit të këtij qëllimi. Kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e zëshme të Hungarisë për perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për mbështetjen e zgjerimit të BE-së, si politika më e rëndësishme strategjike e Bashkimit Evropian. Kryeministri Kovaçevski theksoi se për Maqedoninë e Veriut, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të vendit dhe se Qeveria është e vendosur fuqishëm për dialogun si mekanizëm për zgjidhjen e çdo çështjeje të hapur. Ai e theksoi edhe vendosmërinë e Qeverisë për zbatimin e reformave, të cilat po zhvillohen paralelisht me përballimin aktual të sfidave të krizës globale ekonomike dhe energjetike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Për shkak të vizitës së presidentes Novak, sot në Shkup ka regjim të veçantë të komunikacionit në zonën qendrore të qytetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button