Problemi kryesor i RMV-së është korrupsioni, rezultatet e Transparency International nuk janë të habitshme

Maqedonia e Veriut ende vazhdon të radhitet si vend me prani të lartë të korrupsionit. Analistët theksojnë se duhet të shtohen kompetencat e Komisionit Antikorrupsion si dhe të bëhen ndryshime adekuate ligjore me të cilat korrupsioni i lartë në shtet do të jetë shumë i ndëshkueshëm me dënime tejet të rrepta. Sipas tyre, rezultatet e Transparency International nuk janë të habitshme duke pasur parasysh se korrupsioni është i rrënjosur thellë në institucionet dhe sistemin e aparatit shtetëror, pasojat e të cilit po i shohim çdo ditë, shkruan Klubi i Debatit Politik (KDP).

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International. Sipas këtij raporti, Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 85-të nga gjithsej 180 vende. Pra, në krahasim me vitin e kaluar, ka marrë vetëm një pikë dhe ka kaluar dy vende.

Njohësit e këtyre çështjeve vlerësojnë se shkaku i këtyre rezultateve është se shteti nuk e lufton sa duhet korrupsionin.

Profesori universitar, Qebir Avziu vlerëson se duhet të shtohen kompetencat e komisionit anti-korrupsion.

“Po RMV-ja ka një ngritje të lehtë dhe për një pikë është më mirë se vitin e kaluar. Mendoj që edhe më shumë duhet të vendosen mekanizma kontrollues dhe të shtohet kompetencat e komisionit shtetëror për të anti-korrupsion. Mendoj që negociatat do të kenë impakt pozitiv në parandalimin e korrupsionit”, thotë Avziu.

Ndërkaq, gazetarja e cila e ndjek sektorin e gjyqësorit, Ferikane Iljazi Arifi thotë se duhet të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore për të çrrënjosur korrupsionin.

“Indeksi i Transparency International tregon qartë nivelin e lartë të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht përmirësimeve të vogla në renditje, përsëri shfaqet gjendje serioze e korrupsionit në këtë shtet. Kjo organizatë nuk kursen thuajse asnjë vit kritikat për Maqedoninë e Veriut dhe reformat që duhet t’i bëjë për të çrrënjosur korrupsionin, sidomos atë të lartë, apo të ‘këmishëve të bardha’, ku përfshihet korrupsioni i zyrtarëve të lartë që vjedhin para nga populli dhe kalojnë pa u ndëshkuar. Para se gjithash duhet të bëhen ndryshime adekuate ligjore me të cilat korrupsioni i lartë në shtet do të jetë shumë i ndëshkueshëm me dënime tejet të rrepta, besoj se sikurse për vrasje pasi që ky fenomen është kanceri i shoqërisë dhe duhet të trajtohet në këtë mënyrë edhe nga ligji. Po ashtu duhet të bëhet zbatim i përpiktë i ligjeve ekzistuese dhe të bëhen përpjekje që veprat penale të korrupsionit qoftë nga zyrtarët e lartë e qoftë edhe nga ata më të vegjël, të mos mund të vjetërohen”, thotë Arifi.

Gazetari tjetër që ndjek sektorin e gjyqësorit në Portalb, Suad Bajrami, theklson se problemi numër një i vendit tonë është korrupsioni.

“Korrupsioni padyshim është problemi numër një i Maqedonisë së Veriut dhe ndër vite mungon vullneti politik për t’i lëvizur gjërat dhe përmirësuar rezultatet. Këtë e dëshmon fakti që SHBA dërgoi ekip për hetim më agresiv të funksionarëve korruptuar dhe në çdo rast e thekson këtë problematikë. Rezultatet e Transparency International nuk janë të habitshme duke pasur parasysh se korrupsioni është i rrënjosur thellë në institucionet dhe sistemin e aparatit shtetëror, pasojat e të cilave po i shohim çdo ditë. Drejtësi, qeverisje të mirë dhe meritokraci. Mendoj se pa këto komponentë, madje nuk mund të pretendojmë të jemi shoqëri demokratike. Shteti duhet të angazhohet në mënyrë më agresive, efikase dhe efektive në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh gazetari Bajrami.

Përndryshe, në rajon më mirë se Maqedonia e Veriut është Sllovenia e cila renditet në vendin e 41, Greqia në vendin e 51, Kroacia në vendin e 57, Mali i Zi në vendin e 65, Kosova 84, ndërsa pas është Shqipëria dhe Serbia në vendin e 101.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button