Thaçi i le ‘luanat’ me gishta në gojë

Asnjë post qeveritar për PDSH-në opozitare, pavarësisht deklaratave të liderit të saj Menduh Thaçi, se pjesëmarrja e PDSH-së në Qeveri është punë e kryer, qoftë edhe me një deputet. Analisti Ismet Ramadani vlerëson se ky premtim që vazhdimisht përsëritej në fushatë e përmbushi qëllimin e tij, mbledhjen e ca votave më tepër në zgjedhjet parlamentare. Moment tjetër sipas Ramadanit ka qenë edhe joshja me pushtet e anëtarësisë, për ta mbajtur besnike ndaj Thaçit, sidomos në periudhën kur Ziadin Sela dhe Dega e PDSH-së në Strugë kundërshtuan haptazi liderin aktual.

“PDSH-ja me siguri e ka shfrytëzuar momentin që deri diku të zbuste një situatë të krijuar me largimin e z. Sela, dhe forma e vetme që iu ngeli për të shpëtuar nga një situatë e tillë, ishte oferta për të hyrë në Qeveri. Ndoshta kjo shkonte më shumë për të lakmuar qytetarët se ja, hyrja në Qeveri, mund të fitohet ndonjë interes apo diçka tjetër, që mund të jetë individual, grupor e kështu me radhë”, deklaroi për Alsat-M, Ismet Ramadani, analist.

Në takimet me qytetarë gjatë fushatës, por edhe në intervista të ndryshme, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi deklaronte se është punë e kryer që partia e tij do të jetë pjesë e Qeverisë. Ai madje kishte caktuar edhe postin e vet, zv/kryeministër dhe ministër i punëve të brendshme.

“Po t’ju pyesin si mundet të hyjë Menduh Thaçi në Qeveri, nuk e kam gajlen e tyre, sa për ata nuk i bëj hesap, vet tek deputet do të hyjë në Qeveri dhe nuk mund të bëjnë gjë ata”

“Pas zgjedhjeve presidenciale kam pasur dy takime me z. Gruevski, dhe mund të ju them se plotësisht jemi marrë vesh për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve parlamentare”

“Po po, po, po, ne do të jemi në Qeveri, dhe ju duhet të rrini urtë”, deklaronte Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Analistët vlerësojnë se këto paralajmërime të papërmbushura mund të kthehen në pakënaqësi tek anëtarësia e PDSH-së, sidomos duke ditur se një pjesë e mirë e saj kishin votuar edhe në zgjedhjet presidenciale, pikërisht si rezultat i premtimeve për hyrjen e PDSH-së në Qeveri./ Alsat – M

Lajme të ngjashme

Back to top button