Tregu i shërbimeve të pagesave po hapet në Maqedoninë e Veriut, një hap drejt digjitalizimit, vlerësojnë nga Banka Popullore

Me Ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, pritet që të shfaqen ofrues të rinj të shërbimeve të pagesave, të cilët do të rrisin konkurrencën e tregut, që nga ana tjetër do të kontribuojë në pasurimin e shërbimeve, digjitalizimin dhe uljen e tarifave të ngarkuara për qytetarët.

Përveç bankave, tashmë edhe bankat e kursimeve dhe institucionet e specializuara për shërbime pagesash do të mund të ofrojnë shërbime pagesash, të cilat do të duhet të marrin leje nga Banka Popullore dhe njëkohësisht të plotësojnë një sërë kriteresh strikte.

“Me ofruesit e rinj të shërbimeve të pagesave, njëlloj si me bankat, qytetarët dhe kompanitë do të mund të hapin llogari pagese përmes të cilave do të kryejnë pagesa për nevoja të ndryshme duke përdorur veprimtarinë elektronike bankare ose duke i inicuar ato në ambientet e punës së ofruesit, të përdorin kartela pagese, celularë dhe pajisje të tjera të mençura për të nisur pagesat në pikat fizike të shitjes ose onlajn, si dhe për të tërhequr dhe depozituar para në llogaritë e tyre të pagesave duke përdorur bankomate ose sportelet e ofruesve. Me këtë rast, nëse marrim parasysh përvojën e vendeve ku janë të pranishme këto institucione, pritet që ofruesit e rinj të shërbimeve të pagesave të ofrojnë mënyra inovative për inicimin më të lehtë të pagesave dhe realizimin më të shpejtë të tyre”, shprehet zëvendësguvernatori i Banka Popullore, Emilia Nacevska, në intervistën për MIA-n, e cila më poshtë është publikuar e plotë.

Ajo thekson se paratë e qytetarëve dhe kompanive pranë këtyre ofruesve të shërbimeve nuk do të trajtohen si depozita, por do të mbrohen në atë mënyrë që do të jenë në një llogari të veçantë dhe në rast falimentimi apo likuidimi të mos hyjnë në masën e falimentimit.

“Mjetet në para të qytetarëve dhe kompanive pranë institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parave elektronike janë për qëllime të realizimit të transaksioneve të pagesave dhe nuk përfaqësojnë depozita, siç është rasti me mjetet që ata i ruajnë te bankat dhe bankat e kursimeve, të cilat, sipas rregulloreve ligjore, janë subjekt i kompensimit nga Fondi i Sigurimit të Depozitave në rast falimentimi ose likuidimi të institucionit depozitues. Për këto arsye, e për hir të mbrojtjes së tyre, institucionet e pagesave dhe institucionet e parave elektronike, në përputhje me kornizën e re rregullatore, do të detyrohen të ndajnë shumën e mjeteve në para në llogaritë e tyre të pagesave që qytetarët dhe kompanitë nuk i kanë përdorur për të realizuar pagesat, në llogari të veçanta dhe me këtë rast nuk guxojnë t’i përziejnë me mjetet e veta që i përdorin për punën e tyre të rregullt”, thekson Nacevska.

Banka Popullore, siç thekson, do të bëjë mbikëqyrje në terren dhe jashtë terrenit mbi funksionimin e ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave me qëllim të monitorimit të harmonizimit të tyre me rregulloret në fuqi.

Ndryshe, bankat kishin filluar të njoftojnë klientët në lidhje me Ligjin për për shërbimet e pagesave dhe sistemin e pagesave, që filloi të zbatohet prej 1 janarit të vitit 2023.

“Këshilli i Bankës Popullore miratoi një pako aktesh nënligjore me të cilat funksionalizohet korniza e re ligjore në sferën e pagesave që e përcakton Ligji për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, zbatimi i të cilave do të fillojë më 1 janar 2023”, njoftojnë nga Banka, duke theksuar që janë miratuar 12 akte nënligjore.

Banka Popullore theksoi që përmes të dhënave biometrike, kodeve dhe numrit të celularit, do të rritet siguria e pagesave onlajn.

“Në fillim të vitit 2023 hyn në fuqi Ligji i ri i Shërbimeve Pagesore dhe Sistemeve Pagesore, me të cilin hapet më shumë hapësirë ​​për zhvillimin e koncepteve inovative në të cilat pagesat onlajn nuk do të kryhen vetëm me kartelë pagesore”, deklaroi Goran Jankoski nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button