Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri ka arritur në 3.500

Sot në mëngjes rreth orës 04:17, sipas llogaritjes lokale, një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter ka goditur Turqinë juglindore pranë kufirit me Sirinë. Sipas njoftimeve të fundit në Turqi dhe Siri, numri i të vdekurve është mbi 3.500 dhe vazhdon rritet. Gjithashtu mijëra të tjerë janë plagosur. Tërmeti është një nga më të fortët që ka goditur Turqinë në 100 vitet e fundit dhe shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur ndërtesa dhe duke i bërë banorët të vrapojnë për të dalë në rrugë.

Më poshtë ndiqni gjitha zhvillimet e ditës së sotme minutë pas minuti. Klikoni linkun për të marrë më shumë informata.

21:50 – Qeveria e RMV-së: 6 milion denarë ndihmë për Turqinë, ekipe shpëtimi dhe të Armatës

19:50 – Turqia shpalli shtatë ditë zie kombëtare

16:36 – Zjarrfikësit e Tetovës nisen për Turqi të ndihmojnë për pasojat nga tërmeti

15:20 – BE-ja aktivizoi ndihmën emergjente për Turqinë

14:47 – Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka arritur mbi 1.500

13:32 – Armata e Maqedonisë ofroi ndihmë për të shpëtuar të mbijetuarit nën rrënojat në Turqi

12:53 – MPJ: Tetë nxënës dhe një mësues nga RMV ndodhen në zonën e goditur nga tërmeti në Turqi

12:33 – Tërmet tjetër me magnitudë të lartë goditi Turqinë dhe Sirinë më pak se 12 orë pas të parit

10:32 – Pendarovski shprehu ngushëllime për viktimat në Turqi, MPJ publikoi numrat e telefonit për ndihmë të qytetarëve nga Maqedonia

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në të dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.

This slideshow requires JavaScript.

Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij kolapsuan.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

 

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, ku jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.

Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.

Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë

Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë ofruar ndihmë për këto dy shtete.

Komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, tha se Qendra për përgjigje dhe koordinim për emergjenca e BE-së është në kontakt me autoritetet turke për të aktivizuar shërbimin që u ndihmon ekipeve të shpëtimit në terren që ta kryejnë punën në mënyrë më efikase.

Rusia tha se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka dërguar mesazhe liderëve në Turqi dhe Siri, duke u ofruar ndihmë.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu u shpreh i gatshëm të dërgojë ndihmë.

“Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Zelensky.

Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen të shpëtimit premtoi Polonia, por edhe India.

Greqia tha se po mobilizon burimet e ndihmës që do të dërgohen shpejt në Turqi, ndërkaq Spanja pohoi se ekipet urbane të shpëtimit janë të gatshme të dërgohen menjëherë në zonat ku ka nevojë.

Izraeli tha se autoritetet janë duke bërë përgatitjet për të ofruar ndihmë mjekësore dhe të kërkim-shpëtimit, ndërkaq Tajvani ka ofruar një ekip prej 130 zjarrfikësish, por edhe të qenve kërkues dhe 13 tonë ndihma për Turqinë.

Edhe Maqedonia dhe Kosova janë shprehur të gatshme që të ofrojë mbështetje dhe ndihmë për Turqinë.

Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme.

Disa besojnë se ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Turqinë.

Sizmologu nga Longond College, Stephen Hicks, tha se edhe një tërmet prej 7.8 shkallësh kishte goditur Turqinë më 1939, duke vrarë 30.000 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button