AKADEMIZMI MIT-HISTORIK (I)

“Kontaktet dhe shkëmbimet mes qytetërimeve e çojnë historinë njerëzore përpara.”

W.M. McNeill

Akademizmi lidhet me heroin athinas Akademos dhe akademinë e Platonit, me mjedisin apo komunitetin e edukimit dhe kërkimit të nivelit më të lartë, me antarësinë e nderit në një institucion shkencor kulmor të trurit fisnik, lidhet me pedanterinë dhe objektivitetin hulumtues, me vlerat. Akademiku asocon akumulimin, zhvillimin dhe përcjeljen e dijes autentike ndër breza, praktikuesin dhe përcjellësin e saj në favor të të mirës së përgjithshme. Pra është simbol i ndërgjegjes kulmore, kolektive.

Nga ana tjetër, termi i dytë nga titulli “mythhistory”, mit-historia apo historia mitike është i profesorit të Universitetit të Chicago-s, William McNeill (1917-2016) dhe nënkupton përkthimin e memories historike në fakte me një qëndrim shkencor racional. Sipas autorit të njëjtë, miti dhe historia, që nga themelimi i historisë si disiplinë akademike një shekull e gjysmë më parë, konsiderohen si të kundërta mes vete, i pari i  pavërtetë, kurse e dyta e vërtetë. Historia duhet të bazohet në kriticizmin shkencor të fakteve, në aranzhim të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm të gjetjeve  në mënyrë që të prodhohet histori shkencore e mirëfilltë. E. H. Carr thotë se historia është një dialog i vazhdueshëm mes të kaluarës dhe të tashmes dhe ndërveprim i vazhdueshëm mes historianit dhe fakteve. Por në realitet, revizionizmi vazhdoi të mbizotërohë në kuadër të profesionit të ri të historianit; gjykimet subjektive dhe zgjedhjet-preferencat intelektuale, që kanë të bëjnë pak ose aspak me kriticizmin e fakteve shkencore, u ndërfutën në këtë disiplinë rëndësishme.  (1986:1)

Në fund të dhjetorit të vitit që përcollëm shkrimtari dhe kryetari i ASHAK, Mehmet Kraja, botoi një artikull si një e tërë (36 faqe) dhe në versionin tjetër në tre vazhdime (ashak.org, Epoka e Re, mehmetkraja.com), të titulluar  “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, së pari në emër të Akademisë, më vonë (pas reagimeve) në atë personal,  ku duke dashur të bëjë një anatomi të makro-fajeve të Serbisë në botën jetike (lebenswelt) shqiptare lançoi  shpjegime të bazuara në hamendje dhe në klishe që s’kanë të bëjnë me realitetin historik, kulturologjik, sociologjik të kohës dhe frymës qeverisëse osmane dhe të kulturës islame. Diskursi i autorit të tekstit është emanacion i “diktaturës historike pesëdekadëshe” të bazuar në ideologjizmat e historiografisë sllave që komb-ndërtimin e tyre e bazonin në anti-otomanizëm, islamofobi dhe kuptohet albanofobi. Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane” – thuhet në tekstin në fjalë. Pyetja më e thjeshtë që mund të shtrohet në këtë drejtim është kjo: Si ka mundësi që besimi fetar të mbillet dhe të mbahet me forcë, me ushtrim të dhunës? Religjioziteti  është çështje e spiritualitetit, ku nuk ka akces askush dhe nuk kultivohet me forcë. Kështu flasin elaborimet e bazuara në sociologjinë e religjionit. Po konvertimi në krishterim vallë si ka ndodhur? Reduksionizmi në interpretimet e fenomeneve shoqërore është subjektivizëm që shpie në shtrembërime të natyrave të ndryshme.

Kraja thotë se kronistët turq të krishterët që luftonin përballë tyre i quajtën “të pafe”, kjo e fundit si një shpikje epokale; faktet flasin se të gjitha fetë, së paku ato abrahamike, të tjerët i quajnë të pafe, jobesimtarë. P.sh. të krishterët islamin e shonin si fe fallco (false religion), besojnë se të gjithë ata që nuk besojnë Jezusin si zot dhe shpëtimtar do të shkojnë në ferr. (Jones, 2015) Edhe budistët e shohin veten dhe rrugën e tyre si superiore ndaj grupeve të tjera si hinduistët, taoistët, konfucianët apo bonpotë e Tibetit. (Lopez & Buswell, 2014)

Habitemi se si ka mundësi që të ngulmohet në tezën e pranimit të fesë me detyrim dhe kamxhik që shqiptarët (dhe boshnjakët që pranuan me të madhe islamin) i qet si popull frikacak, që të tmerruar nga makineria militare e askerit osman dhe presioni shtetëror u konvertuan, kurse popujt ballkanikë që nuk e pranuan islamin si serbët, maqedonasit, bullgarët, grekët dalin si më trimët, më heroikët, si bashkësi të qëndrueshme, që s’u bëri tëk syri dhe që mbetën ata që ishin. Një interpretim autogol mbi etnopsikologjinë shqiptare. Siç u shpreh prof. Muhiq në një promovim të një libri të tij, e vërteta është e kundërta: ata që e kanë pranuar islamin kanë qenë më guximtarë ngase është dashur të jenë pjesë e luftës, pra të nisin fëmijët meshkuj (pos njërit) ku e lypte nevoja. Pra pranimi i fesë së re rrezikonte jetën, strukturën familjare. Me siguri më lehtë ka qenë të mbetesh në shtëpi, të vazhdosh jetën si dhimmi, të mos tkurresh  demografikisht, e të bësh ekonomi se sa të jesh në istikame e të marrësh letra për humbje familjarësh nëpër fronte të luftës… Një gjë tjetër që nuk elaborohet është e vërteta sociologjike se tokat shqiptare kanë kaluar nën sundimin osman në shekujt XIV-XV, kurse konvertimi masovik dhe i mirëfilltë ka ndodhur rreth dyqind-treqind vjet më vonë. Sikur të kishte dhunë do duhej që kurba e kalimit në islam të ishte më e fuqishmja në fillim të depërtimit osman në Ballkan e jo në shekullin XVII e këndej. Ka ndodhur vallë ndonjë prijës të varet në mes të qytetit nga shkaku i refuzimit të islamit? Ka shënime për kalime masovike në “fenë e turkut” nën tehun e shpatës apo tytën e pushkës? Siç dihet presioni në fepranim është rreptësisht i ndaluar në tekstin e shenjtë islamik (Kur’ani, 2:256). /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button