ANALIZË: Borxhi i brendshëm i “sektorit shtetëror” të RMV-së tejkaloi vlerën prej 418 milionë euro! (Infografik)

Borxhet e “sektorit shtetëror”, ndërmarrjeve publike, shëndetësisë, komunave, arsimit, në fund të vitit të krizës 2022 tejkaluan vlerën prej 418 milionë euro, nivel ky më i lartë si në raport me tremujorin e tretë të vitit të kaluar ashtu edhe në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.  Në bazë të faturave të papaguara për shërbime komunale, ngrohje, transport, sektori shtetëror raportoi një borxh prej 77,4 milionë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rritje e borxheve të ndërmarrjeve publike…

Për vetëm tre muaj, detyrimet e prapambetura, por të papaguara të ndërmarrjeve publike në nivel qendror dhe lokal janë rritur ndjeshëm. Borxhet e ndërmarrjeve publike në nivel qendror dhe të firmave shtetërore në fund të dhjetorit arritën në 158,3 milionë euro, që është për 32,3 milionë euro më shumë, borxh i krijuar rishtazi për vetëm tre muaj. Te ndërmarrjet publike komunale borxhi është rritur për 4,8 milionë euro për vetëm tre muaj.

Të dhënat përfundimtare nga “lista e re e borxhlinjve” e Ministrisë së Financave në nivel tremujor tregojnë ulje të borxheve në shëndetësi, të disa komunave, por megjithatë ato llogariten në dhjetëra milionë euro. Konkretisht, detyrimet e prapambetura, por të papaguara të institucioneve shëndetësore publike në fund të dhjetorit arritën në 84,7 milionë euro, që i rendit ato në vendin e dytë për nga shuma e borxhit, pas ndërmarrjeve publike dhe firmave shtetërore.

Nga analiza e të dhënave rezulton se pjesëmarrjen më të madhe në rritjen e totalit të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara a të sektorit shtetëror e kanë pikërisht ndërmarrjet publike. Borxhi i përgjithshëm i brendshëm ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat në fund të dhjetorit të vitit të kaluar arriti në 418,6 milionë euro.

Për vetëm tre muaj, në tremujorin e katërt krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, borxhet janë rritur për 12,8 milionë euro, ndërsa krahasuar me vitin 2021 rritja është për 27 milionë euro.

Borxhi më i madh për shërbimet komunale, ngrohjen, transportin….

Sipas shumës së borxhit, në krye të listës së borxhlinjve janë tre ndërmarrje publike/shoqëri aksionare në pronësi shtetërore dhe dy komuna. Në vend të parë është SH.A. “Burimet Energjetike të Maqedonisë” me rritje të ndjeshme të borxhit për tre muaj në nivelin prej 82,6 milionë eurosh, në vendin e dytë është SH.A. HM Transporti me një borxh prej 64,9 milionë eurosh, vijon komuna e Tetovës me një shumë prej 13,5 milionë eurosh, NP Sistemi kolektor Shkup me një borxh prej 8,6 milionë eurosh dhe në vendin e pestë është komuna e Ohrit me një borxh të raportuar prej 8,4 milionë eurosh.

Shumat më të larta të borxhit janë për shkak të shërbimeve komunale, ngrohjes, transportit, komunikimeve, për materialet dhe inventarin e imët, për shërbimet kontraktuale. Kështu, në fund të dhjetorit, shuma e detyrimeve të prapambetura për faturat e shërbimeve komunale, komunikimet, ngrohjen ishte 77,4 milionë euro, për materialet dhe inventarin e imët 73,7 milionë euro, për shërbimet kontraktuale 41,3 milionë euro, për punimet e tjera ndërtimore 36,5 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxhit është e brendshme, në sektorin publik dhe ndaj firmave dhe shoqatave private, kështu që detyrimet ndërmjet sektorit publik arritën në 199 milionë euro, kurse ndaj sektorit privat gati 198 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button